A. Pregapuca: E një çast, gruan qëllon, për pak kripë më tepër…, interpreton Leka Sefla

“Në sy të fëmijëve, gruan godite,
Të fëmijëve të tu.
Të përlotur i le, dhe ike.
As ti, se di për ku.
Se në gjellë, ish hedhur pak kripë më shumë.”

Kështu u tha…
Dhe e besova edhe unë…

Por tani..
Tani, sqaruar nga ti në këtë letër…
Po lexoj dhe shoh një botë tjetër
Botë që s’ta njoha më parë,
Miku im.

E di?! – shkruaje.
– E di si krijohet nga njeriu, gjysmëburri?
Ai…
Ai që shpesh njerëzia tallen, piketojnë, ironizojnë
E pastaj qeshin?!

Krijohet ngadalë.

Me xhepa të zbrazur.
Që ndeshen me sy që presin.
Ndërsa derën e shtëpisë, kokulur hap.

Ngadalë… krijohet,
Shumë ngadalë.

Kur të vjen të qash, por duhet të qeshësh.
Të ulëritet, por duhet të heshtësh,
Kur të dhemb, të ther
Si asnjëherë…
Dhe dot s’tregon, dhe s’ke se ku.
Metamorfoza ndodh.

Dhe humb gjysmëveten.
Dhe gjithkush tjetër, gjysmën tënde humb

Gruaja humb buzëqeshjen.
Shpresa e respekti humb…

Gjysmëburrë a gjysmëhije?!

Pastaj..
Vjen një moment, ndoshta,
Thjesht ndoshta, miku im
Dhe ja…
Ja ku është e kthyer vonë
Natyrisht e bukur, si gjithmonë.
Si një perri.
Veshur me një fustan të ri
Që ti premtuar ia kishe
Kohë më parë.
E heshtur dhe me sy të ftohte shikon
Siç veç një femër qe të ka dashur dikur, mund ta bëjë.

Afrohesh, e puth.
Dhe aromën ia ndien, ndryshe.

Nuk flet.
Gjysmëburri nuk flet, se gjysmëburri s’punon
Gjysmëburri, nuk premton…
Gjysmëburri fjalët kafshon, mërmërit,
Lufton me gjysmën tjetër
Gjysmëburri nuk shpreh çfarë mendon.

E një çast, gruan qëllon, për pak kripë më tepër.

E nëse ndonjëherë, fiton mbi gjysmëhijen e re
gjysmëvetja e mbetur

Vendos
Dhe e mbyll të fundit letër me
“Me falni! Duajeni të bukurën nënën tuaj fëmijë!”
Dhe shkon.