
Nga Alma Dema
Fëmijët janë pasuria më e madhe e një shoqërie dhe garancia e së ardhmes së saj. Mënyra se si një vend kujdeset për fëmijët e vet tregon nivelin e qytetërimit, përgjegjësisë dhe ndërgjegjes kolektive. Për këtë arsye, mbrojtja, edukimi dhe mirëqenia e tyre nuk duhet të mbeten vetëm pjesë e dokumenteve ligjore apo deklaratave publike, por të shndërrohen në prioritete reale të familjes, shkollës, institucioneve mbështetëse dhe komunitetit.
E gjitha kjo është një e vërtetë e pamohueshme e çdo shoqërie, kulture apo kohe dhe çdo periudhë ka instrumentalizuar përpjekjet e saj për të treguar jo vetëm nivel qytetërimi, përgjegjësi dhe ndërgjegje kolektive, por për të shërbyer edhe si model referimi.
Rasti i kobshëm i tre fëmijëve në qytetin e Durrësit, është një kambanë alarmi për të gjithë ne, që e quajmë veten prindër, mësues, qytetarë a nënshtetas aktiv, është një thikë me dy tehe që i ka hyrë në palcë të familjareve të tyre, të mësuesve, shokëve e shoqeve, familjareve dhe të njohurve, por edhe në vetëdijen dhe logjiken tonë njerëzore. Por, ata të dy (dashtë Zoti, të mos bëhen tre!), nuk ikën sepse ashtu e kishin të shkruar, se i thirri ora e tyre, se ishte pakujdesi e prindërve, se nuk kishte kush të kujdesej për ta apo shume sepse të tjera, por, sepse, ne po “i vrasim” vetë fëmijët tanë çdo ditë nga pak!
Fëmijët janë pasqyra më e ndjeshme e një shoqërie dhe mënyra se si ata trajtohen, mbrohen dhe edukohen tregon jo vetëm nivelin e zhvillimit të ndërgjegjes morale të një vendi. Për këtë arsye, çdo problem që prek fëmijët, nuk duhet parë si çështje e izoluar familjare, por si përgjegjësi publike dhe shoqërore. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë ne do i “vrasim” fëmijët tanë çdo ditë nga pak!
Në rrokupujën tonë mediatike tonë flitet, shpesh, për të drejtat dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për standarde evropiane edukimi, për reforma në arsim si dhe për rëndësinë e edukimit cilësor. Megjithatë, përditshmëria na përball me shumë situata që tregojnë se ende ekziston një hendek i madh mes asaj që deklarohet dhe asaj që përjetohet nga fëmijët. Problemet nuk janë gjithmonë të dukshme apo të bujshme. Shpesh, ato shfaqen në forma të heshtura, por me pasoja afatgjata në zhvillimin fizik, emocional dhe social të tyre. Problemet nuk qëndrojnë te mungesa e infrastrukturës apo e investimeve, por te mënyra se si është normalizuar mungesa e transparencës, e përgjegjësisë dhe e etikës institucionale.
Plagë e hapur që sa vjen e bëhet gangrenë, mbetet kujdesi shëndetësor dhe të ushqyerit. Prindërit dhe komuniteti përballen çdo ditë me sfida që lidhen me cilësinë ushqimore, sigurinë e produkteve apo mungesën e kontrollit të duhur, duke e tejkaluar statusin e një çështjeje individuale, por duke u shndërruar në përgjegjësi publike që kërkojnë ndërhyrje serioze dhe afatgjatë.
Një shoqëri nuk dëmtohet vetëm nga krizat ekonomike apo politike; ajo dëmtohet kryesisht, kur humbet ndjeshmërinë ndaj fëmijëve të saj. Për këtë arsye, është e nevojshme të reagojmë me qytetari, profesionalizëm dhe përgjegjësi, jo për të fajësuar, por për të reflektuar dhe për të përmirësuar realitetin në të cilin rriten fëmijët tanë. Kujdesi për ta nuk është luks, as formalitet, por detyrim moral, social dhe njerëzor. Vetëm duke investuar me seriozitet te fëmijët mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të shëndetshme dhe më humane për të ardhmen.
Shqetësimi i padiskutueshme mbetet mungesa e kontrollit dhe standardeve në shërbimet që u ofrohen fëmijëve. Në shumë raste funksionojnë qendra kursesh, programe “after-school”, kampe ditore apo aktivitete të ndryshme pa monitorim të qartë profesional dhe institucional. Edukimi dhe zhvillimi i fëmijës kërkojnë përgatitje serioze pedagogjike, siguri, etikë dhe përgjegjësi, jo thjesht organizime formale apo interesa financiare, ndaj aktivitetet jashtëshkollore duhet të kenë në qendër nevojat dhe zhvillimin e fëmijës duke respektuar transparencën dhe standardet profesionale.
