Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari, Adil Olluri.
-Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Me ta mbaruar shkollën fillore në mes të vitit 1998, pikërisht në kohë lufte, i nxitur nga vlimet, rrethanat dhe muzika atdhetare, shkruaja vargje e strofa me motive lufte e atdhetarie. Vargje dhe poezi nën mesatare, gjithsesi, meqë nuk i kam afishuar e as përmendur ndonjëherë. Këtë mund ta cilësoj si takim të parë me letërsinë.
Ndërsa, takim të vërtetë me letërsinë kam pasur gjatë shkollimit të mesëm, kur krejt rastësisht u njoftova me profesorin e ndjerë të regjisë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, të papërsëritshmin Fahri Hysaj, i cili më dhuronte romane të njëmendta nga letërsia shqipe dhe botërore.
Unë isha nxënës në qytezën e Shtimës dhe ai jetonte aty. E kam thënë edhe diku tjetër se ai është “fajtori” që unë iu përkushtova seriozisht letërsisë. Kishte vërejtur një shkëndijë te unë, më dhuronte vepra, romane në të shumtën e kohës, më nxiste t’i komentoja, më pyeste se ç’kam kuptuar e ç’kam pëlqyer në to. Këtu nisi rruga ime letrare dhe shkollimin e mesëm për mjekësi doja vetëm ta kryeja, ta hiqja qafe orë më parë. Me një fjalë, ai është “fajtori” që shqiptarëve ua dha edhe një shkrimtar.
Pra, mund të them se unë nuk jam shkrimtari që u dashurua në letërsinë në “takim të parë”. “Takimi i dytë”, i pajisur edhe me kureshtjen e leximtarit, ma dha ëndrrën, dëshirën dhe vullnetin për t’u futur në një botë që shkëlqente në sytë e mi.
-Kur ratë në “grackën” e saj?
Sa herë lexoja një roman që më pëlqente, vetëm sa sharroja edhe më thellë në “grackën” apo “kurthin” e letërsisë. Si shkollar, i mirësjellshëm, por jo gjithherë i qetë, ëndërroja ta shkruaja edhe unë një të tillë. Dorën në zemër, ëndërrime të tilla kam edhe sot. Shkrimtari është qenie ëndërrimtare, e përhershme dhe e pandryshueshme. Gjithnjë ëndërron ta bëj më të mirën, më të bukuren, më idealen.
– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
Vitet 2006 dhe 2007, kur i botova shkrimet e para në revistën letrare “Fjala”, që drejtohej nga profesor Kujtim Shala, më dhanë shtysë për ta menduar veten si shkrimtar. Ishin çastet kur njeriu thotë edhe ti di, ti mundesh, ti do të jesh.
– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
Natyrisht, secili shkrimtar ia bën dhe duhet t’ia bëjë vetes këtë pyetje. Unë shkruaj sepse e dua shkrimin, e bëj me dashurinë me të madhe, dua ta vazhdoj ëndrrën e nisur të një shkrimtari për ta bërë një botë të ndryshme prej asaj që e sheh dhe e jeton njëmendësisht. Shkruaj për të thënë atë që është e ndryshme, e çrëndomtësuar, që nuk mund të thuhet ndryshe, pos përmes shkrimit letrar.
– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
Nuk është pyetje që mund t’i përgjigjem vetë. Ata që më kanë lexuar mua dhe të tjerët mund ta japin një mendim rreth kësaj. Ndoshta edhe kjo mosgatishmëri për t’u përgjigjur për veçantitë e shkrimtarisë sime më dallon prej të tjerëve.
-Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
– Kam shkruar për njeriun, njerëzoren dhe plagosjen ose vdekjen e saj të përkohshme e të përhershme. Kam shkruar për frikën me të cilën njeriu është i ngjizur përherë. Kam shkruar për vdekjen për të cilën njeriu mendon çdoherë. Njeriu është pika kryesore e shkrimtarisë sime.
– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Çdoherë ka nevojë të thuhet, të flitet për diçka e shumëçka. Ne mund të flasim me mënyrat e shprehitë tona për gjërat që i kanë folur paraardhësit tanë, baballarët dhe gjyshërit tanë, njëjtë siç mund të bëjnë edhe bijtë dhe nipat tanë. Çdo kohë i ka hallet dhe pyetjet e saj dhe nuk mendoj se ka tema të shteruara për të cilat shkrimtari nuk bën më të shkruaj, sepse iks shkrimtari i madh ka thënë mjaftueshëm për këtë a atë çështje.
– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Është pyetje e vështirë dhe sot nuk jam i përgatitur për t’iu përgjigjur. Më duhet më shumë nxitje, frymëzim, për të punuar pareshtur në përgjigjen e mundshme që mund t’ia jap kësaj pyetje. Është çështje e ndërlikuar kjo gjë. Ndoshta mund ta bisedojmë një ditë tjetër. Kërkoj ndjesë!
– Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Kur kam nxitje shkruaj në orët e mëngjesit jo edhe aq të hershëm. Zakonisht shkruaj nga ora tetë deri në orën dhjetë të paradites. Nuk mund të shkruaj në mesditë dhe në mbrëmje. Më pëlqen të shkruaj në kafene dhe nuk mund ta hedh as edhe një rresht në zyrën apo shtëpinë time.
– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Sërish do të më thërriste një zë i fatit jetësor për të hyrë në këtë rrugë. Nuk besoj që do të më “donin” zanatet e tjera.
ObserverKult
Lexo edhe: