Fillim vere sot;
rrathë asociacionesh,
trup gruaje me kanotiere të gjelbërt në kuzhinë,
vezë omëlet, djath kaçkavall, qumësht;
gjalp dhe mjaltë nëse do,
por, para se të ulem në tryezë,
në pasqyrën e tualetit vetvetja
tallet me thinjat, ndërsa
një buzëqeshje prapa supeve
merr trajtën e Madonnës.
Fillim vere,
pastaj
shëtitje të shkurtra buzë liqenit,
dehje në pyll,
shatërvan tingujsh nga goja e një bilbili,
mijra trëndafilëza të vegjël
dhe lidhja e një shalli rozë
mbi gjoksin tënd zbuluar
nga mëndafshet e hënës.
Do t’ja kisha zili sërish
mëngjeseve që ribëjnë peisazhet,
ku qëndron
statuja e bardhë e një gruaje të bukur;
e një gruaje në dashuri si ty, shpirti im…