Adil Olluri: Tender për transport kufomash

Rrija tërë ditën duke e pritur vdekjen e dikujt. Ajo më ushqente. Jetoja në kurriz të saj. Po të mos vdiste askush nuk e di se ç’do të bëja. Do të më falimentonte biznesi, po qe se një ditë do të vendosej që asnjë njëri të mos vdiste. Zoti është i mëshirshëm. Kujdesej për të gjithë nevojtarët. Madje, edhe për mua që i fërkoj duart kur vdes dikush.
            Rrija me orë të tëra në oborrin e spitalit për ta pritur vdekjen e ndonjë pacienti. Kishte ditë që vdisnin deri në dhjetë veta, por kishte edhe ditë që nuk vdiste askush. Ditët e tilla më mërzisnin. Diçka nuk po shkon ashtu siç duhet, mendoja me vete. Edhe pse ditët pa vdekje qenë jashtëzakonisht të rralla, prapëseprapë nuk më pëlqenin aspak.
         Para dy vjetësh e themelova një kompani për bartje kufomash, të cilës ia vura  emrin “Edeni”. I pata mbaruar studimet për filozofi, por në pamundësi për ta gjetur një vend pune, iu rreka këtij biznesi. Fitoja aq sa fitonin dhe tre konkurrentët e mi, të cilët, sikur unë, prisnin radhën për ta marrë me vete të vdekurin e tyre. E respektonim njëlloj rendi. Nuk ia merrnim të vdekurit njëri-tjetrit. Secili e priste radhën e vet. Mua më binte i vdekuri i katërt. E bëmë me short dhe atë e respektuam. Nuk u grindëm asnjëherë, si rëndom bëjnë konkurrentët e së njëjtës fushë.
            Çdo gjë shkonte sipas një rregulli të vendosur deri në çastin e shpalljes së atij dreq tenderi. Kjo na përçau si mos më keq. Secili mendonim si ta fitonim dhe të zgjidheshim kompania e vetme që do t’i bartte të vdekurit.
– Unë jam më i vjetri në këtë punë. Unë kam më së shumti përvojë.  Unë e meritoj fitoren!- na thoshte me plot bindje Bedriu i kompanisë “Xheneti”. Bënim sikur e mirëkuptonim. Nuk donim t’ia prishnim, përkundër se të gjithë mendonim se ishim meritorë për ta fituar atë tender që na zuri gafil, të papërgatitur. Nuk na pat shkuar asnjëherë ndërmend se dikush mund të shpallte tender për transportim kufomash.
– Çka ka lidhje që është më i vjetër në këtë punë? Nuk është kriter ky. Me rëndësi është kush i ka kushtet më të mira. Kush i ka veturat në gjendje më të mirë – reagonte Mehmeti i kompanisë “Udha e xhenetit”. Reagonte ndaj Bedriut kur ai nuk ishte mes nesh. Reagonte gjithnjë pasi që Bedriu e merrte të vdekurin e tij. E kishte turnin e tij. Mehmeti e sipërtheksonte klimën e veturës si përparësi të tij, thuajse i vdekuri mund të mërdhinte gjatë dimrit dhe të djersinte gjatë verës.
            Edhe Mehmetin bënim sikur e mirëkuptonim. E linim të shkretonte në të veten, duke i lavdëruar pacipërisht përparësitë teknike të makinës së tij.
– Nuk është në rregull të shpallet vetëm një fitues. Hajt, po e zëmë që fituesi është mysliman. Atëherë kush i bart të vdekurit e krishterë? – reagonte Frroku i kompanisë “Një hap drejt parajsës”. Reagonte gjithnjë pasi që Mehmeti nuk ishte mes nesh. Pasi që ai kishte radhën për ta marrë të vdekurin e tij dhe Bedriu ende nuk ishte kthyer. Vetëm unë nuk i shprehja haptas synimet e mia, edhe pse, dorën në zemër, do të doja të isha i vetmi që do t’i merrja të gjitha fitimet e këtij biznesi.
