Ag Apolloni: Manuali i Manuelit

(Miguel de Unamuno, “Shën Manuel Bueno, martir”, përktheu Orjela Stafasani, botoi Shtëpia Botuese Bard Books, Prishtinë)

Nga Ag APOLLONI

I shkruar si ungjill për një shpirt të shenjtë që qëndron përtej besimit, i mbushur me referenca nga religjioni, filozofia dhe letërsia, ky manual mbi jetën e Manuelit mund të lexohet si libër lutjesh, si ungjill, si traktat, si roman, si novelë dhe, mbi të gjitha, si nivolë, pra si invencion tematik e formal i Unamunos, këtij njeriu që ishte një botë më vete në letërsinë e përbotshme.

Shenja e parë: emri 

Emri është shenja e parë e tekstit, e shfaqur në kopertinë. Nuk e identifikon shkrimin (temën), por shkruesin (autorin). Letërsia ka funksionuar edhe pa këtë shenjë, mjafton t’i kujtojmë veprat anonime. Po ashtu, ajo ka funksionuar edhe me shenja maskuese (pseudonime). Ndërsa, deri kah fundi i Mesjetës emri ishte shenjë e identifikimit autorial, pastaj mbiemri ia zuri vendin emrit. Pra, tash mbiemri është kthyer në emër, në shenjë identifikimi për shkrimin.

Mbiemri i Unamunos është botë më vete. Unamuno “është bask që flet për krejt spanjollët, spanjoll që flet për Evropën, evropian që flet për krejt botën, por mbi të gjitha ai është një individ i torturuar nga ideja e vdekjes dhe e hiçit, që ulëret në vetminë e tij. Emri Unamuno në dialektin e tij domethënë një botë” (D. Heiney & L. H. Downs, Continental European Literature, 1974, f. 244). 

Miguel de Unamuno y Jugo (1864-1936) është emri i plotë i autorit (me dy mbiemra: Unamuno nga babai, Jugo nga nëna), por ai zgjodhi të nënshkruhet me mbiemrin paternal, i cili, në fakt, e ka lënë në plan të dytë edhe emrin. Pra, autori njihet si Unamuno. Ai është një figurë emblematike në letërsinë, kulturën dhe historinë e Spanjës; përveç prozator, poet, dramaturg, eseist dhe filozof, ishte edhe profesor, rektor dhe intelektual që kishte guximin të kacafytej me regjimet. Së pari, pati përplasje me diktatorin Miguel Primo de Rivera, i cili pastaj e largoi nga posti i rektorit të Universitetit të Salamankës dhe e internoi; së dyti, në fjalimin e fundit në universitet, ai e kundërshtoi ashpër mendësinë e partisë frankiste, për çfarë u shkarkua menjëherë dhe u kërkua vrasja e tij, por shpëtoi (me burg shtëpiak) falë adhurimit që kishte gruaja e diktatorit ndaj tij.

Unamuno shkroi drama, ese, poezi e prozë dhe shpiku zhanrin nivola, që është njëkohësisht fjalë e re dhe formë e re. Në këtë formë i shkroi veprat më të njohura: Mjegulla, vepër që themeloi zhanrin; Jeta e Don Kishotit dhe Sanços, një brikolazh hipertekstual; Abel Sançez, që i dha famë zhanrit dhe autorit; apo Shën Manuel Bueno, martir, që përgjithësisht konsiderohet kryevepër e Unamunos.

Shenja e dytë: titulli

Titulli është shenjë e veprës, monogram i saj. Megjithatë, gjatë përkthimit ndodh shpesh të preket edhe titulli, për shkak se një titull i mirë në një gjuhë nuk është i tillë domosdoshmërisht edhe në gjuhën tjetër. Në studimet traduktologjike shpesh janë përmendur ndryshime titujsh, qoftë si huqje, qoftë si gjetje. Titulli i nivolës për historinë e Manuelit është mjaft problematik për t’u konvertuar nga njëra gjuhë në tjetrën. Në origjinal (spanjisht) quhet: San Manuel Bueno, martír. Përderisa në spanjisht është formulim i natyrshëm, në gjuhën shqipe menjëherë shfaqen tri probleme (variante): 1. Shën Manuel Bueno, martir; 2. Shën Manueli i Mirë, martir; 3. Shën Manueli i Mirë, dëshmor. Varianti i tretë bie, pasi vepra nuk flet për luftën, ndërsa në gjuhën shqipe fjalës së vjetër “dëshmor” i është mbivënë kuptimi i ri që lidhet domosdoshmërisht me luftëtarin e lirisë, ose me luftëtarin e vrarë në luftë për liri. Varianti i dytë është i pranueshëm, por i varfër, një varfëri që vërehet edhe në përkthimin anglisht (Saint Emmanuel the Good, Martyr). Pra, ta përkthesh fjalën BuenoI mirë, domethënë t’i heqësh ambiguitetin titullit, ndërsa ta korrigjosh emrin Manuel me Emmanuel, domethënë të kalosh në interpretim. Bueno në spanjisht ka kuptimin “i mirë”, por është, gjithashtu, edhe “mbiemër” i zakonshëm. Ndërsa, emri Manuel vërtet është emër me peshë simbolike (biblike), por gjithashtu është emër i zakonshëm në regjistrin civil spanjoll. Prandaj edhe shumë studiues anglezë dhe amerikanë, ndryshe nga përkthyesit, i referohen kësaj vepre si Saint Manuel Bueno, martyr. Pra, mund të përkthehen (anglicizohen) titujt/epitetet (san – saint, martír -martyr), por jo emri (Manuel – Emmanuel) dhe mbiemri (Bueno – I mirë). Varianti i parë është përkthim i plotë dhe besnik, pasi emri dhe mbiemri ruhen në formën origjinale, ashtu si edhe titulli/epiteti (shën/martir). Fjala martir lidhet me dëshminë, vuajtjen dhe vdekjen. Manueli është një prift martir (epitet ky që në origjinë lidhet me dëshminë, vuajtjen dhe vdekjen): ua dëshmon të tjerëve se besimi është shpëtim (pavarësisht se ai vetë dyshon në këtë), vuan si pasojë e dyshimit; vdes pa hequr dorë nga shërbimi ndaj fesë. Martirizimi (jo sekreti) e bën shenjt.

Shenja e tretë: zhanri

Letërsia nga Antikiteti deri sot është sjellë e pështjellë brenda tri mënyrave të shkrimit: epikës, lirikës dhe dramatikës. Epika shekujve të fundit jetoi kryesisht në formën e romanit, i cili shënjonte kategorinë përfaqësuese të epikës në shekujt XIX-XX. Romani realist i shkaktoi lodhje shkrimtarit të ri spanjoll, i cili, prandaj, e shpiku një formë të re për vete dhe e quajti nivola. Siç e thotë edhe te prologu i veprës inauguruese të këtij zhanri, Mjegulla (1914), nivola dallon nga novela, sepse: fokusohet në përmbajtje, jo në formë; trajton vetëm një tipar psikologjik të personazhit, jo krejt kompleksitetin e tij; reduktohet realizmi dhe zëvendësohet me një natyrë abstrakte; ndryshe nga romanet realiste që janë detajizuese dhe kanë një ritëm të ngadaltë, nivolat shkruhen pa plan të gjatë përgatitës dhe pa qëllime dokumentimi të gjendjes sociale; nuk kanë ndonjë intrigë; fokusohen në shqetësimet shpirtërore të personazheve.

Pra, siç mund të kuptohet, nivola lindi si refuzim i Unamunos ndaj romanit realist. Nivola është fjalë pa kuptim në vetvete, por që kuptimin e merr në përballje me romanin, apo novelën realiste. Për shkak të lodhjes nga novela, u shpik nivola.

