Adil Olluri: Panairi i ëndrrave

Në fshatin tonë të vogël, ndër më të vegjlit në rrokulli, për çdo vit vinin shitës të pazakonshëm nga vende të ndryshme të botës. Ata nuk shisnin askund tjetër, pos në fshatin tonë, që shtrihej rrëzë një kodre të vogël, ndër më të voglat që ka mundur t’i shohë syri i njeriut. Ky sy nuk do të mundë të shohë asgjë madhështore në këtë fshat, pos shtëpive përdhes dhe rrugëve të ngushta, thuajse dhiare, që as dy cjep nuk mund të kalonin, po t’u binte të ecnin brinjas njëri-tjetrit. Këtu, jo vetëm shtëpitë dhe rrugët, por edhe njerëzit janë të vegjël, e, më i gjati prej nesh është Saliu, i cili për dhjetë centimetra më shumë ma sfidon gjatësinë time njëqind e nëntëmbëdhjetë centimetërshe.

            Ndoshta u kam thënë edhe më parë se ky fshat dhe njerëzit e tij ishin, si të themi, të harruar edhe nga vetë Zoti, të lënë anash në një cep të humbur të vendit, ku rrallëkush, e herë-herë edhe askush, nuk hynte në të, pos shitësve që nuk ngjanin në sojin e tyre. Ata shisnin ëndrra, një mall të pazakontë, që nuk shitej askund tjetër, pos te ne. Të pazakonshmit shitës vinin zakonisht për çdo vit, në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, me datën gjashtë të muajit të gjashtë dhe fillonin tregun e tyre në orën gjashtë të mëngjesit, dhe sipas statistikave të tyre, gjatë gjashtë viteve të punës, kishin shitur gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë ëndrra. Ata tregun e tyre e quanin panair, një fjalë e padëgjuar më parë në fshatin tonë.

Kishte ëndrra të ndryshme në këtë panair, nga më të lirat e deri te ato më të shtrenjtat, që po t’i blije me vullnet, nuk shkonte shumë kohë dhe ato bëheshin realitet. Pak ëndrra të blera, tepër pak, ndodhnin që të mos realizoheshin dhe ato blerësit kishin të drejtë t’i ndërronin me ëndrra të tjera, meqenëse shitësit e huaj e kishin parim pune që të mos i kthenin paratë dhe fshatarët i bindeshin kësaj rregulle. Njerëzit tanë blinin ëndrra nga ato më të  çuditshmet e deri te ato që nuk kishin ndonjë veçanti për t’u theksuar. Ata blinin ëndrra që kishin të bënin jo vetëm me veten, por edhe me jetën e të tjerëve. Ëndërronin dashurinë e tyre, por edhe prishjen e dashurive të të tjerëve, ëndërronin pasurinë e tyre, por edhe zhbërjen e pasurive të të tjerëve. Mbaj mend që Selimi, para disa viteve kishte blerë një ëndërr për t’i ndarë Arsimin dhe Besartën dhe pas gjashtë muajve çifti ishte ndarë, dhe po i njëjti Selim, pas një viti, kishte blerë ëndrrën për ta bërë për vete këtë vajzë dhe e kishte bërë. Njashtu, mbaj mend që Hamdiu kishte blerë një ëndërr që të mos rritej më pasuria e Fazliut dhe që nga ajo ditë ky i fundit nuk ia kishte parë hairin zanatit të tij. Ëndrrat për të tjerët kushtonin më lirë dhe fshatarët tanë, duke qenë të varfër, i blinin ato më shpesh.

Dhe një ditë prej ditësh, kur afrohej ardhja e sërishme e shitësve në kohën e tyre të zakonshme, fshatarët kishin rënë në hall se çfarë ëndrra duhet të blejnë këtë vit, pasi që shumë ëndrra të shprehura, apo edhe të mbyllura në shpirtin e tyre, tashmë i kishin blerë. Çka duhet të blejmë, çfarë gjëje u kishte mbetur ende pikë në zemër; të blejnë apo të mos blejnë fare këtë vit…!? Këto ishin shqetësimet e tyre, që i linin pa ngrënë e pa fjetur, ngaqë nuk ia gjenin fillin kësaj dileme. Një shqetësim i tillë “të blesh a të mos blesh” nuk më pat kursyer as mua e as dy miqtë e mi më të mirë, Aliun dhe Saliun. Tërë ditën na kapluan mendimet se çka të bëjmë, derisa Saliut, që ishte dhjetë centimetra më i gjatë se unë, i shkrepi mendja dhe foli.

