Ag Apolloni: Coppola dhe koha

copola

Mbrëmë e pashë filmin e shumëpritur të regjisorit Francis Ford Coppola, “Megalopolis”, një film moshatar me mua. Në këtë film regjisori ka punuar mbi dyzet vjet, ndërkohë që ka realizuar edhe filma të tjerë, por pa arritur të shkëputet asnjëherë nga ky projekt.

Që në fillim duhet thënë se ky film, siç do të thoshte Hesse, “nuk është për të gjithë, por vetëm për të marrët. Regjisorit i janë dashur mbi katër dekada kohë për ta realizuar një film për kohën. Vetëm në sipërfaqe duket film për arkitekturën, në thellësi ai është film për kohën dhe, sidomos, për të ardhmen. Filmi fillon me një element faustian të ndalimit të kohës, që kthehet në lajtmotiv të filmit, dhe vazhdon me kohën e korruptuar, me shoferin që flet për kohën, me pasanikun e vjetër që mendon se nuk do të vdesë kurrë, me njerëz që duke abuzuar me të tashmen, ia shkatërrojnë të ardhmen popullit.

Kinematografia është art modern, por “Megalopolis” është film romak. Aty arkitektura është monumentale, eksterieret gjigande, personazhet kanë frizura romake, dhe Roma e Re (New Rome, që është një kombinim mes Romës dhe New York-ut), s’ndryshon asgjë nga Roma e vjetër. Madje edhe shumica e personazheve kanë emra romakë (Cesare, Catilina, Cicero, Pulcher, Crassus etj.).

Ai është një film që vendos ngjarjet kryesisht në enterier, por në fakt s’ka të bëjë fare me hapësirat arkitektonike, por me enterierin (brendinë) tonë, me shpirtin tonë. Objektet ndërtohen e rrëzohen, por njerëzimi vazhdon. Arkitektura është fizike, filmi është vepër metafizike. Regjisori thjesht ka ndërtuar një Romë të Re, për të na treguar se gjithçka në këtë botë është e vjetër dhe përsëritet vazhdimisht, që nga pallatet e larta, politikanët e korruptuar, konspiracionet, shantazhet, vrasjet e deri te modeli i flokëve. Madje edhe shantazhin me Katilinës me një video-montazh e jep në një ambient romak, ku kalërojnë kuajt, dhe përleshen mundësit. Inatet, xhelozitë, konspiracionet dhe krimet janë paraqitur në atë mënyrë për të na treguar që, në thelb, asgjë s’ka ndryshuar, që të pasurit mbajnë pushtetin, kurse populli mashtrohet me “panem et circenses” (“bukë e cirk”).

Coppola gjithmonë e ka goditur politikën pompoze dhe të korruptuar, por këtu e ka arritur kulmin, dhe këtë e ka bërë duke lidhur fijet e lashtësisë me ato të bashkëkohësisë. Këto lidhje, këto paralele, janë frikësuese, dhe krejt çka mbetet është për të parë drejt së ardhmes, për të cilën punon Katilina. Prandaj, ky nuk është film për “architectus”, por për “futurus” (të ardhmen). Në fakt, për ata që, më shumë sesa dizajnerë ndërtesash, janë ndërtues të ardhmërisë, pra, figurativisht, arkitektë të ardhmërisë. Siç i ka thënë Goethe Eckermannn-it, arkitektura është një muzikë e ngurtë (që më vonë është përkthyer si “e ngrirë”), Coppola na thërret ta dëgjojmë këtë muzikë, jo ta shohim si objekt statik. Arkitektura është art hapësinor, kurse muzika art kohor. Prandaj thashë që Coppola s’ka bërë film për arkitekturën, sepse ka bërë film për kohën. Gjithçka mundë të “ngrihet” (ngurtësohet), përveç të ardhmes, e cila vjen, pavarësisht duam, apo nuk duam ne. Kështu, mbyllja e filmit me ndalimin e kohës, ku të gjithë ndalen, përveç foshnjes, ka domethënie simbolike. Dy familjet e hasmëruara pajtohen për të ardhmen e fëmijës së tyre. Morali i kësaj fabule (regjisori e ka quajtur filmin e tij “fable”) është që vetëm me dashuri shkohet përpara, vetëm dashuria do të na japë pushtet dhe do ta kthejë kohën në anën tonë.

Filmi ka shumë referenca nga filozofia romake, filozofia franceze, dramat e Shekspirit, veprat e Goethe-s, humanizmi i Emerson-it e shumë të tjerëve. Pra, është një film intertekstual, një rrjet referencash, ku spektatori naiv mund të mbytet që në skenat e para, ndërsa spektatori semiotik e shijon si një ekstazë profetike. Ky film, ashtu si edhe “Youth without Youth”, nuk është bërë për të garuar për çmime, por për të na iluminuar për jetë. Coppola është regjisor i dëshmuar me kohë, ndërsa tash ai na ka ardhur si një Zot i Kohës, për të na sugjeruar që të mos lejojmë që “e tashmja ta shkatërrojë të ardhmen tonë.” Gjithashtu, ky film na mëson edhe një gjë: ne që i kemi krijuar perënditë dhe u kemi dhënë aq shumë fuqi, pse të mos e përdorim atë fuqi pa ndërmjetësimin e tyre?

Për ta kuptuar se çfarë filmi është ky, duhet ta imagjinojmë ekzistencën e një libri të cilin e ka shkruar Goethe në bashkëpunim me Shekspirin, dhe e kanë redaktuar disa filozofë (kryesisht, romakë). Duhet t’i jemi mirënjohës Coppola-s për filmat në të shkuarën (Godfather, Apocalypse Now etj.) dhe për filmin e tanishëm, “Megalopolis”, që na ka futur në “një debat të madh për të ardhmen”.

ObserverKult

Lexo edhe:

Ag Apolloni: Zëri që këndon, zëri që rënkon!