
Sa jetë të mundshme janë fikur
me këtë vdekje të skamë e të vocërr,
sa jetë të mundshme, që fati
do t’ia truajë kujtesës a harrimit!
Kur të vdes unë, do të vdesë një e shkuar;
me këtë lule një e ardhme ka vdekur
në ujët shpërfillës, një e ardhme
e hapur, e zhbërë prej yjve.
Unë, si ajo, i vdekur për të pafundmet
fate, që rasti s’m’i truan;
hija ime qëmton të gjitha mitet e pajeta
të një atdheu prore trim.
Një rrasë mermeri ruan kujtimin e saj;
sipër nesh shquhet, mizore, historia.
Përktheu: Azem Qazimi
*Titulli i origjinalit: “Në kujtim të Angjelikës”
ObserverKult

Lexo edhe:
JORGE LUIS BORGES: LIBRI ËSHTË ZGJATIM I KUJTESËS DHE IMAGJINATËS!
Ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim është libri. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i pamjes; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës.
Nga Jorge Luis Borges
Në librin “Cezari dhe Kleopatra”, Bernard Shaw thotë për bibliotekën e Aleksandrisë se ajo është kujtesa e njerëzimit. Por libri ka diçka më tepër. Ai është edhe imagjinata e tij. Sepse a nuk është e kaluara jonë një seri ëndrrash?
Ç’ndryshim mund të ketë midis kujtoj ëndrrat dhe kujtoj të kaluarën. I tillë është funksioni që kryen libri.
Njëherë kam menduar të shkruaja një histori të librit. Jo për pamjen e tij fizike. Nuk më intereson aspekti fizik i librave (sidomos i bibliofilëve që e teprojnë), por më interesojnë vlerësimet që janë dhënë për librin. Përpara meje e ka bërë Spengler-i tek vepra “Perëndimi i Oksidentit” ku ka ca faqe të mrekullueshme për librin. Duke u shtuar atyre ndonjë vëzhgim timin, unë kam ndërmend të mbetem në ato që thotë Spengler-i.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult