Ekspresi Simplon-Orient mbërriti po atë mbrëmje në Beograd, aty nga ora nëntë pa çerek. Meqë treni nuk nisej para orës 9 e 15, Puaroi zbriti në platformë. Sidoqoftë s’ndenji gjatë. Ndonëse platforma qe e mbrojtur nga dëbora që binte dendur, acari të thante. Puaroi mori të kthehej në kupe. Konduktori – i cili gjithashtu kishte zbritur dhe po rrihte shputat e këmbëve pas truallit të platformës e vërtiste krahët në ajër, si e si të ngrohej ndopak –me ta parë, i foli.
-Mësjë, valixhet jua shpërngulëm në kupenë Nr. I, në atë të zotit Buk.
-Pse, ku vajti zoti Buk?
-Kaloi në vagonin e ardhur nga Athina, i cili, s’ka pak që u lidh me ne.
Puaroi u nis të kërkonte mikun. Por, zoti Buk as që ua vuri veshin kundërshtimeve të tij.
-As mos ma zini ngoje. As mos ma zini ngoje. Kjo që bëra është gjëja më e volitshme, për ne të dy. Meqë e keni me ngut shkuarjen në Angli, është më mirë për ju që të rrini në vagonin që shkon drejt e në Kale. Sa për mua, mos u merakosni hiç, unë jam për bukuri këtu ku jam. Është aq qetësi sa të kënaqet shpirti. Përveç meje dhe një greku shkurtabiq që është doktor, s’ka frymë njeriu në vagon. Eh, or mik shih ç’natë që kemi përpara. Me sa dëgjova të thonë, kish vite që nuk kishte rënë kësi dëbore. S’na mbetete gjë tjetër veç të shpresojmë që mos të gozhdohemi këtu ku jemi. Kam frikë, miku im dhe këtë mund të ta them troç që, kjo rrugë s’ka marrë hiç për mbarë.
Fiks, më 9 e 15, treni doli nga stacioni dhe pak më pas, Puaroi u ngrit, i uroi natën e mirë mikut dhe mori rrugën përgjatë korridorit, për t’u kthyer në vagonin e vet, që ndodhej ngjitur, përkarshi vagonit-restorant.
Me sa dukej barrierat e mosnjohjes ishin rrafshuar që ditën e dytë të udhëtimit. Koloneli Ërbathnot po rrinte më këmbë te dera e kupesë, duke biseduar me MakKuinin.
Me të parë Puaroin, MakKuini e preu fjalën. U duk si i zënë në befasi.
-Si ka mundësi?-sa s’thirri.-Mendova që, do të na kishit lënë. Sikur thatë që do të zbrisnit në Beograd?
-Më keni keqkuptuar, – tha Puaroi buzgaz. –Më kujtohet si tani që jemi fjalosur tamam për këtë gjë, kur jemi nisur nga Stambolli.
-O Zot, po valilxhet tuaja kanë firuar.
-Mos e prishni gjakun, vetëm sa janë zhvendosur në një kupe tjetër.
-Ah, po e mora vesh.
Puaroi vijoi udhën më të poshtë korridorit dhe MakKuini rifilloi bisedën e lënë përgjysmë me Ërbathnotin.
Jo larg kupesë së vet, vetëm dy dyer më tutje, kishte qëndruar zonja plakë amerikane, misis Habërd dhe po llafosej me zonjën turidele, e cila na paskësh qenë suedeze. Misis Habërdi po i bëhej ferrë që tjetra të merrte një revistë nga të sajat.
Në asnjë mënyrë, e shtrenjta ime, ke për ta marrë patjetër, – tha misis Habërdi. –Mos të të hajë meraku për mua, se kam marrë plot e plot gjëra të tjera për të lexuar.
O Perendi e madhe, a nuk të ngjeth mishtë gjithë ky i ftohtë që po bën?Ajo u kthye nga Puaroi dhe e përshëndeti miqësisht me një lëvizje të kokës.
-Jeni shumë e dashur me mua, -tha zonja suedeze.
-As mos ma përmendni një gjë të tillë. Shpresoj që të bëni gjumë të ëmbël dhe nesër në mëngjes të gdhiheni qiqër.
E gjithë kjo më vjen vetëm nga të ftohtët. Tani që të kthehem në kupe, do të ziej ca çaj.
-Keni marrë aspirina me vete? Më thoni të vërtetën se kam unë sa të donii. Epo, bëfshi natën e mirë, moj shpirtkë.
Me t’u larguar tjetra, misis Habërdi u kthye nga Puaroi, pa iu mbyllur goja qoftë edhe për një çast.
Është suedeze, e gjora, ajo. Me sa munda të merrja vesh është si punë misionareje, ndonjë nga ato që japin mësim. Është e lezetshme, por mezi e flet anglishten. Ishte shumë kureshtare të dinte diçka për time bijë.
Meqë ra fjala, tashmë Puaroi dinte gjithçka rreth vajzës së misis Habërdit. Jo vetëm ai, por gjithkush në tren, mjaft të kuptonte anglisht.Sesi ajo, dhe bashkëshorti i saj bënin pjesë në trupën pedagogjike të një kolegji të madh amerikan, në Smirna dhe pastaj, sesi ky na paskësh qenë udhëtimi i parë në Lindje i misis Habërdit dhe, tek e fundit, se ç’mendonte ajo për turqit e mënyrën e shthurur të jetesës së tyre dhe gjendja ku ishin katandisur rrugët e atij vendi.