            Ky tender jo vetëm që na kishte zënë të papërgatitur, por edhe na nxori të keqen që kishim brenda vetes. Nuk do të besonim se mund të vinte një ditë kur do të mendonim se si të fitonim vetëm për vete dhe tre të tjerët t’i linim në rrugë. Më joshte fitimi i majmë, por nuk mund ta imagjinoja se si mund t’i plakja ditët pa Bedriun, Mehmetin dhe Frrokun. Por, ja që virusi i kapitalit e mposhtka solidaritetin dhe njeriu nuk shihka gjë pos qëllimit vetjak. Ndoshta ata të tre as që i kanë menduar këto që po i them unë. Ndoshta vetëm kanë aplikuar dhe të gjithin e kanë parë vetëm si proces normal, në të cilin më i forti doemos do të duhej të mbijetonte. Ndoshta i janë nënshtruar vullnetshëm ligjit të pashkruar të natyrës, sipas të cilit i forti bëhet gjithnjë e më i fortë, ndërsa i dobëti mbetet gjithnjë i dobët.
            Prej kur është shpallur ai i përdreqtë nuk kemi pirë kafe të katërtit së bashku. Ndoshta ndiheshim të tepërt për njëri-tjetrin. Filluam të mos e honepsnim njëri-tjetrin. Prania e njërit ishte e padurueshme për tjetrin. U përpoqa t’i mblidhja sërish të gjithë dhe të pinim e të rrinim të katërtit si më parë, por qe e pamundur. Tashmë gjithçka kishte ndryshuar.
            Ditën kur dolën rezultatet përfundimtare të tenderit isha duke pirë kafe i vetëm. I vendosën në derën e parme të spitalit. Ecja fluturimthi për të parë se ç’do të shkruante në atë njoftim. Do të isha unë fituesi apo jo? Vetëm kjo pyetje më mundonte gjatë ecejakeve të mia drejt portës së spitalit. Më fanitej emri im si fitues dhe emri i tre konkurrentëve të renditur njëri pas tjetrit.
            Me të arritur te porta, u shtanga krejtësisht. Ç’të shihja?! Nuk ishte emri im fituesi. Shih se mos ishte Bedriu, nuk ishte as ai. Mehmeti nuk ishte. As Frroku nuk ishte. Fitues doli krejt dikush tjetër. Një emër që nuk e njihja e nuk e njihte asnjëri prej tre konkurrentëve, që fill pas meje e sollën shtatin e tyre te porta e parme.
– Do të ankohem! Do të ankohem! – bërtiste Bedriu.
– Si mund të fitojë dikush që nuk e ka asnjë ditë përvojë pune në këtë zanat?! – shfaqte habinë Mehmeti.
– Ilir Karaj. Shërbime funerali “Atdheu”. Kush mund të jetë ky, more burra?! – befasueshëm dhe shqetësueshëm pyeste Frroku.
            U ankuam të katërtit aty ku duhej ankuar. Na dhanë disa letra t’i mbushnim. Formalitete hesapi. Aty e mësuam se kush ishte Ilir Karaj. Ishte nipi i Abdyl Karajt, deputetit dhe të të fuqishmit të qytetit. I kishte punësuar të gjithë anëtarët e farefisit të tij. Vetëm djali i vogël i vëllait i kishte mbetur pa u angazhuar kund. Dhe ja, politikani që nuk denjonte të bënte dallime mes familjarëve, qe kujdesur edhe për të, vetëm e vetëm që të mos ndihej keq nipi i tij. Vetëm e vetëm sa për të mos u shëtitur rrugëve kot së koti, u kishte thënë miqve të tij, deputeti i nderuar, në përpjekje për ta arsyetuar ndërhyrjen e tij në tenderin për transportimin e kufomave.
– Nuk do ta lëmë me kaq! Edhe në gjykatë do të ankohem- u bërtiste Bedriu nëpunësve të zyrës së ankesave. Të gjorët vetëm i rrudhnin krahët dhe nuk dinin ç’të thoshin. 
– O me gjyq, o me kanun do ta zgjidh këtë punë! Marre i qoftë atij shejtani që e bëri një gjë të tillë! – e shfrynte mllefin Mehmeti duke mos i zgjedhur fjalët.
– Ne nuk kemi faj! Ne vetëm i kryejmë procedurat! – përpiqej të shfajësohej nëpunësja më e vjetër e zyrës së ankesave. E vetmja që ende rrinte në këmbë dhe i dëgjonte palët që ankoheshin, ndërsa të tjerët uleshin dhe vazhdonin punën në kompjuterët e tyre. 
