Rekomandime leximi nga Xhemal Ahmeti

xhemal ahmeti rekomandime leximi

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir autorin Xhemal Ahmeti.

Ja cilat janë tri librat që Ahmeti u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

_____________

Para ca vitesh një mike më kërkoi t’ia përpilojë një listë librash e autorësh që ajo duhet lexuar patjetër para se të ikë nga kjo botë. Kështu – tekstualisht – kërkesa e saj. Pas një vërdalljeje të shkurtë internetit i gjeta ca lista. Asisoji që studiues të letërsisë i ofrojnë si kanonë kryeveprash universale. «Jo», tha, «këto i kam gjet moti». Po ç’a donë moj bijë? Ajo donte që t’i rekomandoj libra që kanë ndikuar në formimin tim e jo atë të historisë njerëzore. Nga frika që mos t’i rekomandoj do nga ato librat që mua për vite më shndërruan në shakmisës profesional metaforash e figurash fiktive të llojlloj subjekti [periudha kur shkruaja kritikë letrare], i rash me sy bibliotekës duke kërkuar rapsodë pozitiv, nga ato të tipit të Paolo Coelhos me shoqëri edhe shqiptare, doracakë pra për burra e gra që i kapë sërish puberteti – ai i mbi të dyzetave. Për fatin tim nuk shkoi një javë dhe ajo mikja fshiu profilin në facebook. Dikur e rihasa pastaj në profilin e burrit të saj. Ishte martuar. E lista? E lash. Për ta shkruar sot pas shumë viteve këtu në ObserverKult.

Nga Xhemal Ahmeti

Do t’i prezantoj këtu tri vepra, gjurmët e të cilave i shoh tash e dekada, saherë i sulem një teme, një disipline a një shkence. Struktura e përshkrimit të librit do jetë a) përmbajtja b) efekti në (de)formimin tim.

Albert Camus: «Miti i Sizifit» |Ese. 1942 [Origjinali: Le mythe de Sisyphe] | Lexuar në shqipe, frëngjishte dhe gjermanishte.

VEPRA – Camus na thotë të mos kërkojmë kuptimin e jetës në univers se do sorollatemi tërë jetën përreth diellit pa u ngrohur e rrezitur kurrë. Kërkuesit e këtij kuptimi të jetës i konsideron Camus subjekte bjerrafate, të formatit e tipit që nuk u mbetet kohë për të jetuar, ngase kërkojnë jetën, jo aty ku ajo është, por zonave fiktive e andej ku as ajo -– jeta – e as ai – kuptimi i saj – s’mund të jenë. Kur s’je pra, s’ke si ke esencë. Filozofi e njohur pra: pa ekzistencë s’ka esencë! Camus polemizon me këtë formulë flamurtare të ekzistencializmit [tipik] francez, duke hapur studimin me pyetjen: e çka është ajo esenca që i jep kuptimin ekzistencës?

Hiqni dorë nga kërkimi i kësaj përgjigjeje, sugjeron ai dhe kërkon që ta pranojmë fatin e dhënë [Absurdin] siç është që të mundemi të jetojmë të lumtur. Përndryshe ose vrasim veten ose kërkojmë strehim kështjellave prej letre metafizikave e religjioneve. Donë të thotë kjo përkthyer banalçe se sa më budalla që të jesh aq më i lumtur je? E mbyllim disputin me këtë pyetje, për arsye se qëllimi i këtij teksti nuk është ripërsërtija e fatit të mbretit të Korintit që shtyu tërë jetën atë monolitin majës së Zabelit, por arsyeja se pse kjo vepër është cezurale për mua. 

EFEKTI – «Miti i Sizifit» ishte vepra e cila m’i dha dy leksione të rëndësishme dhe të cilat kanë ndikuar në mënyrën se si unë shkruaj dhe argumentoj edhe sot e kësaj dite. Ajo më mësoi dy gjëra: 1. Se si instrumentalizohen, mobilizohen dhe organizohen dijet e përvetësuara [pavarësisht shkencës, disiplinës] në favor të një ideje, diskursi, teme sado absurde që të duket në fillim kauza dhe 2. Se pa guxim intelektual nuk duhet të përdhosish vëmendjen e agorave. Camus gjatë debatit të tij me konvencionet morale të kohëve implikon një kusht, një kërkesë: çarmatosjen nga çdo lloj oportunizmi; të detyron që gjatë krijimit ta shpërfillësh çdo sy të zgurdulluar drejt frymës tënde. Summa summarum: Camus të kallëzon se me dije mund të operosh suksesshëm vetëm si shpirt i lirë. Prandaj saherë përveshëm ta shkruaj një ese ia çoj një amin Camus-së.