Edhe pse mund të vihen paralele mes shkrimtarëve të së njëjtës kohë, Miguel de Unamuno dhe Paul Bourget, prapë dallimet janë të dukshme. Nivola ngjason me romanin me tezë, veçse nuk synon asnjëherë të jetë realiste dhe gjithmonë fokusohet në tema intime shpirtërore, duke vënë theksin te ritmi i shpejtë dhe stili biblik i shmangies së detajeve, po aq sa edhe te fenomeni që më vonë u quajt poioumenon. Ajo është konsideruar si një roman-mjegull (ang.: mist-novel) dhe si zhanër është themeluar, jo rastësisht, me veprën Mjegulla, e cila flet për konfliktin mes realitetit dhe fiksionit, duke trajtuar përplasjen mes personazhit dhe autorit. Pasi autori i thotë personazhit se ai nuk ekziston dhe se është vetëm krijesë e autorit, personazhi ia kthen: “ndoshta, zoti Miguel, jeni ju dhe jo unë ai që është i trilluar, ai që në të vërtetë nuk ekziston, ai që s’është as i gjallë, as i vdekur”. Dhe, pastaj, derisa personazhi i lutet që t’ia falë jetën, autori i thotë se s’ka çare pa e vrarë: “Nuk di çka të bëj me ty. Zoti, kur nuk di se çfarë të bëjë me ne, na vret”. Pak më tutje, autori e vret personazhin. Kjo nivolë trajton nivelet e krijimit si punë e personazhit, autorit dhe Zotit.

Nivola tjetër është “Abel Sançez” që vjen si rindërtim modern mbi hipotekstin biblik të parabolës së vëllavrasjes Abel – Kain. Në këtë vepër ata nuk janë vëllezër, por janë shokë: Abeli (Abel Sançez) është piktor, kurse “Kaini” (Joaquin) është mjek. Xhelozia nis në moshë të re, kur ende janë nxënës, shtohet edhe më shumë kur Abeli ia fiton zemrën të dashurës së “Kainit”, vazhdon me sjellje hipokrite gjatë jetës së tyre “miqësore” dhe mbaron, pas miqësisë së kurdisur nga “Kaini” (djali i Abelit martohet me vajzën e “Kainit”) si fryt i së cilës vjen nipi i tyre. Dy gjyshërit e duan nipin, por ai e do gjyshin Abel, prandaj “Kaini” e mbyt Abelin, këtë njeri që e duan të gjithë. Ndryshe nga “Mjegulla”, që është nivolë e idesë, “Abel Sançez” është nivolë e pasionit, një roman vullkan. Kjo histori rrëfehet nga vajza e “Kainit”.  

Një nivolë mes idesë dhe pasionit, është “Shën Manuel Bueno, martir”. Fillimisht u publikua në revistën La novela de hoy (13.03.1931, nr. 461), pastaj, në vitin 1933, u botua në një libër bashkë me proza të tjera: San Manuel Bueno, mártir, y tres historias más. Ajo është shkruar sipas paradigmës parabolike.

Shenja e katërt: parabola 

E vendosur në fshatin e trilluar Valverde de Luserna, kjo histori për priftin e mirë, Manuel Bueno, i cili shfaqet si dëshmi e mirësisë së perëndisë në tokë, rrëfehet nga Anhela Karbajino (Angela Carballino), e cila e ka njohur për së afërmi mirësinë e priftit, lumturimi (beatifikimi) i të cilit e nxit atë ta shkruajë e ta dëshmojë mirësinë dhe sekretin që ai la pas. Sekretin ai ia pati besuar vetëm Lazaros dhe Anhelës, nga të cilët i pari vdiq pa e përhapur sekretin, kurse e dyta tashmë mbi të pesëdhjetat, ka vendosur ta shkruajë përvojën e saj intime (shpirtërore) me priftin, pasi ia ka dhënë versionin “zyrtar” ipeshkvit që është i interesuar ta botojë historinë e Manuelit si manual  mirësie për t’u treguar njerëzve një model të njeriut të përkryer dhe, rrjedhimisht, për t’i kthyer në “rrugën e drejtë”. Anhela tregon sesi njeriu më i devotshëm që kishte njohur, kishte vdekur pa arritur të besonte, por pa ua zbuluar këtë besimtarëve. Dyshimet e kishin pushtuar shpirtin dhe mendjen e Manuelit, por ato nuk e ndalonin të bënte vepra të mira kudo dhe kurdo. Ai sillej mirë me të gjithë, bashkonte njerëzit, ndihmonte mjekun dhe mësuesin, ngushëllonte të dëshpëruarit, ndihmonte fëmijët, falte mëkatet, pra, shkurt: Manueli ishte i përkryer. Por, çuditërisht, ai ia kishte zbuluar sekretin e vet pikërisht dikujt që nuk besonte.

