Agim Bajrami: Karantinë

Tashmë janë mbyllur të gjithë shtigjet
Në tokë, në qiell dhe në det
I flas gjithkujt, por s’më përgjigjet
I flas vetvetes dhe s’më flet.

S’më lënë të dal më tej oborrit
Liritë banojnë veç në kujtime
Un jam tashmë një i burgosur
Që shkoj e vij rreth heshtjes sime.

Të gjithë të mbyllur mbas dritaresh
Nën po ktë qiell anonim
Mbështjellë me maska neandërtalësh
Me frikë,me ankth dhe mosbesim.

Po prape se fshehim kënaqësitë
Që u gdhimë gjallë dhe ktë mëngjes
Paçka se thinjemi çdo ditë
Dhe brenda nesh diçka po vdes.

Si krahë virusesh më ngjajnë zogjtë
Dhe çdo njeri si një rrezik
Një botë e tërë e vetprangosur
Nga një malllkim i madh, biblik.