Kohë për rrëfim, Kadare në një dëshmi historike

Ismail Kadare

Nga Liridon Mulaj

Të takosh Kadarenë është një ndjesi e çuditshme. Them e çuditshme, për të mos e kanalizuar vetëm në e fortë apo e bukur, e në fakt, përtej së bukurës, është emocion i fortë, në të cilin mbeten të gjitha nënndjesitë e tjera. Imagjino një argjentinas që ka takuar Sabaton, ose Borgesin, apo një i ri spanjoll që takon Javier Mariasin.

Dikush do të mendojë se çfarë fati, por parë nga një tjetër këndvështrim, dikush atje në Spanjë ose Argjentinë mund të mendojë se çfarë fati është të takosh Kadarenë, diku larg në Shqipëri.

Pra, hiperbolizimi në këtë rast është realitet, për faktin se nga Madridi në Buenos Aires dhe më pas në Tiranë, ekziston një lidhje e pazgjidhshme, madhështia e letërsisë. Dhe ta prekësh këtë madhështi e më pas të përballesh me të, është një eksperiencë e rrallë.

Ditën kur unë takova Kadarenë për herë të parë, fjalia me të cilën më erdhi në mendje të prezantohesha ishte: “Mjeshtër, unë ju njoh më mirë se ç’njihni ju veten”. Dhe kjo ishte befasia që më dha mundësinë të ulesha pranë tij dhe më pas të bisedoja për rreth dy orë me të. Mbase nga emocionet (sigurisht që emocionet), ose hutimi, unë harrova ta regjistroja atë bisedë (sigurisht me lejen e Kadaresë), siç e kisha planifikuar.

Por pse zgjodha t’i prezantohem në atë mënyrë një shkrimtari si Kadareja, paksa arrogant dhe i vështirë si karakter, cilësi këto të ndërtuara mbi marrëdhënien disavjeçare shkrimtar-lexues, kryesisht në vendin e tij.

Zgjodha këtë prezantim, për shkak se e kam lexuar Kadarenë në mënyrë studimore, duke u rrekur përherë të isha më së shumti një zbulues i qenies së tij dhe më pas i veprës së tij. Afeksioni im për shkrimtarët dhe jetën e tyre jashtë letërsisë lidhet domosdoshmërisht me admirimin për këtë të fundit, por me Kadarenë ndodh ndryshe.

Një shkrimtar i ri, krahas stilit të shkrimtarëve të mëdhenj, që shpesh dhe pothuajse gjithmonë kërkon t’ua përvetësojë, e intrigon, ose le të themi, e ndjell, dhe jeta e tyre personale, së paku me mua ndodh ky afeksion i çuditshëm me pjesën e padukshme të “ajsbergut” e për rrjedhojë, edhe Kadareja nuk i kishte shpëtuar këtij zbulimi. Kisha lexuar pothuajse gjithçka për jetën e tij private, marrëdhëniet me diktatorin, me shkrimtarët e tjerë, me lexuesin dhe zakonet e të shkruarit, dhe përtej “ndikimeve” të jashtme në formën e presioneve, shpirti im e kishte përthithur këtë shkrimtar ashtu siç kishte bërë me të tjerë emra të mëdhenj të letërsisë botërore.

Dhe kthehem sërish te siguria ime e të diturit gjithçka për mjeshtrin dhe takimi im me të. Disa ditë para se Kadareja të festonte 85-vjetorin, u njoftua një botim i ri, ku në qendër të tij ishte Kadareja vetë. Jo si studim, ku janë me qindra mbi mjeshtrin, si referencë apo analizë e botimeve, por si një rrëfim i sinqertë (e theksuar kjo) i Kadaresë dhënë Alda Bardhylit.

Një intervistë e gjatë, e shtrirë në vite. Sinqeriteti më shtyn të them se isha skeptik në fillim, duke paramenduar një përsëritje, ose në rastin tjetër, një rrëfim të rezervuar dhe jo të drejtpërdrejtë, ashtu siç Kadare e kishte refuzuar përgjatë gjithë jetës së tij të deritanishme.

Duke parashtruar tezën se shkrimtarit i flet vepra, e kisha fjetur mendjen se pas “Dialog me Alain Bosquet”, apo librave të tij eseistikë dhe deri diku autobiografikë, si “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Ftesë në studio”, apo “Nga një dhjetor në tjetrin”, të mund të lexoja diçka të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë nga Kadareja, sepse vetë rrjedha e ngjarjeve dhe rrebesheve, nëpër të cilat Kadare ka rendur, ia kanë tretur dhe njëkohësisht ndaluar të drejtën për të qenë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë.