Kur Lazaro kthehet nga Amerika për t’i marrë nënën dhe motrën, Anhelën, për të jetuar në qytet,  ato nuk pranojnë, sepse janë të lidhura shpirtërisht me priftin. Ai i edukuar si materialist, nuk e kupton këtë lidhje, por kur nëna e tij në shtrat të vdekjes i kërkon që të lutet për të pas vdekjes së saj, Lazaro ia jep fjalën dhe kështu nis e shoqërohet me priftin, i cili, gjatë dialogut, tregon se edhe ai vetë nuk beson, por shtiret, për të mos i zgjuar besimtarët nga gjumi. Prifti e interpreton në një mënyrë origjinale thënien marksiste se feja është opium për popullin dhe, ndryshe nga marksistët, ai nuk është dakord që ky opium t’u ndalohet atyre. Nëse njerëzit e gjejnë lumturinë te besimi, pse të mos i lëmë të vazhdojnë, arsyeton Manueli. Ideja për barazinë e njerëzve refuzohet nga prifti, sepse bota e barazisë do të ishte botë e mërzitshme: “Nëse ndërtojnë një shoqëri të re në të cilën nuk ka të pasur dhe të varfër, në të cilën ndahet në mënyrë të drejtë pasuria, ku gjithçka të jetë e gjithkujt, çfarë ndodh pastaj? A nuk mendon se mirëqenia e përgjithshme do ta bënte më të mërzitshme jetën?” Manueli e di që religjioni nuk i zgjidh problemet ekonomike, por, së paku, u ofron atyre ngushëllim. Prandaj, opiumi nuk ka asgjë të keqe, përderisa i bën njerëzit të jetojnë në iluzionin e lumturisë: “religjioni nuk i zgjidh problemet ekonomike dhe politike, që Zoti i futi në sherret njerëzore. Njerëzit duhet të mendojnë dhe të punojnë në mënyrën që ata zgjedhin, të ngushëllohen me faktin se kanë lindur, të jetojnë sa të munden të lumtur në iluzionin se e gjithë kjo ka një qëllim. Unë nuk kam ardhur këtu për t’i bërë të varfrit t’u nënshtrohen të pasurve, as për të predikuar që ata ta bëjnë një gjë të tillë. Pranim dhe bamirësi në gjithçka dhe për të gjithë. Sepse edhe i pasuri duhet të heqë dorë nga pasuria e tij dhe nga jeta, po ashtu edhe i varfëri duhet të ndiejë mëshirë ndaj të pasurit (…) Për një fëmijë, të besosh nuk është asgjë më shumë sesa të ëndërrosh. Dhe për të rriturit është e njëjta gjë”. Prifti, duke cituar Calderón de la Barca-n, thotë se jeta është ëndërr. E nëse është kështu, atëherë është njësoj si t’ua marrësh jetën. Nënteksti është ky: lëri të besojnë, lëri të ëndërrojnë, lëri të jetojnë! 