– Marre i qoftë, për besë! Ani thotë se vazhdimisht mendon për punësimin e secilit njeri që mund të punojë. Më mirë të thotë “secilit familjar timit” – shfrynte Frroku para surrateve të zyrtarëve që realisht nuk mund të bënin gjë. Edhe po të donin nuk mund t’i bënin derman hallit të tij.
            Ankimi ynë nuk qe dobiprurës. Nuk ndryshuam asgjë. Nuk shkoi as një muaj i plotë dhe na u desh ta lëshonim oborrin e spitalit. Ilir Karaj i “Atdheut” do të ishte zot i kësaj pune tash e tutje. Gjersa mixha i tij i bartte kudo e ngado në hullitë e tij politike trupat e të gjallëve, nipi i tij përkujdesej që as trupat e të vdekurve të mos iknin nga përkujdesja familjare e Karajve, që qenë shndërruar në zotë të vendit dhe të kuvendit në qytet.
– Nuk do ta gëzosh këtë punë! Zoti është i madh! – iu drejtua Ilir Karajt Bedriu, teksa dilte nga oborri. Ky i fundit vetëm nënqeshi dhe nuk ia ktheu asnjë fjalë.
– I padrejtë! Si rrufe qielli do të të godasë loti i fëmijëve të mi – foli i mllefosur Mehmeti, por as këtij Ilir Karaj nuk iu kundërvu me as me të vetmen fjalë.
– Lotët e fëmijëve tanë janë lot të Krishtit, por ju nuk njihni as Krisht e as Zot – reagoi Frroku, por as këtë, sikur dy të tjerët, Ilir Karaj nuk e denjoi për kacafytje verbale.
            Unë, si gjithnjë, nuk e fola asnjë fjalë edhe kësaj here. Vetëm bëja sehir dhe çuditesha se si humbja i bashkonte njerëzit. Humbësit gjithmonë janë më të gatshëm për t’u unifikuar. Fituesit nuk e kanë këtë hall. Tre ish-kolegët e ish-konkurrentët e mi, që deri para pak kohe përpiqeshin t’ia merrnin punën njëri-tjetrit, sot ishin bërë të një goje. Zaten, njerëzit me hallet e njëjta edhe fjalët e njëjta i kanë.
            Lajmi se kompania e nipit të Abdyl Karajt do të ishte e vetmja që do t’i bartte kufomat nuk u prit mirë në qytet. Njerëzit shanin e ofshanin sa herë që binte kjo bisedë. Qenë skandalizuar nga një vendim i tillë. Nuk do ta besonin që politika do t’i fuste hundët edhe te të vdekurit. Kjo ishte e padrejtë dhe e padurueshme për ta. Qenë të indinjuar sa më s’ka.
– Mjaft janë tallur me ne! Nuk duhet t’i lejojmë të tallen edhe me të vdekurit tanë – më thoshte një ditë fqinji im, i cili përpiqej të më ngushëllonte.  
– Kjo është e tepërt! Edhe te të vdekurit na u përzien largqoftit! – më thoshte shitësi i
marketit më të afërm të banesës sime. 
Udhëheqësi i opozitës së qytetit i ftoi qytetarët në një protestë të madhe para spitalit. Nuk dolën më shumë se dyqind veta. Kur e pashë atë numër aq të paktë të njerëzve në një protestë të tillë, mendova se përkrahja për ne humbësit e mëdhenj paska qenë vetëm gojore. Vetëm sa për të thënë. Vetëm për ngushëllim.
– Ne nuk do t’i lejojmë t’i nëpërkëmbin as të gjallët e as të vdekurit tanë! Kur të vijmë ne në pushtet, do t’ia kthejmë dinjitetin të gjallëve e respektin e munguar të vdekurve. Me këta në pushtet, të gjithë jemi të vdekur që ecim! – fliste e bërtiste opozitari i rëndësishëm, të cilin përkrahësit e tij e duartrokisnin dhe ia thërrisnin emrin e mbiemrin në çdo të dytën fjali që e përfundonte.
            Por atë që nuk e bëri kryeopozitari e bëri dikush tjetër. Kryeimamii qytetit e bëri atë që nuk mund ta bënte asnjë politikan i madh, i mesëm apo i vogël. I mobilizoi dhe i nxiti të gjithë qytetarët në veprim. Në dersin e namazit të xhumasë, ai kishte lëshuar një thirrje.
