Adriatike Xh. Lami: Sa herë mendoj për gjumin tënd…

adriatike lami mos vdis

Poezi nga Adriatike Xh. Lami

Kur si tani mendoj se ti fle larg meje çdo natë,
Ende trazohem, kush gjumin ta ruan të bardhë,
Unë jam në të vërtetë, shpotitëse, gruaja jote;
Shigjeta të mprehta bëj për çdo trokitës porte.

Kur sërish mendoj që ti fle nën një pjesë tjetër qielli,
Hamendësoj yllin që të pikon, të vel flokët mbi ballë.
Meraku më ha se çfarë sheh së pari, ai, vegimtari syri,
Kur dielli mbi mal feks për gruan që do, stinë të paanë.

Kur ti je larg meje, qetësohem veç për ëndrrën,
Se e di që jam brenda saj, në përanë hijeshie,
Kush dreqin i mësyn ëndrrat, vjel pemë qershie;
Kusurin ta fal ty, nën dritë të vërtetë dashurie.

Kur unë mendoj se ti nuk fle me mua edhe këtë natë,
Përqendrohem në gjëra të vogla, oh si e tund jetën.
Topa durimi gjuaj, aty ndesh zjarre dëshire të artë,
Ah, kur ti je larg meje kam frikë të mendoj për vdekjen!

Por edhe kur ti fle larg meje, gërhimën ta ndjej si drithmë,
Ujë pikon mbi krah, faqa mish shpohet nga mjekra e bardhë,
Fryma jote nis të më mbushë me avuj dimri, si një lojë,
Ndërsa ti fle larg meje gjumi yt i çmendur më bëhet blojë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ADRIATIKE LAMI: UNË JAM PUTHJA E JETËS PËR TY I DASHUR…