Lazaro, arsyeja e të cilit e ka vrarë besimin, fillimisht çuditet me shtirjen e priftit, por mandej, i bindur nga kjo mënyrë silogjiste e të menduarit, nga kundërshtues bëhet pasues i tij, pavarësisht se të dy vdesin si njerëz të devotshëm që nuk arritën të besojnë, por që kontribuan në lumturinë e besimtarëve. Duke e ditur që Unamuno ishte njeri i paradokseve, kjo vepër duhet parë si një goditje në dy kahe: si polemikë me Marksin dhe si parodi me Kishën. Ai nuk mund ta pranonte një botë vetëm materialiste dhe nuk mund të besonte qorrazi në një botë shpirtërore. Nëpërmjet kësaj vepre hidhet ideja se më mirë është të bëhen veprime të mira sesa të besohet. Veprat e mira gëzojnë dy e më shumë persona (akt kolektiv, social), besimi lidhet vetëm me individin (akt individual, personal). Përderisa, fjala religjion domethënë lidhje, prifti e shfrytëzon lidhjen vertikale (njeri – Zot) për një lidhje horizontale (lidhje mes njerëzish). Pyetjet e nënkuptuara janë: Çfarë bote do të ishte ajo ku njerëzit janë të lidhur shpirtërisht me Zotin, ndërsa i nxjerrin sytë njëri-tjetrit? Çfarë bote do të ishte ajo ku njerëzit do të lidheshin materialisht me njëri-tjetrin, ndërsa nuk do të ndjenin asgjë në shpirt?

Mes këtyre dy dilemave shtrihet ankthi i Manuelit, këtij personazhi autoideografik të Miguelit (Unamunos).  Vepra është shkruar si parabolë biblike: Manueli është Emanueli i Biblës, Mesia që do të vijë (sipas Dhiatës së Vjetër), ai është personifikim i virtytit, i ngushëllimit, i shpëtimit. Jeta e tij praktike, sipas ipeshkvit, prandaj mund të kthehet në manual për njerëzit. Lazaro (Llazari i Dhiatës së Re) është ai që kthehet: kthehet nga Amerika në Evropë, kthehet nga materializmi në një jetë shpirtërore, që nuk kushtëzohet nga niveli i besimit, por nga qëllimi i mirë i kërkimit dhe shërbimit. Anhela është engjëlli (origjinal: Angela – engjëll), lajmëtari që na jep lajmin mbi sekretin e njeriut të devotshëm.

Kjo vepër është rrëfim i figurshëm, prandaj nuk ka përshkrime psikologjike, as biografi të mirëfilltë të personazheve. Rëndësi kanë dilemat e personazheve që janë racionale, jo prejardhja e tyre që është aksidentale. Madje edhe përshkrimet fizike janë minimale: Manueli është i madh (i gjatë) si mali dhe ka sy të kaltër si liqeni. Mali e mban borën, liqeni e shkrin. Bora është simbol i besimit, i pastërtisë, i shpirtërores. Mali e mban borën qoftë edhe vetëm si barrë. Ngjashëm edhe Manueli e mban fenë si barrë për veten dhe si mjet për t’i bërë të lumtur të tjerët.

Shenja e pestë: herezia 

Vepra Shën Manuel Bueno, martir është histori e shkruar nga një narrator homodiegjetik (Anhela), që është edhe vetë pjesë e historisë, madje bartës i sekretit të protagonistit. Historia e saj është herezi, sepse është alternativë e historisë zyrtare, që po e shkruan ipeshkvi. Që në rreshtin e parë e kuptojmë se protagonisti i historisë ka vdekur: “Tani që ipeshkvi i dioqezës së Renadës, së cilës i përket ky fshati im i dashur i Valverde de Lusernës, ka nisur procesin për lumturimin e Don Manuelit tonë, apo, më mirë të themi, të Shën Manuel Buenos, pasi i tillë ishte për famullinë tonë, dua ta lë këtu të dëshmuar, si formë rrëfimi (dhe vetëm Zoti e di, e jo unë, se cili do të jetë fati i tij) gjithçka që di dhe kujtoj nga ai njeri i bekuar që e mbushi thellësinë e shpirtit tim të trishtë e që ishte babai im i vërtetë shpirtëror, babai i shpirtit tim, i timit, Anhela Karbajinos”. Kjo praktikë komentimi e procesit krijues shfaqet edhe në faqet e fundit, kur ajo tregon se një version, korrekt për kishën, ia kishte treguar ipeshkvit, i cili po mblidhte materiale për shenjtorin Manuel. Gjithashtu, tregon se për historinë e saj ka shfrytëzuar edhe shënimet që vëllai i saj i kishte lënë si kujtime. Pra, në këtë novelë, apo nivolë, është gjithmonë një tash e rrëfimit, kur narratori femër është mbi 50 vjeç dhe flet për personazhin që e ka njohur dikur, që nga mosha 15 vjeç. Domethënë, kjo histori e treguar shkurt, zgjat nja dyzet vjet: nga ardhja e priftit deri te lumturimi i tij.

