Adriana Myrtaj: A e dini që ka një mrekulli në këtë botë – Gruaja!

adriana myrtaj: gruaja

Gruaja e pa vënë re nga Adriana Myrtaj

Ngritja a mosngritja mund të jenë e njëjta. Në arsyetim të fundit, në ditë që fillojnë me dilemën e dobësisë, fiton gjithmonë vendimi “të ngrihem”.
Duhet bërë detyra ndaj jetës.
Duhet të nis ditën që kam përballë e pres prej saj çfarëdo që ajo do të sjellë. Në mes të rrjedhës së oqeanit, kush mundi të rezistojë në atë valë të mos rrëmbehet prej saj?
Mu në atë mendim që shpon si gjembi, kur edhe mund të mos ngrihem, trembem si fëmijë dhe gjendem në këmbë…!

Në atë ditë dhe orë kur do mund t’i bindesha mendimit të mos ngrihesha, pale ç’do t’i ndodhte botës…

Imagjinoj një botë si shkretëtirë, nëse gruaja do zgjidhte të mos ngrihej nga shtrati qoftë edhe vetëm për një ditë…

Imagjinoj shkretëtirën e botës së njeriut me mungesën e imazhit të gruas në të…


(Tjerr fillin e mendimit, pyes nëse e di njeriu që ka një mrekulli në këtë botë dhe kjo është gruaja?)

Të tjera ditë fillojnë me ngutjen prej gruaje, me meraket e mbetura nga dita më parë dhe të tjerave më parë akoma, për punë të lëna pa mbaruar diku në fragmente të tyre, por edhe nga mendime që më ftojnë të provoj një tjetër projekt, një tjetër punë…

Sidomos këto, më bëjnë të hidhem në majë të këmbëve edhe në mes të natës. Është frymëmarrja e gruas brenda meje, që e bën të vlefshme ekzistencën. Këtë bën ajo, këtë bëj edhe unë në më të shumtën e ditëve të mia si grua.

Në modelin e gruas më shfaqet vetja, gruaja, privilegj i falur nga Zoti atje. Me këtë mendim dhe energji e mbaj veten të “veshur” që nga koha që s’mbahet mend…

Duhet ngritur, se jam grua, jam e vlefshme për këtë ditë sot dhe miliona në të ardhur! Jam dhuratë, unë gruaja e paemër, për atë që është dhe do të jetë, Gruaja e pa vënë re.

Duhet ngritur çdo ditë, se dita-ditës nuk i ngjan.

ObserverKult


Lexo edhe:


ELENA FERRANTE: NËNËN TIME E DOJA DHE E URREJA…