
Shqipëria do të përfaqësohet në Bienalen e 61-të të Artit në Venecia me projektin “A Place in the Sun” të artistit Genti Korini.
Lajmi u bë i ditur nga ministri Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipëris^, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale, ku theksoi se Korini u përzgjodh nga juria e përbërë nga Adela Demetja, Katerina Gregos, Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo.
“Juria zgjodhi këtë projekt si më bindësin ndër 17 aplikimet e pranuara përmes thirrjes së hapur pasi spikat për thellësinë e kuadrit të tij konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual. Ky projekt ndërthur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën, Korini eksploron mënyrën se si kujtesa kolektive dhe ideologjia formësojnë identitetin dhe hapësirën, duke endur lidhje mes së shkuarës shqiptare dhe ndërthurjeve të saj me Bashkimin Sovjetik”, nënvizoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se juria vlerësoi risjelljen krijuese të arkivave pamore lokale përmes një këndvështrimi absurdist dhe lindor, si dhe qasjen e tij shumëdimensionale dhe eksperimentale ndaj historisë.
I zhvilluar në bashkëpunim me kuratoren Małgorzata Ludëisiak, projekti ofron një dialog të pasur vizual dhe intelektual, në komunikim me teatrin eksperimental polak.
Gonxhja i uroi Korinit suksese në realizimin e projektit.
“Presim me padurim prezantimin e pavijonit të Shqipërisë në Venecia në majin e ardhshëm”, tha Gonxhja.
Korini punon në ndërthurjen midis trillimit dhe realitetit historik, së kaluarës dhe së tashmes, perceptimit dhe projektimit, abstraksionit dhe përfaqësimit. Duke u mbështetur në kuadrot kulturore dhe historike të vendit të tij, Shqipërisë praktika e tij shqyrton mënyrën se si ideologjia manifestohet përmes imazheve dhe formës, duke u angazhuar drejtpërdrejt me politikën e estetikës përtej trashëgimive të modernitetit, modernizimit, postkomunizmit dhe të tashmes neoliberale.
ObserverKult



Lexo edhe:
BISEDË MES GJIGANTËVE BORGES DHE RULFO: Ç’FATKEQËSI PO TË ISHIM TË PAVDEKSHËM!