– Është haram t’i bartim trupat e të vdekurve tanë me një kompani të ngritur përmes mashtrimit. Të ngritur përmes mashtrimit të xhematit dhe ymetit të pejgamberit Muhamed a.s. – pohonte dhe bënte me gisht imami. Edhe unë, si çdo të premte, isha në namazin e xhumasë. I gjithë xhemati e mirëpriti fjalimin e imamit dhe në shenjë pohimi ia bënin me kokë njëri-tjetrit.
– Ai që pranon ta bart trupin e familjarit të vdekur me mashtrues të tillë, hyn në gjynah me shpirtin e meitit. Allahu i shton ose i zbret sevapet e të vdekurit edhe për shkak të gabimeve dhe lutjeve tona për të! – e përfundoi dersin e xhumasë kryeimami dhe namazlitë dolën nga xhamia më të acaruar se kurrë.
            Të nesërmen askush nuk e barti kufomën e familjarit të tyre të vdekur me kompaninë “Atdheu”. Kështu ndodhi edhe të pasnesërmen. Kështu vazhdoi për një javë rresht. U bë kaos në morg të spitalit, kaos në qytet. Morgu nuk kishte më vende për të vdekur të tjerë, qytetarët nuk mund t’i varrosnin të afërmit e tyre. Qytetarët kërkonin largimin e “Atdheut” dhe rikthimin tonë brenda oborrit të spitalit, si kusht për normalizimin e gjendjes. Krerët institucionalë as që donin të dinin për kërkesat e banorëve të qytetit. I konsideronin si shantazhe të padrejta ndaj vendimeve të drejta të pushtetit. Madje-madje, i konsideronin edhe si shantazhe me sherr prapa, të nxitura nga opozita plangprishëse dhe nga krerët religjiozë, të afërt me grupime të dyshimta terroriste. Kjo nuk u bënte aspak përshtypje qytetarëve. Ata me ngulm e kërkonin rikthimin tonë brenda oborrit të spitalit. Unë vetëm bëja sehir dhe nuk e flisja asnjë fjalë. Kisha njëfarë shprese se fitorja ishte e afërt dhe bashkë me kolegët e mi konkurrentë shumë shpejt do të ishim brenda oborrit të spitalit dhe si përherë do ta pinim bashkë kafenë e mëngjesit. Dhe si përherë do t’i ndanim radhët me mirëkuptim, pa e synuar dëmtimin e asnjërit.
-U bëj thirrje qytetarëve që nëse për dy ditë nuk i tërheqin të vdekurit e tyre nga morgu, do të detyrohemi që t’i hedhim jashtë oborrit të spitalit! – kështu thoshte përgjegjësi kryesor për institucionet shëndetësore në qytetin tonë. Po, po,  pikërisht kështu thoshte. E dëgjova me veshët e mi tek fliste në lajmet qendrore të televizionit kryesor të qytetit.
           Ky pohim i kishte trandur të gjithë njerëzit.
            Në mëngjesin e së nesërmes, pa i ftuar kush, ishin grumbulluar para portës së spitalit. Qenë aq shumë, sa që nuk mund t’i kapja me sy cepat e rrugëve ku përfundonte turma e të revoltuarve. Qenë të shumtë në numër si kurrë më parë. Hynë forcërisht brenda oborrit të spitalit. I thyen copë-copë katër veturat e “Atdheut”. Ilir Karaj kishte ikur. Ashtu të thyera, i nxorën veturat jashtë oborrit. E pastruan shpejt e shpejt hapësirën e mbushur me copa xhamash të zinj dhe me duartrokitje e mirëpritën rikthimin e katër veturave tona brenda oborrit.
            Familja u shpërngul shumë e shumë larg qytetit tonë. Bashkë me të edhe shumë krerë institucionesh. Pushtetin e mori kryeimami. Tha se do të udhëhiqte vetëm përkohësisht. U betua se do të hiqte dorë në çastin e parë që do të shihte se janë shfaqur njerëz të denjë e të ndershëm për ta zëvendësuar atë.
            Unë vetëm bëja sehir. Nuk thosha gjë. Pija kafenë e mëngjesit dhe kryeja punën time të përditshme./ ObserverKult