Adem Demaçi: Vizita e papritur e nënës sime…

Adem Demaçi (26 shkurt 1936 – 26 korrik 2018)

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Adem Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ai u rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe.

Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë Ademit, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm.

Krahas krijimtarisë letrare, ai ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve.

Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap.

Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, “Jeta e re” falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit.

Ndërkaq, regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist.

Në nëntor të vitit 1958 Demaçi u arrestua në Prishtinë nga qeveria autoritare e Ish-Jugosllavisë, që udhëhiqej nga komunisti Josip Broz Tito. Pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”.

Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me Shqipërinë.

Qëndroi tri vjet në burg. Mirëpo, ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ndërsa, vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Prishtinë.

adem demaçi

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri i tij ‘Dashuria kuantike e filanit’:

...vizita e papritur e nënës sime…

Nuk shkoi as një javë nga dita që pata marrë aktakuzën, kur, një mëngjesi, sa kisha qitur peshqirin në qafë, kisha futur kutinë me sapun në xhep dhe kisha përgatitur qypin për të dalë në nevojtore , krisi shuli e u hap dera me rrëmbim dhe unë kapa qypin ri rëndom…

Jo, -tha gardiani, -lëre kibllën e dil shpejt jashtë!
Dola dhe u nisa kah nevojtorja, mirëpo gardiani prapë, tha:
-Jo andej, por kah dalja!
U fluga kah dalja duke menduar ç’ishte kjo nguti kështu. Gardiani më shoqëroi deri te zyrja e Momçillo Çanoviçit dhe iku. Moma më priste në këmbë.
-Dëgjo, -tha, -nëna jote na bëri telashe duke kërkuar të të shohë. Ne për hatrin e saj si nënë që është, e bëmë këtë lëshim edhepse, sipas ligjit, para gjykimit nuk lejohen vizitat. Ti, nuk e meriton, por ajo është nënë…
Ah, moj dhelpër mendova dhe nuk më erdhi aspak mirë që nëna kishte kërkuar që të më shihte. Kjo i binte si njëfarë përuljeje ndaj tyre.
Mirëpo…
U hap dera dhe hyri nëna. Ishte lodhur e ishte zbehur nëna ime, por nga fjalët ishte si gjithmonë. Unë e prita me fjalë jo të mira:
-Përse, moj nënë ke ardhur? A vetëm ti ke evlad, a?
-Me disa ëndrra u bëra pak si merak e thashë…
-Aktakuzën e kam marrë.
-Po, ka treguar daja-Ramë dhe ta ka zënë edhe avokatin. Njëfarë Kastriotoviqi a s’di si po i thonë…
-Millo Kastratoviq, avokat shumë i zoti…-ndërhyri Moma.
-A s’pat ndonjë tjetër moj nënë?
-Avokatët shqiptarë nuk po guxojnë me të mbrojtë, loke, prandaj.

-Hajërli qoftë, moj nënë! Por, nëse më dëgjon mua ti nuk vjen fare në gjykim….
-Përse, bir?!
-Paj, ndoshta mërzitesh e…
-Çfarë mërzie, -ngriti zërin nëna, -në konop me të qitë se nëna pesë pare nuk i jep!
Moma u mërdhez dhe u kall:
Mjaft! Vizita mbaroi !-Hapi derën dhe, duke u përmbajtur me mundim, i tha nënës: -Hallo, shko!
Pasi doli nëna, Moma m’i nguli sytë e kaltërt e tha si vetëmevete:
Tash e kam të qartë përse je ti i këtillë…
Përse? –Bëra sikur po habitesha.
Si, përse! A e dëgjove se çfarë të tha?

Çfarë tha? –unë prapë vazhdova me timen…
Lere, lere!-dhe e ktheu shqip: -Ta dish se unë e di shqipen ujë…He, nanën e ballistave jau shilofsha!…
-E , edhe më mirë pra që nuk paska pasë nevojë për përkthyes e edhe unë ia ktheva shqip : -Edhe unë nga ana ime, jau shilofsha nanat gjithë çetnikëve!…
Moma, i dalur menç nga zemrimi, shpejt hapi derën, më qiti në korridor dhe thirri me zë të lartë:
Roje, çoje!
Aty afër kishte pas qenë gardian Velku. Më vuri përpara dhe më pyeti me zë të ulët shqip:
Çka pat, bre, qaj?

Nana ia bani pak si tarllabuç…
Paj, nanë, bre nanë!-tha Velku dhe mbylli gojën e më grahu përpara.

(Shkëputur nga libri ‘Dashuria kuantike e filanit’ e autorit Adem Demaçi)

Përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

DHORI QIRIAZI: PO, IKE TI E MË S’U PAMË…

Poezi nga Dhori Qiriazi

Një ditë të pashë, mbillje lule,
u gjenda unë atje,
t’i buzëqeshe, u përkule,
prej tyre farë më dhe.

Megjithëse  dheu ish i ftohtë,
besim prap’kishe  ti,
se s’do t’i thante gjë në botë,
as dimër, as veri.

I mbolla lulet, ato mbinë
e zunë të hedhin shtat,
megjithëse frynte suferinë,
veriu si për inat.

Po ike ti e më s’u pamë
e pas ato i le;
u rritën lulet dhe u thanë
dhe dhanë farë të re.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult