Agim Baçi: Si mund të largohemi nga shtrati i dëshpërimit dhe trullosjes…

Agim Baçi:
Agim Baçi

Nga Agim Baçi

Raskolnikovi, personazh i romanit “Krim e ndëshkim” i Dostojevskit, rrëfen fillimisht se e ka kryer krimin e vrasjes, duke besuar se ashtu do ndihmonte nënën e tij që të mos i mbetej borxh fajdexhesës për pagesën e studimeve. Ndërkohë që në vetvete e di mirë se këtë hap e kishte hedhur për të treguar se ai nuk i përkiste turmës, se nuk mund të mbetej anonim.

Ky racionalizim i së keqes, ardhur nga pena e Dostojevskit, është ndoshta sot shtegu më joshës i njeriut modern në përditshmërinë e tij. Filozofi amerikan Ulliam Barret, në librin e tij “Njeriu irracional”, shprehet se kalimi nga mospranimi i së keqes në krenimin me fuqinë për t’u bërë i keq, ka vetëm një urë të sigurtë për t’ia arritur- të lërë sa më larg vetes dhe shoqërisë gjykimin moral. Sidomos atë gjykim që buron dhe mbështetet në besimin fetar.

Shoqëria sot është e rrethuar nga ura të tilla, shtyllat e të cilave janë vetëm klishetë që sugjerohen kudo. Dhe që synojnë të garantojnë njeriun se makthi, pasiguria apo trullosja vijnë nga mungesa e guximit për të marrë në dorë fatin e për të treguar se mund të fitosh vetëm përmes fuqisë, e jo mendjes e besimit.

Në një shoqëri si e jona, që ndaloi ligjërisht për shumë vite besimin fetar dhe që e ka trashëgimi dhënien e fuqisë “nga partia”. Që e ka trashëgimi nga ideologjia komuniste artin e justifikimit të krimit dhe normalizimin e së keqes, rreziku i normalizimit të të fortit ka qenë një rrezik i përhershëm. Mjafton të shohim praninë e tyre fare hapur në politikë, për të kuptuar se trashëgimia e së keqes ka arritur të ngrejë krye e të normalizojë botën e vet. Duke e kthyer dijen dhe dashurinë për dijen në një luks të panevojshëm. Madje si pengesë për të ecur përpara.

Raskolnikovi i shoqërisë së sotme nuk ka nevojë të vrasë fajdexheshën. Mjafton që ai të ketë në mendje justifikimin se, veprimet e tij të këqija në dëm të të tjerëve janë të domosdoshme për të dalë nga kotësia, nga anonimati. Pasi bindin veten se e keqja është normale “raskolnikovët e sotëm” janë të gatshëm t’i bashkëngjiten kujtdo që do i ftonte të tregonin fuqinë e tyre dhe aftësinë e tyre për të kryer një veprim. Që edhe pse do të jetë i keq apo i lig, do t’i bëjë fitues. Në këtë rrugëtim ata i ndihmon bota e pafundme e spektaklit që i provokon dhe josh. Që i nxjerr nga kufijtë e normalitetit dhe i fton në fuqinë e duartrokitjeve të masës. Pasiguria dhe frika rrezikojnë të kthehen kështu në mjetet për forcë dhe pushtet, pasi do të vijojë sllogani se vlera morale dhe të menduarit nuk janë më garanci për jetën e sotme.

Një njeri të tillë, të braktisur nga besimi, nga arsyeja, e presin më pas dy rrugë. Të fitojë me çdo kusht ose të dëshpërohet. Si i tillë, ai është i tëri i veshur vetëm me kostumin e neverisë për të ndershmit dhe të moralshmit dhe çdo kostum tjetër i rri ngushtë, e nxjerr keq, e nxjerr jashtë lojës, së cilës i është futur.

Është pikërisht ky, njeriu që i nevojitet më shumë sot politikës. Pasi ai është gati të hipë në trenin e rezultateve dhe jo ideve për të ardhmen, që të besojë se veprimet e tij janë të tilla se ashtu i kërkohet dhe jo se ka të drejtë të mendojë apo të vendosë vetë. Ai është njeriu që njeh për të keqe, dhe për jo morale, veç dështimin, ndaj për të shmangur dështimin, ai është gati të bëjë “raskolnikovin e kohës”, duke vënë në plan të parë mosmirënjohjen ndaj gjithçkaje.

Diktaturat kanë qenë shfrytëzuesit më të mëdhenj të këtij njeriu, që justifikon gjithçka me klishetë “kjo m’u kërkua”, apo “kaq mund të bëja”, gjë që e kanë përçuar edhe shoqëritë postkomuniste në ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore. Trashëgimia kulturore e këtij njeriu pa të shkuar dhe pa besim, e bën një person të tillë një aset të kujtdo që ka nevojë të ndërtojë një shoqëri rezultatesh dhe që për gjithçka të gjejë justifikimin e duhur.

“Njeriu mund të nisë të jetë serioz për veten dhe të tjerët vetëm kur vlerëson besimin, pasi kështu lidhet me të shkuarën dhe të ardhmen”, shkruan filozofi Barret, duke iu kundërvënë filozofisë që mbështet dhe inkurajon vetëm njeriun e rezultateve.

Për t’u vënë përballë këtij njeriu që shfaqet pa fytyrë dhe pa destinacion, ka vetëm një rrugë: të bëjmë sa më parë pyetjet e duhura sesi mund të largohemi nga shtrati i dëshpërimit dhe trullosjes.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Pasojat djallëzore që vijnë nga normalizimi i së keqes”

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: E ARDHMJA NUK MUND TË JETË BANALITET