–  Po sikur ta blejmë një ëndërr që na takon të gjithëve dhe secilit veç e veç?! 
–  Si mund të bëhet kjo? – pyeta unë me mëdyshje.
–  Paj, si të ta them… Duket sikur….
–  Thuaje de, si? – ngulmoi Aliu.
–  U kërkojmë të na i shesin një ëndërr që na i zmadhon trupat tanë. 
–  Oouuu! – u çudit Aliu.
–  Boll më jetuam si trupshkurtër. Nuk duhet të jemi ndryshe nga e gjithë bota kur shumë lehtë mund të jemi si ta. Sot e kemi mundësinë. O tash, o kurrë! – foli Saliu me një ton revoltues, të cilin nuk e kisha dëgjuar asnjëherë nga ai.

Ne të tre morëm përsipër dhe ndamë detyrat për t’i bindur fshatarët se kjo është ëndrra më e mirë dhe më e vlefshme për t’u blerë. Në fillim na pritën me dyshim, madje kishte sosh që e vrisnin mendjen se a mund të ndodhte një gjë e tillë, a mund të ishim edhe ne trupgjatë si tërë bota. Por, më shumë probleme se sa me ata që hamendësoheshin, patëm me ata që kundërshtonin apriori, duke na i përplasur fjalët turinjve. “Unë nuk dua të jem si krejt bota, ç’më duhet mua shtatgjatësia”, tha prerë Xhemshiti, i pari i mëhallës së Kadriajve. Vështirësinë më të madhe për t’i bindur e kishim me gratë që besonin se kjo ëndërr do t’i rriste vetëm trupat e burrave dhe jo edhe trupat e tyre, kështu që të shkretat kishin frikën se burrat e trupzmadhuar do t’i braktisnin ato dhe do të vraponin pas grave të fshatrave dhe qyteteve të tjera. Më kundërshtuesja ndër to ishte Hajria, e cila, siç thuhej nëpër fshat, u kishte thënë grave që assesi të mos i lejonin burrat ta bëjnë një gjë të tillë, ngase, siç e kishte dëgjuar diku fakirja, me zmadhimin e trupit burrave u zvogëlohej aleti i tyre mashkullor. “Mund t’u bëhet sa një lyth”, flitej se u kishte thënë grave në një mbledhi të tyre. Ajo nuk mund ta paramendonte që Ferizi, burri i saj, të ishte trupmadh e aletvogël, gjersa ishte bindur po nga burri i saj se ai ishte marrë vesh me burrat e tjerë të fshatit që të kërkojnë nga shitësit pikërisht ëndrrën që i bën zmadhimet paralelisht.

            Ishte tejet e vështirë t’i bindnim të gjithë fshatarët, por pas shumë përpjekjesh të pandërprera, ia arritëm qëllimit tonë dhe një ditë para se të vinin shitësit në fjalë, të gjithë ishim të një goje. Ramë në ujdi që nesër të gjithë, burra e gra, të dilnim bashkërisht pak para orës gjashtë të mëngjesit te shitorja e Demës, ku ata ndaleshin zakonisht, dhe ashtu siç u morëm vesh ashtu edhe dolëm, pikërisht dhjetë minuta para orës gjashtë, kur hëna veç ishte fshehur përfundimisht në strofullin e saj dhe dielli, i molisur nga gjumi, na përshëndeste ftohtë me rrezet e tij. Ne i vërejtëm shitësit e ëndrrave duke ardhur, të cilët me siguri se do të jenë befasuar kur na panë të gjithëve bashkë. Ishim të ndarë ashtu si në taborë në atë ag mëngjesi, sa që, po ta shihte dikush i panjohur atë pamje, do të mendonte se do të fillonte një betejë shpatash mesjetare mes të dy palëve. Kur u afruam dhe u ngjatjetëm, dikush nga ne u tha atyre se këtë vit e dëshirojmë vetëm një ëndërr dhe unë me miqtë e mi ua shpjeguam të huajve se për çka bëhet fjalë. “Ne nuk shesim asnjë ëndërr të tillë”, na u arsyetua njëri nga shitësit më të vjetër. Por, fshatarët protestonin, shanin e u bërtisnin shitësve të ëndrrave, gjersa këta të fundit i qetësuan duke u thënë se do të ktheheshin brenda pak ditësh bashkë me ëndrrën e tyre nënsqetull.

I pritëm të nesërmen e të pasnesërmen me orë të tëra, i pritëm një javë e dy javë ditë rresht, por nuk erdhën. Thamë se ndoshta do të vijnë vitin e ardhshëm dhe i pritëm në kohën e tyre të zakonshme, por nuk pamë asnjë shenjë të tyre. I pritëm edhe pas dy vjetëve e tri vjetëve, por ata nuk erdhën më.

ObserverKult