Flasim përhanshëm me Adil Ollurin
Nga: Xhemazije Rizvani
Ç’do të thotë të jesh shkrimtar në Prishtinë?
E dashura Xhemazije, nëse dëshiron të të gënjej mund të të them se në Prishtinë është shumë bukur të jesh shkrimtar, sepse ngado që të shkosh njerëzit të njohin e të çmojnë; në secilin lagje të saj mund të takosh lexues të panjohur të veprës sate, që të ndalin dhe të përshëndesin; në shumë kafene të saj mund të hasësh njerëz që janë duke biseduar rreth ngjarjeve që i ke krijuar dhe të bëmave të personazheve të prozës tënde. Kjo është një gënjeshtër e bukur, të cilën nuk bën ta themi as kur jemi të dehur, sepse do të na merrnin për të shkalluar.
Si i mendon lexuesit lexuesit idealë të krijimtarisë sate?
Lexues idealë të prozës sime artistike i mendoj ata që bashkëndiejnë me të ndodhurat në rrëfimet që i krijoj, që bashkëndiejnë me fatet e personazheve të prozës sime. Jo çdoherë i preferoj lexuesit me përgatitje të lartë akademike, sepse ata jorrallëherë dinë të bëjnë hile dhe të mos e thonë atë që e ndjejnë dhe atë që e mendojnë. Një lexuese që pyet, që mendon, që reflekton pas leximit, është lexuesi im më ideal, pa marrë parasysh nivelin akademik të reflektimit të tij. Thjesht, do ta dëshiroja lexuesin që pyet, lexuesin kureshtar e të pasherr.
Për çfarë ndieni keqardhje më shpesh?
Më se shpeshti ndiej keqardhje kur nuk mund t’i ndihmoj njerëzit, atëherë kur ata kanë nevojë më së shumti.
Çfarë ju fyen më së shpeshti?
Unë fyhem nga shumë gjëra. Po t’ju tregoja këtu do të na shkonte gjysma e kësaj bisede. Megjithatë, javëve të fundit kam filluar të ofendohem nga studiuesit mediokër në Prishtinë, të cilët pa fije turpi më thonë troç se ende nuk t’i kemi lexuar tregimet dhe romanin tënd, por na pëlqen të rrimë e të llafosemi me ty, sepse je burrë për së mbari. Kjo është një nga fyerjet më të rënda që mund t’i bëhen një krijuesi. Përmes kësaj interviste, u bëj thirrje të gjitha mediokriteteve që të gjejnë ndonjë metodë tjetër për të qenë afër meje.
Kush janë shpirtrat e përzënë?
“Shpirtrat e përzënë” janë personazhet e romanit tim “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, i botuar tash së voni nga shtëpia e mirënjohur botuese “Onufri”, që është një markë tejet e vlershme e botimit të librit letrar. Një brend i editorësisë shqipe, që më ka nderuar mua dhe krijimtarinë time letrare. “Shpirtrat e përzënë” janë të frikësuarit, të shpërngulurit, të zakonshmit shqiptarë të Kosovës, që i përjetuan tmerret e eksodit gjatë luftës së fundit në vendin tonë.
Cilat libra i ke të shenjtë?
Unë lexoj dhe vlerësoj shumë vepra, por nuk e kam guximin ta cilësoj të shenjtë ndonjërën apo disa prej tyre. Cilësori “libër i shenjtë” vetëm dëme i ka bërë njerëzimit.
Në çfarë shpresoni?
Shumë pak shpresoj, shumë pak. Më shumë planifikoj. Jorrallëherë më dështojnë planet. Tash për tash, të vetmen shpresë e kam se ndoshta ndonjë ditë lexuesi shqiptar do t’i kthehet letërsisë shqipe.
A mendoni se jeni i ndryshëm nga shkrimtarët e tjerë shqiptarë?
Këtë gjë nuk mund ta them dhe nuk mund ta vlerësoj unë. Pres të ma thoni ju.
Ç’do të thoshin fëmijët tuaj për babain?
Ende janë të vegjël dhe ende nuk mund ta marr me mend se ç’do të mund të thonë pas disa vitesh për mua. Ndoshta edhe do të krenohen për mua, ku i dihet. Ndoshta edhe do të më thonë “bab’, ç’t’u desh të merresh me një punë kaq të pabereqetshme, me të cilën nuk mund të na i blesh celularin e modelit më të ri, ku i dihet. Ndoshta edhe mund të më thonë: “Bab’, pse t’u desh të merresh me një punë që të tensionte kaq shumë, me të cilën ke bërë më shumë urrejtës se dashamirë e miq, ku i dihet?!
Nga çfarë ke frikë?
Kam frikë se në të ardhmen fëmijët do të më thonë “bab’, a ke ndonjë mik në qeveri se nuk po mund të gjejmë punë askund”, ose edhe “bab’, a ke ndonjë mik në filan ambasade që të na mundësojë ta marrim vizën më lehtë e më shpejtë” ose edhe më e keqja fare “bab’, unë po largohem nga ky vend që ti dhe miqtë e tu nuk e ndërtuat dot”.