Dorëshkrimi heretik i Engjëllit (Anhelës) bie në duar të atij që mban emrin e Kryeengjëllit (autori quhet Miguel si Miguel Arcangel): “Si ra në duart e mia ky dokument, kjo kujtesë e Anhela Karbajinos? Kjo është diçka që duhet ta mbaj të fshehtë, i dashur lexues. Po ta jap bash ashtu siç më ka ardhur, vetëm me pak korrigjime, shumë pak hollësi të gjuhës”. Pasi rrëfimi në fund i kalon autorit, ai citon një rast kur kryeengjëlli dhe engjëlli rebel (djalli) grinden për trupin e Mojsiut, duke nënkuptuar një grindje të ngjashme për autorësinë e dorëshkrimit, pra për identifikimin e krijuesit të historisë: Anhela (heretike, që nxjerr sekrete), apo Unamuno (Migueli, kryeengjëlli)? Po ashtu, shembulli për ndeshjen mes kryeengjëllit dhe djallit aludon në atë se ku do të shkojë Manueli: në ferr, sepse nuk besonte, apo në parajsë, sepse ishte i mirë dhe u shërbeu njerëzve dhe fesë? Autori mbron idenë se Manueli e meriton parajsën, sepse ishte lider shpirtëror: “Dhe për banorët e një vendi si Valverde de Luserna nuk ka rrëfim më të mirë sesa t’i udhëzosh. Ata njerëz as nuk e dinë se çka është besimi, as nuk u intereson shumë”.

Unamuno e mbyll veprën duke e arsyetuar zgjedhjen e modelit biblik (tema: Mesia; struktura: ungjill i mrekullive; stili: përgjithësim, pa biografizma, psikologjizma e realizma): “E di mirë se në këtë histori (…) në të vërtetë nuk ndodh asgjë; por ma merr mendja se vetëm kështu ajo mund t’i mbijetojë kohës, ashtu siç i mbijetojnë liqenet dhe malet, apo shpirtrat e shenjtë dhe të thjeshtë që qëndrojnë përtej besimit dhe dëshpërimit, e që strehohen në liqene dhe në male, jashtë historisë, në një roman hyjnor”.

Dorëshkrimi i Anhelës është roman, libri i Unamunos është roman dhe vetë jeta është roman. Prandaj, çështja e autorësisë relativizohet (janë tre autorë: Zoti, autori, narratori), tiparet e trupave bëhen të parëndësishëm, lajmi bëhet më i rëndësishëm se lajmëtari, kurse efemerja ia lëshon vendin eternales.

Unamuno, me Shën Manuel Bueno, martir, nëpërmjet stilit biblik e ka shenjtëruar romanin dhe ky akt është parë si sakrilegj nga kisha katolike, e cila e ka futur atë te librat e ndaluar: Index Librorum Prohibitorum, ndoshta edhe për shkak të idesë (një prift ateist), apo të konstatimit se “një nga shenjtorët e mëdhenj, ndoshta më i madhi, kishte vdekur pa besuar në jetën e përtejme”.

I shkruar si ungjill për një shpirt të shenjtë që qëndron përtej besimit, i mbushur me referenca nga religjioni (Bibla), filozofia (Kierkegaard) dhe letërsia (Calderon de la Barca, Goethe, Edgar Allan Poe), ky manual mbi jetën e Manuelit mund të lexohet si libër lutjesh, si ungjill, si traktat, si roman, si novelë dhe, mbi të gjitha, si nivolë, pra si invencion tematik e formal i Unamunos, këtij njeriu që ishte një botë më vete në letërsinë e përbotshme./ ObserverKult