Dera ngjitur me ta u hap dhe prej andej doli me hap të shpejtë shërbëtori thatim e fytyrëzbehtë. Puaroi arritit të shihte fluturimthi brenda kupesë zotin Rashet, i cili po rrinte ndenjurazi në shtrat. Edhe ai e pa Puaroin dhe u prish në fytyrë, sakaq u nxi nga mllefi. Ndërkohë, dera u mbyll.
Zonja Habërd e hoqi mënjanë Puaroin.
-Sikur ta dini, ky njeri më kall datën për tmerr. Oh, jo, nuk e kam fjalën për shërbëtorin, por për atë tjetrin, zotërinë, padronin e vet.Tamam padron. Se ç’ka diçka të mbrapshtë tek ai njeri. Unë jam jashtëzakonisht intuitive dhe ime bijë thoshte ngaherë: «Po pati mamushi im ndonjë parandjenjë për diçka, atëherë, dorë me një që ka për t’i dalë.»
Mos pandehni se ju gënjej, janë një për një fjalët e saj. Edhe këtë herë seç kam një parandjenjë për këtë person. Dhe ç’është më e keqja, jam ngjitur me të. Mbrëmë i vura mbërtheckat derës ndërlidhëse, ngaqë m’u bë sikur e dëgjova tek po e përkulte dorezën. Dijeni, që unë për veten time s’kam për t’u çuditur aspak, në qoftë se ku njeri na del ndonjë kriminel i regjur. Do t’ju ketë rënë rasti të lexoni besoj, për ata plaçkitësit e trenave. E di edhe vetë që mund t’ju dukem si e lojtur, por ato që ju thashë s’i luan as topi. Ky tip më fut frikën në palcë. Ime bijë më tha që do të udhëtoja rehat-rehat, por ja që, keni parë ju, sikur s’po e ndiej veten hiç mirë. Mund të jetë edhe marrëzi, kushedi, megjithatë seç kam një ndjesi që, nga çasti në çast, gjithçka mund të bëjë vaki. Kur them gjithçka, merreni me mend vetë, çdo gjë duhet pritur. Dhe ç’është më e habitshmja, nuk arrij kurrsesi ta kuptoj se si ky djalosh simpatik, që duhet t’i ketë dy pare mend në kokë, mund të pranojë të bëhet sekretari i tij.
Ndërkohë, në drejtim të tyre po vinin koloneli Ërbathnot dhe MakKuini.
-Shkojmë në kupenë time,- po i thoshte MakKuini.
-Nuk e kanë gatitur ende për të fjetur. Tani, ajo çka më intereson mua të di për politikën që ndiqni ju në Indi është se…
Të dy burrat u kaluan pranë dhe vijuan udhën nëpër korridor, për nga kupeja e MakKuintit.
Zonja Habërd i uroi natën e mirë Puaroit.
– Ma merr mendja që s’më ngelet gjë tjetër veçse t’ia mbaj drejt e në shtrat dhe të lexoj një copë herë, -tha ajo.
-Natën e mirë.
-Natën e mirë, madam.
Puaroi hyri në kupenë e vet, e cila, vinte menjëherë pas asaj të Rashetit. Sakaq u zhvesh dhe u fut në rroba, lexoi afro gjysmë ore, pastaj shoi dritën.
Disa orë më pas, u zgjua si i tromaksur. Pa dyshim, e kishte fare të qartë se kush kish qenë shkaku që i kishte nxjerrë gjumin – një rënkim i thellë, gati –gati një klithmë, ardhur prej diku aty pranë. Po atë çast, u dëgjua tringëllima çjerrëse e një zileje.
Puaroi u ngrit dhe ndezi dritën. Menjëherë vuri re që treni kishte ndaluar nga sa mund të merrej me mend, duhej të qe në ndonjë stacion.
Ende s’po e merrte veten nga klithma që kishte dëgjuar.
Ndërkohë iu kujtua që Rasheti e kishte kupenë ngjitur me të tijën. Zbriti nga shtrati dhe në kohën që hapi derën, pa konduktorin që erdhi me vrap dhe trokiti në derën e kupesë së Rashetit. Puaroi e mbajti derën hapur aq sa të hidhte një sy përjashta. Konduktori trokëlliu lehtazi, për herë të dytë. Zilja ra sërish, veç shumë më poshtë, mbi një derë ku qe ndezur llamba sinjalizuese. Konduktori ktheu kryet andej nga erdhi tringëllima e ziles.
Në të njëjtën kohë, nga kupeja ngjitur me të Puaroit u dëgjua shkoqur një zë, tek tha:
-Ce n’est rien. Je me suis trompe.
-Bien monsieur. –Dhe konduktori u dha këmbëve nxitimthi për nga porta ku qe ndezur llamba.
Mendjefjetur , Puaroi u kthye në shtrat dhe fiku dritën.
Por, më parë i kish hedhur një sy orës. Donte fiks edhe njëzet e tre minuta që të shkonte një.
*Fragment i shkëputur nga romani i Agata Kristi: “Vrasje në Orient Ekspres”
Përktheu nga origjinali:
Virgjil Muçi
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe
HISTORIA MAGJEPSËSE E “ORIENT EXPRESS”, MBRETIT TË TRENAVE, DHE TRENIT TË MBRETËRVE