Agim Doçi: Çfarë kanë njerëzit që egërsohen?

agim doçi
Agim Doçi

Më rrodhën lotët nga sytë e shpirtit
Ky mall i çmendur më torturoi
Më mirë në kryq, në vend të Krishtit
Sesa i vetëm…veç të gjalloj.

Ky shpirt i brishtë që preket lehtë
Nga fjalë e rëndë dhe xhelozia
Më prishi punë gjithmonë në jetë
Më bëri sterrë ditët e mia…

Po çfarë kanë njerëzit që egërsohen?
E çfarë kërkojnë më shumë nga unë?
Ata që s’mund të dashurohen
Përse nuk ikin…por prishin punë.

Më dhemb gjithë trupi, më dhemb gjithçka
Sa fort më dhemb sot gjoksi im…
Kjo botë e madhe plot vende ka!
Po dhembja ime nuk gjen shërim…

Unë them të iki, t’i lë të gjitha !
Të marr me vehte veç mallin tim.
Ta bëj qivur, të shkoj nga isha
Atje i vetëm…dhe në harrim…

Pastaj të kthehem pas qindra motesh
Kur bota ndoshta do ketë ndryshuar
Të lyp lëmoshë në mes metropolesh…
Si shpirt i brishtë…dhe i dashuruar.

Të marr imazhin e asaj që dua
Të shkoj tek bliri me gjel të egër…
Të vij pas meje, ajo me mua
Dhe të këndojmë këngën e vjetër…

“Dua të bëhem paksa e krisur,
Dua të bëhem dhe lot tek syt’
Dua të bëhem dhe gjumë i prishur,
Dua të bëhem imazhi i yt…”

ObserverKult


Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: DASHURIA ËSHTË DHIMBJE… DASHURIA ËSHTË LOT…