Afrim Demiri: Nuk e paskam ditë… dikush më paska mallkue

afrim demiri çelës gjuha e heshtjes

Triptik mbi retë

Nga Afrim Demiri

Sa lehtë çmendet një ditë

Sa lehtë çmendet një ditë
Edhe më lehtë si përhapet
çmendia e saj si një erë
e marrë

Dhe fillon e nuk të pëlqen
asgjë përreth teje e tutje
Shikon qiellin dhe nuk sheh tjetër
përpos reve që luajnë
një maskenball të çuditshëm

Kush si kafshë e egër e kush e butë
ndonjëra fytyrë e përmbysun
si kloun cirku ma në thellësi
të përqeshë

Një shikim kërcënues fantazme
të godet si rrufe n’sy
e pastaj në teatrin qiellor
shpërthejnë të qeshurat
cinike

Dikur i lëshon perdet
dhe qielli mbetet jashtë
t’i mbledhësh brenda vetes
i bindur se je prekur
nga çmendia

Dhe fjalët nuk nxjerrin
asnjë za.

Kur të nxen mallkimi

Një ditë një re ma bani me sy
pastaj ngadalë e mori pamjen
e një vajze të pikëllueme

Nuk vonoi u shndërrue
në trandofil të bardhë
Unë mbeta i habitun
sa nuk më dolën krahtë
fërkova sytë njëherë, dyherë

Reja shkoj u ba zi si korbi

Vrapova ta gjejë një strehë
kur befas një kokërriz
më goditi në ballë
Nuk e paskam ditë
dikush më paska mallkue

Të vraft’ reja për së kthjellti.

E kaltërta zemër

Një re shkoj e u ba zemër
zemër krejt e kaltër
Dhe nga ajo filloi pikë-pikë
të pikoj dashnia.

M’u duk’ se u lagsha
krejt u lag’shae nuk u ngop’sha

kurrë

Kisha mbyllë sytë e nuk
shihja kurgja deri sa zemra
u kthye në Hanë të kaltër

Atëhere ndjeva thellë
si m’u thye
Zemra ime.

ObserverKult


Lexo edhe:

DY POEZI NGA AFRIM DEMIRI: TASH KUR NANA NUK ËSHTË MA…