Hermann Hesse: «Siddharta» |Prozë. 1922 [Origjinali: Siddharta: Eine indische Dichtung| Lexuar në gjermanishte.

VEPRA – Kështu siç ec jeta vërtet është absurde, e kotë, banale, i thotë dy dekada më herët vetes Siddharta, respektivisht autori Hermann Hesse. Për dallim nga Camus që rrëfimin e ilustron me mbretin fikitv antik të Korintit europian, Hesse nuk shërbehet me figurën heraklitiane «pantha rhei» çka edhe është esenca e  novelës «Siddharta» [simboli i fuqishëm i lumit], por bën biografinë në një kultursferë përtej oksidentit, orientit, ai ecë hinduzonave të lidhura aq ngushtë me sinodentin e profetëve të Taos [udha] e jo të Sein-it [Qenies, ekzistencës].

Siddharta, i biri një brahmani të pasur, i cili jeton si princ nuk është i kënaqur me vegjetimin e tij mbi ar, ushqime e privilegje. Në frymën e tij një flakë ia turbullon natën dhe e mban të lodhur ditës. Një ditë vendos të përlajë botën. Nuk pranon sugjerimin e algjerofrankut Camus, nuk donë të jetojë në paqe me Absurdin. Ai beson se nëpërmjet një jetë në askezë, në meditim do ta gjejë kuptimin e jetës dhe kështu  një ditë do ta prek me buzë e zemër aurën e të së vërtetës absolute. Duke udhëtuar mjerimit, varfërisë, vuajtjeve dhe sëmundjeve të kësaj bote ai ia del të thyej rrotën e inkarnimit të mërzitshëm që e lindë herë si qen, herë si mi e herë si njeri. Në fundet kur bëhet hiç shndërrohet në buddha: transformohet në profet të një mësimi që thotë se shpëtimi nga kjo botë e tmerrshme nuk është pranimi i absurdit; nënshtrimi total ndër këmbët e kësaj apo asaj perëndie, por përfundimi në hiç, në pluhur, në asgjë.

Donë Hesse të na nxijë botën edhe më shumë se Camus dhe gjithë kuajt tjerë intelektualë që s’shkruajnë dot pa na kërcënuar me kerberot e tyre apokaliptikë? Jo. Hesse duke përshkruar jetën e një asketi hinduist donë të na bindë se historia njerëzore e ka një të vërtetë megjithatë fondamentale: nuk ekziston receta për jetë të lumtur! Ky nuk e sheh absurdin tek jeta si tërësi, por diku tjetër: ai identifikon absurdin tek ata që kërkojnë kuptimin e kësaj jete duke u lidhur fanatikisht për një religjioni, filozofie apo cilësdo doktrine. Hesse apelon në përjetimin real të çdo çasti të jetës [si Epikuri], i cili është përherë i ri, botëndryshues, i gjallë, dinamik. Jeta është lumë pra – buzë të cilët kalon vitet e fundit të jetës edhe Siddharta i tij.

EFEKTI – Përveç orientit dhe oksidentit ka edhe sfera tjera kulturore të cilët duhet ecur patjetër. Libri ishte porta që më hapi kërkimin sinodentit (Azia juglindore), hindusferave, afrozonave. Gjatë leximit të këtij libri lexuesi – i cilit do kontinent a kulturosferë – kupton prezencën dhe burimin e paranojave, stereotipeve brenda tij dhe trastës së zbrazët në dije. Tjetri efekt që shkaktoi ky libër ishte edhe galeria e personazheve që në çdo metër udhës së Siddhartës shfaqeshin të paftuar në shënimet e mia: herë «Idioti» i shoqëruar nga «Gjeniu» hidhnin banane nga drunjtë për ta shtyrë Siddhartën të hajë; sa iknin ata shfaqej «Pater Sergei» me poza erotike duke ia lypur »Don Kishotit»; kur Siddharta ulej pranë lumit «Zhozef Fushe», «Kandidi», «Fausti» bashkë me «Guliverin» prakonin jahtën e tyre qëllimisht para tij dhe e ftonin në orgji. Novela shkakton masakër karakteresh. Ideja për zhanrin e psikogrameve të njerëzve publik më erdhi pas rileximit të kësaj novele.