Teksa shfletoja këtë rrëfim, pyetje pas pyetje nisa të kuptoj thelbin, dhe pas çdo përgjigjeje tentoja të evidentoja shkarjen e Kadaresë drejt një “falsiteti” të imponuar nga statura e shkrimtarit të madh, por në të vërtetë u përballa me një rrëfim të brishtë, të sinqertë dhe pa drojë të një njeriu jo lojcak, që rri stoik para gazetares e për rrjedhojë, para një publiku të dyzuar mes dashurisë dhe kundërshtisë (nuk ka urrejtje në këtë mes, shkrimtari mund të ndjellë vetëm xhelozi, por aspak urrejtje) që druaj e kupton, drojë kjo të cilën dhe Kadareja mund ta ketë.

Aty gjen fillesat e Kadaresë, romanet e botuara, ato të ndaluara dhe më pas sërish të lejuara, marrëdhënien me Enver Hoxhën, me Lidhjen e Shkrimtarëve, me Helenën dhe me çdo grua që kaloi qoftë dhe një herë në jetën e tij. Aty gjen vizitën në Kosovë, Parisin, parë nga syri tragjik i një shkrimtari, që vinte nga një realitet i tillë. Miqësitë me Drago Siliqin, me Azem Shkrelin dhe veçoritë e tyre dhe të krejt atyre që Kadareja i çmonte si miq të ngushtë (dhe sërish me një lloj krenarie dhe pezmi, i thosha vetes se dhe ti, mbase në një tjetër kohë, do të kishe qenë një shok i çmuar i Kadaresë).

Dhe teksa lexon, vë re edhe pyetjet analitike, ato personale, por edhe ato të hidhurat, ku Kadareja reagon jo pa emocion si: “A e keni përdorur librin për t’u afruar me Enver Hoxhën?” ose “A mos jeni tepër maskilist në letërsinë tuaj?”. Dhe s’ka aspak qasje intimiduese në këtë intervistë, siç natyrshëm nuk duhet të ketë, por as qasje konformiste, siç prapë nuk duhet të ketë.

Po pse ky rrëfim dhe çdo rrëfim i Kadaresë ngjall reagime dhe krijon zhurmë në opinion dhe përtej kësaj zhurme gjithçka merr trajtën e deformimit, kur analiza dhe vetëpërmbajtja ndaj një gjeniu të këtij kalibri duhet të jetë e natyrshme.

Dhe kur them vetëpërmbajtje nuk kam parasysh mosreagim, por një vetëpërmbajtje të kontrolluar nga faktet dhe rrethanat, në të cilat Kadare, përkundër tyre, arriti të shkruajë atë lloj letërsie magjike, të cilën ia la trashëgimi botës. Dhe sërish bie në kurthin e polemikave banale të kamotshme, të cilat dashje pa dashje, krejt natyrshëm, shoqërojnë jetën e gjenive, prej se bota u krijua e deri më sot.

Në një tezë të shkruar diku dhe të shtjelluar më vonë, theksoj se ngjarjet e kobshme të një vendi të vogël si ky yni, lidhen me mallkimet e shkrimtarëve dhe poetëve fatkëqij, të cilët u vranë padrejtësisht. Por mes kësaj dhimbjeje dhe tragjedie kombëtare, ekziston dhe një tjetër “parim” për përjetësinë, ku për vetë faktin se ata tashmë janë të vrarë, opinioni zhurmëbërës e cilëson si kriter të monumentalizimit.

Dhe përjetësia si kumt, sipas tyre, është destinacion vetëm për të vdekurit. Por fati luan me njeriun dhe pa asnjë dyshim, as njëra palë dhe as tjetra, nuk i shpëtojnë vetvetes. Fati deshi që përkundër çdo rrethane kundërshtuese dhe kobndjellëse, në mesin e një shteti që vuante diktaturën më të egër në Europë, një shkrimtar “i çmendur” deri në gjenialitet, të sfidonte çdo ligësi dhe të shkruante ato vepra magjike.

Pavarësisht situatës ekonomikë apo shoqërore, letërsia është ajo që i barazon kombet e nëse bota do të udhëhiqej në sajë të emrave dhe cilësisë së shkrimtarëve, pa dyshim sot do të ishim përkrah shteteve më të mëdha në botë, e kjo falë Kadaresë.

Ky rrëfim i tij është një gur tjetër i gdhendur në muret e brendshme të kështjellës së Kadaresë, një dëshmi e epopesë kadarejane, e cila përmban destinin e paracaktuar, rendjen drejt përjetësisë…/panorama.al

LEXO EDHE: Ismail Kadare: Letërsia dhe diktatura kanë mision të shkatërrojnë njëra-tjetrën