“Abou Leila”: Dhuna është obsesioni i gjithë botës

Befasi e mirëpritur në Festivalin e Filmit në Cannes, filmi me karakter barok “Abou Leila” trajton traumat e luftës civile në Algjeri. Filmi i metrazhit të gjatë veçohet për nga performanca e aktorëve, trajtimin e kontekstit politik dhe skenarin i cili rishfaq kufijtë e çmendurisë. Intervistë me regjisorin e filmit Amin Sidi-Boumédiène, ku zbulohen disa mistere në kërkim të personazheve të tij të humbur në shkretëtirë.

Nga Luc Chessel

« Abou Leila » hapet me një citim nga “Martesa e Qiellit dhe Ferrit”, poema vizionare e William Blake. A e përshtat filmi këtë histori profetike në Algjerinë e 1994?

Nuk kemi të bëjmë me përshtatje, por me një frymëzim të vërtetë se si t’i qasemi një teme. Doja të kthehesha në një formë simbolizmi, dhe jo në kuptimin e dobët të termit. Të rizbulohet fuqia që kinemaja mund të ketë edhe pa fjalët. William Blake dhe John Milton, mistikët anglezë, sikurse edhe tragjedia greke, Bibla, Kurani, mitologjitë e mëdha,  bëjnë edhe pa diskursin e unifikuar dhe përdorin alegori për t’i dhënë vend interpretimit, për të përshkruar situata që ndërthurin një gjë dhe të kundërtën e saj. Është e vështirë ta gjesh një këndvështrim që riprodhon kompleksitetin e një situate. Këtë e bën kjo traditë e simbolit dhe e alegorisë.

Si e ndërtuat skenarin që mund të strehonte këtë lloj vizioni?

Ndoqa një linjë jo narrative, por emocionale, për të qenë afër personazheve, pa i parashikuar ose sforcuar informacionet sepse e kërkon tregimi. Ndjekim pavetëdijen e tyre dhe mund të përhumbemi, sepse filmi nuk e thotë se çfarë është një ëndërr dhe çfarë jo. Kjo për shkak se vetë personazhi nuk e di. Duhej t’i linim gjërat të vinin në ndërgjegjen e filmit, duke i besuar shikuesit. Nëse ndodh një magji, kjo është në sajë të dy aktorëve, të cilët sjellin jetën dhe njerëzimin aty ku idetë dhe vënia në skenë shkojnë drejt diçkaje të ftohtë dhe konceptuale.

Këto dy nivele duket se janë të lidhura me kontekstin e tregimit: nga njëra anë, përvoja e jetuar e dhunës, nga ana tjetër, ftohtësia e historisë dhe shpjegimet që mund të jepen për të.

Dëshironim të punonim këto dy nivele të leximit. Një forcë e jashtme të cilën nuk e mbizotërojmë, të përkthyer nga kuadri dhe skena, dhe në kundërvënie, këto qeniet njerëzore që i jetojnë plotësisht emocionet e tyre. Përballja e të dyjave bëri filmin.

Si e keni menduar aspektin historik?

Nuk doja të rrëshqisja në grackën e rindërtimit. Gjatësia e një filmi nuk është e mjaftueshme për ta treguar këtë histori në kompleksitetin e saj. Por ideja është të shkojmë në kundërshtimin e asaj që thuhet në aktualitet, si atë që e mendon Perëndimi. Filmi rikujton se vendi i parë që u godit nga terrorizmi islamik është një vend musliman. Dhe mbi gjithash, filmi luan me figurën e terroristit, duke e shpërfaqur që vret me të vërtetë, pa e mohuar ekzistencën e tij, por duke treguar se po ndiqet ky imazh përderisa dhuna mund të vijë nga kudo, përfshirë nga ata që ndjekin këtë imazh, ose që reduktojnë të gjitha problemet e një epoke tek një lloj personi. Filmi ngrit pikëpyetje mbi këtë obsesion, i cili është ai i personazhit tim, ai i Algjerisë dhe në fund i gjithë botës. Ai nuk dëshiron shpjegime që e vendosin fenë në qendër: ideologjia gjithmonë vjen pas faktit dhe problemi i dhunës qëndron diku tjetër.

Kam dashur të tregoj se sa e vështirë është të dalësh nga dy pozicionet që ofrohen: të mbrohesh ose ta ushtrosh edhe ti.  Filmi ia kthen shpinën kontekstit për t’u larguar nga qyteti, për të shpier dhunën në shkretëtirë, në vendin më të zbrazët të mundshëm, si dhe të shohim nëse ajo vazhdon të shprehet kur eliminohet objekti dhe diskursi që e rrethojnë atë.

Ju jetoni në Francë, a mund ta paramendoni veten duke filmuar diku tjetër se në Algjeri?

Për momentin, nuk e shoh veten duke xhiruar diku tjetër. Nëse kam fatin të realizoj disa filma, do ta kisha për zemër t’eksploroj territore të tjera, në Amerikën e Jugut, në Gjermani. Për shembull, do ta bëja me kënaqësi për Niçe, por jo një biopik. Vet ideja që një algjerian ta bëjë një film për Niçe më bën të shkrihem së qeshuri! Dhe mund të jetë një film rreth Algjerisë.

Na rikthejnë shumë në një pozicion të kineastëve magrebin. Jemi shumë në gjeneratën tonë që e refuzojmë këtë rol i cili do të ishte të dëshmojë, të debatojë, apo edhe të jemi ose folkloristë ose historianë dhe sociologë. Ndoshta Algjeria ka nevojë të flitet për të. Por për ta bërë sinqerisht, duhet bërë për veten. Mënyra më e mirë për të bërë drejtësi ndaj një vendi është të jesh në subjektivitetin më të plotë.

(Libération)

Në shqip: ObserverKult