Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka e shkroi librin e saj, “Biri”, në momentin kur humbi të birin e saj. Libri është promovuar në Tiranë dhe kritika e ka vlerësuar lartë. Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, për “Express Intervistë” ajo ka thënë se pranimi i humbjes së fëmijës është një proces tejet i vështirë.
“Përveç episodeve të spitalit, që i pata të regjistruara në një ditar që mbajta asokohe, pjesa tjetër është shkruar e gjitha pas humbjes së të birit. Ka qenë proces i vështirë, si është e vështirë edhe pranimi i një humbjeje të tillë. Humbja e fëmijës është e papranueshme dhe e kthen kohën së mbrapshti”, ka thënë Açka.
Si ka thënë shkrimtarja, është një numër i kufizuar i veprash që trajtojnë një tragjedi të tillë.
“Ka letërsi të këtij zhanri, por shumë pak vepra merren me këtë lloj tragjedie. Sikur njeriu ka frikë t’i afrohet kësaj zone të errët të fatit, sepse është gjëja më e papranueshme që mund t’i ndodhë dikujt”, ka treguar ajo.
Açka po ashtu e ka shpalosur betejën e brendshme që e ka zhvilluar brenda saj.
“Një nga frikat e mia dhe çdo prindi është frika për ta humbur freskinë e kujtimeve… Kjo lufta midis nënës që ankohet dhe do që ta ndajë dhimbjen e vet, meqë ky nuk është qëllim në vete… është një dhimbje aq e madhe saqë nuk di të orientohesh në një humbje të tillë… pra kjo nevojë e nënës dhe nevoja për shkrimtarët për ta paraqitur atë në mënyrë që të mos shndërrohet në barrë për lexuesin, kjo ka qenë betejë”, ka thënë ajo, transmeton ‘koha.net’.
Si ka thënë shkrimtarja Açka, thelbi i këtij libri është vetë jeta.