Kafja është më e fortë se kështjella,
Kamerieri më i pushtetshëm se mbreti.
Më besoni, se unë vij nga sheshi Konkor!
Nga bedenat mbreti pyeti: çfarë dëshironi?
Populli i tha: si s’të vjen turp që pyet?
Nëpër sheshin Konkor era vërtiste pamfletet
Mbi kokat e nxehura.
Nga banaku kamerieri pyeti: çfarë dëshironi?
Volteri ua shkeli syrin Rusoit, Didëroit e Kondorsetit,
mandej porositi kafe dhe kokën e mbretit.
Kafet vonuan, tri koka u thinjën e shkuan,
Ndërsa kapelat frigjiane përtypnin pamfletet e Prokopesë.
Mandej zemërimi i zemrave të lidhura ziente në shesh.
Nga bedenat erdhi mbreti drejt në gijotinë.
Nga banaku kamerieri e solli porosinë.
Garson, je vonuar dhe porosinë e ke ngatërruar,
I tha Kondorseti kamerierit duke buzëqeshë,
Ne kërkuam kafe e mbret, ti na solle edhe mbretëreshë.
(Shënim: Café Procope ka qenë vendtakim i filozofëve iluministë, të cilët aty i shkruanin pamfletet që i prinë revolucionit francez)