Përveç kësaj, mungesa e hapësirave të sigurta, të bollshme, të askesueshme dhe të shëndetshme për jetën e përditshme të fëmijëve, është kthyer në një shqetësim gjithnjë e në rritje. Në shumë lagje mungojnë trotuaret, parqet, terrenet sportive dhe mjediset kulturore. Sa del nga pragu i derës, fëmija përballet me zona të rrethuara me globe betoni, litarë ose me trotuare të zëna nga makinat që furnizohen në pika shumice me dalje direkt po në trotuar. Fëmijët kanë nevojë jo vetëm për t’i nisur në shkollë e për t’i lënë atje, por edhe për lëvizje, art, lojë, socializim dhe kontakt me natyrën. Një qytet që nuk krijon hapësira për fëmijët, gradualisht humbet dimensionin e tij njerëzor.
Po aq shqetësuese është edhe çështja e sigurisë së fëmijëve në jetën e përditshme. Në shumë zona urbane dhe periferike mungojnë trotuaret, vijat e bardha funksionale, sinjalistika pranë shkollave dhe kontrolli i qarkullimit rrugor. Fëmijë e cilësdo moshe (duke mos lënë pa përfshirë nënat me karroca) detyrohen të ecin pranë makinave, të cilat janë parkuar mbi trotuar, të kalojnë rrugë të rrezikshme apo të lëvizin në ambiente pa ndriçim dhe pa mbikëqyrje. Kjo situatë nuk është thjesht mungesë infrastrukture, por mungesë prioriteti për sigurinë e jetës së tyre. Edhe lagjet dhe hapësirat komunitare po bëhen gjithnjë e më pak miqësore për fëmijët. Nuk ka fare kënde lojërash, parqe apo qendrat kulturore. Në vend të hapësirave të sigurta për zhvillim dhe socializim, fëmijët përballen me ambiente të betonizuara, trafik, zhurmë dhe pasiguri.
Po aq i rëndësishëm është edhe kujdesi për klimën emocionale dhe psikologjike në shkollë dhe komunitet. Bullizmi, gjuha denigruese, presioni psikologjik dhe format e autoritetit të ushtruara pa etikë, sidomos në ambientet e shkollës, lënë pasoja të thella te fëmijët. Shkolla duhet të jetë një hapësirë sigurie, respekti dhe zhvillimi, ku fëmija të ndjehet i dëgjuar, i mbështetur dhe i vlerësuar. Roli i mësuesit dhe drejtuesit është të udhëheqë me profesionalizëm dhe empati, duke ndërtuar marrëdhënie edukative të shëndetshme.
Një nga shqetësimet më të dukshme të përditshmërisë sonë, lidhet me ngarkesën financiare që u krijohet familjeve në emër të shkollës. Në shumë raste, prindërit përballen me pagesa për uniforma, mirëmbajtje, aktivitete, ekskursione apo festa shkollore, pa pasur informacion të qartë mbi mënyrën si menaxhohen këto para. Shpesh këto pagesa kërkohen si “detyrim moral”, ndërsa mungon transparenca financiare dhe raportimi institucional. Ka raste kur familjet ndihen të detyruara të paguajnë për aktivitete që nuk lidhen drejtpërdrejt me procesin mësimor apo formimin e tyre intelektual dhe emocional, vetëm nga frika se fëmija mund të ndihet i përjashtuar nga grupi. Në vend që shkolla të jetë një hapësirë barazie dhe mbështetjeje, ajo rrezikon të krijojë diferencime sociale dhe presion ekonomik mbi prindërit.
Të gjitha këto probleme nuk kërkojnë vetëm reagime të këtij lloji, por reflektim dhe përgjegjësi konkrete. Ne, kemi nevojë të kuptojmë se investimi më i rëndësishëm nuk është ai që bëhet në fasada apo statistika, por ai që bëhet në sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Transparenca në shkolla, standardet profesionale në shërbime, siguria në rrugë dhe respekti ndaj fëmijës nuk janë privilegje, por të drejta themelore.
Një shoqëri që i lë fëmijët të rriten mes pasigurisë, presionit dhe neglizhencës, rrezikon të humbasë jo vetëm të ardhmen, por edhe humanizmin e saj. Për këtë arsye, reagimi qytetar, profesional dhe institucional është i domosdoshëm, jo për të krijuar konflikt, por për të ndërtuar një realitet më të drejtë dhe më të sigurt për brezat që po rriten. Më shumë ndërgjegjësim, më shumë kërkesë të shëndoshë llogarie, më shumë prani dhe dashamirësi për fëmijët tanë, që të mos i “vrasim” përditë nga pak!
ObserverKult
Lexo edhe:






