Charles Bukowski: Uria

charles bukowski nëse, poesi observerkult
Charles Bukowski

Poezi nga Charles Bukowski

kam qenë i uritur shumë herë
por kjo për të cilën e kam fjalën
tash
ka qenë në Nju-Jork Siti,
nata po ia fillonte
e unë qëndroja përpara
vitrinës me fletë xhami të
një restoranti.
e në atë vitrinë
ishte një derr i pjekur,
pa sy,
me një mollë në gojë.
derr i mallkuar e i shkretë.
unë i mallkuar e i shkretë.
përtej derrit
aty brenda
njerëzit
rrinin në tavolina
bisedonin, hanin, pinin.
unë nuk isha njëri prej atyre njerëzve.
ndjeva një ngjashmëri me derrin.
neve na kanë zënë në vend të
gabuar
e në kohë të
gabuar.
e paramendoja veten në vitrinë,
pa sy, të pjekur, me mollë në
gojë.
kjo do ta afronte turmën.
“hej, s’paska pasur vithe fare!”
“duart i paska tepër thatane!”
“mund t’ia shoh brinjët!”
u largova nga vitrina.
shkova në dhomën time.
ende kisha dhomë.
derisa shkoja te dhoma ime
fillova të hamendësoj:
do të mund të haja pak letër?
pak gazeta?
bumballa?
mbase do të mund ta zija ndonjë mi?
mi të gjallë.
t’ia rrjepi lëkurën,
t’ia heq të përbrendshmet.
t’ia heq sytë.
të heq ngapak nga koka, bishti.

jo, ngase do të vdisja nga
ndonjë sëmundje e tmerrshme minjsh!

vazhdova të ecja.
isha aq shumë i uritur saqë çdo gjë
dukej e ngrënshme:
njerëzit, hidrantët, asfalti,
orët e dorës…
rripi im, këmisha ime.

u futa në ndërtesë dhe
ngjita shkallët për në dhomën
time.

u ula në karrige.
nuk e ndeza dritën.
u ula aty dhe pyesja veten se mos jam
i krisur
ngase nuk bëja gjë
që t’i dilja në ndihmë vetes.

atëherë më pushoi uria
e unë sall rrija aty.
e në atë çast e dëgjova:
dy njerëz në dhomën fqinje,
kopulonin,
mund t’i dëgjoja sustat e krevatit
dhe ofshamat.

u çova, dola nga
dhoma e u ktheva në
rrugë.
por kësaj radhe ecja në drejtim
tjetër,
ecja larg derrit
të vitrinës.
por mendoja në derr
dhe vendosa se më parë do të vdisja
se të haja atë
derr.

ia pat filluar të binte shi.
shikova lart.
e hapa gojën dhe i lashë do pika
shiu të futen… supë nga qielli…

“hej, shikoje atë dai!”
dëgjova dikë të thoshte.

bij bushtre të budallallosur, mendoja,
bij bushtre të budallallosur!

e mbylla gojën dhe vazhdova të
ecja.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: NJERIU MËSON