Nga Agim Baçi
Teoricienët e komunikimit kanë ngritur prej kohësh alarmin e pasojave që jep zhdukja e mendimit kritik në opinionin publik. Sipas filozofit kanadez, Marshall McLuhan, furia e lajmeve nga çdo drejtim, nga shumë rrjete sociale e televizione, i hap rrugën krijimit të turmave imituese dhe zhduk individët që kanë mendim dhe qëndrime kritike.
Sipas McLuhan, prej kohësh, fuqia e ideologjisë në pushtet nuk qëndron më te forca e njohëse ndaj fenomeneve, por tek aftësia për të nxitur e ndezur anët më të errëta të natyrës njerëzore.
Ndaj dhe ky zgjerim i pakontrolluar i komunikimit të sotëm, duke përfshirë sidomos ata që japin spektakle, nuk ka në qendër të vëmendjes kulturën e as të menduarit, por ka instinktet, epshin, egon, dhe tundimin e publikut për t’iu shmangur anonimatit. Ndaj, në shoqërinë shqiptare është më e lehtë të besohet gënjeshtra.
Por, me të drejtë, shumë qytetarë pyesin: Kujt duhet t’i besojmë për ato që dëgjojmë? Përgjigjet për këtë pyetje nuk janë vetëm dy apo tre, e as nuk janë të lehta. Kjo edhe për faktin se politika ka nxitur prej kohësh formalisht përfshirjen e qytetarëve në qeverisje, përmes pyetësorëve, duke krijua ridenë se vendimet e saj bazohen në vendimet e tyre, në përgjigjet që ata japin vetë.
A e keni parë, p.sh, se si kryeministri këmbëngul për amnistinë fiskale, për licencimin e kanabisit dhe shumë vendime të tjera te ajo që ai e quajti “Këshillim Kombëtar”?
Kjo mënyrë “këshillimi” nuk është veçse një përpjekje për t’i kthyer qytetarët në zgjatim të propagandës, e njëkohësisht për të fituar aprovimin e tyre, të paktën për njëfarë kohe. Kjo lojë e “këshillimit”, pa asnjë trasnparencë e mbështetje në Kushtetutë, ka qenë një rrugë që qeveria e ka zgjedhur për marrjen e disa vendimeve që mund të hasin kundërshti nga ekspertët e fushës.
“Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të reklamosh faktin e mohuar. E gjithë kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin që gënjeshtra është gjithnjë një hap përpara së vërtetës”, shprehej Xhorxh Oruell në romanin “1984”, teksa përgatitej “Ministria e së Vërtetës”, ashtu siç edhe kryeministri ynë beson se ka ngritur “Agjencinë e së Vërtetës Publike” që prej kohësh u kërkon qytetarëve të besojnë atë vetëm që i thuhet e jo atë që ndodh realisht.
Vetëm njerëzit që besojnë se mund të jenë të lirë, dhe bëjnë gjithçka për ta mbrojtur lirinë e tyre, kanë më pak gjasa që të jenë viktima të manipulimit, kanë më pak gjasa të aprovojnë një realitet të bazuar në instinkte.
————————–
Lexo edhe:
AGIM BAÇI: NUK PRESIN ËNDRRAT GRUA, NDAJ TË LUTEM MOS MË VONO…
ObserverKult