Orhan Pamuk: Dashuria është dhimbje… dashuria është lot…

orhan pamuk

Në vazhdim ju sjellim një fragment të shkëputur nga libri “Ngjyrat e tjera” të shkrimtarit Orhan Pamuk.

Nga Orhan Pamuk

Dashuria është dorëzim. Dashuria është arsyeja e dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është muzikë. Dashuria dhe zemra fisnike, janë e njëjta gjë. Dashuria është poezia e trishtimit.

Dashuria është të parit në pasqyrë e shpirtit të brishtë. Dashuria është kalimtare. Dashuria është të mos thuash kurrë jam penduar. Dashuria është kthjelltësim. Dashuria është të japësh. Dashuria është të ndash një çamçakëz. Dashurisë s’i dihet kurrë. Dashuria është fjalë boshe.

Dashuria është të mbërrish te Zoti. Dashuria është dhimbje. Dashuria është të shihesh sy ndër sy me engjëllin. Dashuria është lot. Dashuria është të presësh të bjerë telefoni. Dashuria është një botë e gjithë.

Dashuria është të kapesh dorë për dore në kinema. Dashuria është dehje. Dashuria është përbindësh. Dashuria është verbëri. Dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës. Dashuria është një heshtje e shenjtë.

Dashuria bëhet temë këngësh. Dashuria i bën mirë lëkurës. Pa u dorëzuar i gjithi sa të besoj, por edhe pa rënë i gjithi në një cinizëm, që do të ma linte shpirtin pa shtëpi e atdhe, pra, si duke parë pamjet në televizor i vetëdijshëm se po më gënjejnë, pa u gënjyer, duke dashur të gënjehem, i përftova këto perla.

Duke u nisur nga përvoja ime e kufizuar, por e dendur, dua të shtoj mendimet e mia mbi këtë çështje: Dashuria është malli për të përqafuar me afsh dikë, për të qenë në një vend me të. Është dëshira për ta lënë gjithë botën jashtë kur e përqafon atë, malli për të gjetur një strehë të sigurtë për shpirtin.

Përktheu: Rubin Hoxha

*Orhan Pamuk lindi në Stamboll më 1952 dhe u rrit në një familje të madhe të ngjashme, siç thotë ai me orientim euro-perendimor. U diplomua në gazetari, por nuk punoi kurrë si gazetar.
Në moshën 23-vjeçare Pamuk vendosi të bëhej shkrimtar, duke hequr dorë nga çdo gjë tjetër. Fitoi  Çmimin Nobel për letërsi në vitin 2006.

ObserverKult


Lexo edhe:

“LASGUSH PORADECIN E SOLLËN NGA SPITALI ‘TË VDEKUR’, POR PAS CA ORËSH U NGRIT NGA ARKIVOLI”