Mervyn Peake: «Titus Groan» | Katralogji. 1946 – 1959 | Lexuar në anglishte.

VEPRA DHE AUTORI: Një pjesë të fëmijërisë Hesse e ka kaluar si fëmijë misionarësh në Indi, prandaj edhe lidhja e tij me kulturën e asaj sfere. Mervyn Peake ndërkaq fëmijërinë e ka kaluar në Kinë. Trilogjinë e tij mbi «Titus»-in [vepra e katër «Titus awake» i mbetet në gjysmë dhe i përfundohet nga Maeve Gilmore] e nis si përjetim shoku me kulturën, e cila gjatë qëndrimit në Kinë i ligjërohet nga prindit si superlative.

Romani zhvillohet në kështjellën «Gormenghast». Aty ku jetojnë bashkë njerëz, demonë, minj, lugetër dhe gjitha shëmtirat e kësaj bote. Secili lëviz korridoreve të errtë duke intriguar, mashtruar. Karakteret, për nga keqësia nuk i gjen as në purgatorin e Dantes, as si banditë social në Leviatanin e Hobbes-it e më hiç në komedinë njerëzore të Balzakut. Figura që çdo krim ndaj tjetrit e çdo përshtyrje ndaj jetës dinë ta lidhin me traditën, rendin dhe shtetin e tyre. Komedia e Peake është alegori therrëse e shoqërisë britanike të pasluftës.

EFEKTI – Ta parafytyrosh, përshkruash një kolektiv nga ana e errët e saj nuk është ndonjë zbulim i ri. Të njejtën gjë e bën edhe Camus. Gjersa Hobbes kolektivin mund ta parafytroj vetëm me një milic në krye – mundësisht ai të jetë përbindësh [shteti, Leviatani] dhe Dante botën e këndej e andej mund ta pasqyroj vetëm sipas shablonit të religjionit, Peak [ndoshta në formë hakmarrjeje ndaj prindërve] përqendrohet tek lindja e Titusit në një kështjellë të tillë. Peak i përbashkon gjitha aspektet e programit kulturor britanik në një konglomerat komik dobësish, me të cilat do të rritet dhe edukohet Titus: si zombi, imitat i rrethit ku formohet! Ose ai dikur zgjohet [«Titus awake»] dhe i jep shkelmin edukatës programike e formëpandemike dhe … Peak vdes para se Titus të tregoj se si a doli. Megjithatë lexuesi, që nga libri i parë e di mesazhin: edhe po linde në një kolektiv si ai i kështjellës «Gormenghast» apo edhe në ndonjë «pallat» si ai ku lindi Siddharta. Pa u shkundur, pa u vënë në kërkim të unit, s’ka liri, s’ka autonomi, s’ka subjekt.

Për lexuesit me origjinë nga shoqëritë me kulturë ku je e ngjitesh vetëm si pjesë kolektivi e mbaron keq po tentove ta luash individin, vepra e Peak është më se shëruese. Ajo është fenomenale edhe për të ikur nga gjendja e Sizifit të Camus-së dhe ajo vuajtësja e Siddhartës: ngase të ngarkon me një udhë, me një luftë, me një detyrë; çlirimin e vetes dhe gjetjen e lirisë personale. Një mision që pakkush e përfundon për shkak të jetës së shkurtë, mirëpo se dinamika e një jetë ec keq apo mirë ka të bëjë edhe me natyrën e udhës: nëse kërkon lirinë do të gëzohesh me çdo simptomë paraardhëse të saj, nëse kërkon luftën padyshim se në ndonjërën nga betejat e shumta humb veten para se ta shohësh diellin.

ObserverKult

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA BALLSOR HOXHA