Ç’do të thotë të jesh krijues i sotëm?
Në një shoqëri që i respekton shkrimtarët vetëm kur të vdesin, më së vështiri është të jesh krijues i sotëm. Është vështirë, sepse ti je ende gjallë. Shqiptarët, me përjashtime të vogla, nuk e duan shkrimtarin. Më shumë iu pëlqen ta përkujtojnë në përvjetorët e tij jubilarë.
Ç’është për ju liria?
Liria për mua dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ndjesi. Liria për ne është identitet.
Si mund të shpëtojmë bashkërisht?
Ballkani në përgjithësi mund të shpëtojë bashkërisht vetëm nëse nuk i bën gabimet e së kaluarës. Shqiptarët duhet ta shohin veten si pjesë e bashkëveprimeve dhe paqes së përhershme në Ballkan. Ne këtu jetojmë, këta fqinj kemi, nuk mund ta ndryshojmë gjeografinë. Nuk mund ta vendosim as Kosovën e as Maqedoninë diku pranë Danimarkës apo Kanadasë. Duhet të jetojmë në paqe të përhershme me serbët, maqedonët, grekët, bullgarët, malazezët e të tjerët.
Çfarë ka të vdekur brenda nesh?
Nuk më kujtohet nëse ka qenë ndonjëherë e gjallë, sepse nuk jam edhe aq shumë i moshuar për të folur për të kaluarën, por ajo që mendoj se ka vdekur te njeriu i sotëm është empatia, kuptimi i nevojave dhe qëllimeve të tjetrit, ndjesia për tjetrin. Ka humbur ndjesia për të menduar për tjetrin si për veten. Kjo është e dhimbshme.
A mbijetohet me letërsi?
Me letërsi nuk mbijetohet, me letërsi jetohet. Ata që kanë qëllim parësor mbijetesën materiale e ekonomike përmes letërsisë, më mirë le t’u ngasin veturave të tyre në rrugë të tjera. Është një gjë e pamundshme edhe për vende më të mëdha e më të zhvilluara, lëre më për vende të vogla, si Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Në vende si tonat, një krijues mund t’i vjelë frytet materiale e ekonomike vetëm nëse arrinë ndonjë sukses të madh ndërkombëtar ose kur të jetë në një moshë të shtyre, kur paratë nuk i duhen edhe aq shumë, meqë atëherë më shumë i duhet shëndeti i plotë se sa kuleta e mbushur plot.
Për çfarë je penduar në jetë?
Gjatë javëve të fundit jam ndier i penduar që nuk jam bërë pjesë e kuazave për t’i bindur të rinjtë kosovarë që të mos shkojnë në luftëra të huaja, si në Siri e gjetiu në Lindjen e Mesme. Shumë të rinj shqiptarë të Kosovës janë vrarë në luftime të tilla dhe ne nuk kemi arritur t’i bindim që të mos mashtrohen nga klerikë të rrymave ekstremiste religjioze. Shkrimtarit nuk i falet heshtja përballë vdekjeve të të rinjve, që do të mund të ishin profesionistë e punëtorë të zotë në Kosovë.
Po të takoheshit me veten sy me sy ç’do t’i thoshit?
Po ta takoja veten time sy më sy do t’ia jepja dy porosi. Së pari, mos u bëj shumë i mirësjellshëm, sepse shqiptarët mirësjelljen e marrin për qyqarllëk. Së dyti, mos rri në një tavolinë me ata që nuk të respektojnë, madje as për kurtoazi. Nuk ia vlen. Jeta është e shkurtër për t’i duruar nebulozat dhe arrogancën e pabazë që prodhon mendësia provinciale.
Politika dhe ju?
Më pëlqen të qënit apartiak, por jo apolitik. Më shqetësojnë ndodhitë dhe problemet politike në Kosovë. Për të mos e zgjatur më shumë, e sotmja politike e vendit tim nuk të lë të jesh aq fodull dhe të thuash që mua nuk më intereson asgjë.
Në shtetin tënd ideal, si do të trajtohej një shkrimtar?
Në shtetin ideal shkrimtari respektohet, nuk trajtohet. Në një shtet ideal, shkrimtari do të duhej të respektohej si zë i fuqishëm intelektual, si një këshilltar moral i një shoqërie.
Kush është Adil Olluri?
Adil Olluri është shkrimtar. Tash për tash, është duke e shkruar romanin e tij të ri. Është një prozator që ka si qëllim ideal takimin me lexuesin vetëm përmes veprës, artit të tij të shkrimit. Por, ajo që më së shumti e vlerësoj te vetja është fakti se për asnjë çast nuk më venitet pasioni për ta lexuar letërsinë artistike. Është një vrull që nganjëherë më bën të lexoj, përpos veprave të arrira letrare, edhe aso veprash që nuk do t’ia preferoja askujt. / ObserverKult