Shtëpia Botuese “Artini” ka sjellë për lexuesit librin më të ri të Agim Vincës, “Ditari i pandemisë”, ku profesori sjell rrëfimin e tij për 80 ditët e karantinës, mes muajve mars – qershor të këtij viti, teksa qëndronte i mbyllur në banesën e tij në Prishtinë.
“Më 14 mars, një ditë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, vendosa të mbaja ditar, gjë që e kam bërë, herë pas here, edhe më parë. Thashë me vete: të lë një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19”, shkruan prof. Agim Vinca në parathënie.
Kosova përgjatë asaj kohe përveç pandemisë Covid 19 po përjetonte edhe dramën politike të rrëzimit e ndërrimit të qeverive, situatë e pazakontë politike për shtetet normale.
Kështu, në ditarin, ku profesori i Letërsisë së sotme shqipe dhe i Metodave të studimit të letërsisë ka ruajtur ekuilibrin mes aspektit intim, personal e familjar dhe atij publik, shoqëror e kombëtar, lexuesi takohet me shpirtin human të autorit, me reagimin e intelektualit të angazhuar që s’mund të qëndroj indiferent dhe në letargji kundruall proceseve e situatave në të cilat kaloi vendi, por bëhet dëshmitar i pakorruptuar i kohës së tij (Sabato), dhe me poetin që gjithë këtë e ambalazhon përmes një stili elokuent, përplot finesa poetike.
ObserverKult nisur nga sot ju sjell disa fragmente nga ditari.
BOKAÇO DHE MURTAJA E ZEZË
Nga Agim Vinca
E shtunë, 4 prill 2020
Në Kinë ditë zie nacionale për viktimat e koronavirusit. Tri minuta qëndrim gatitu në tërë vendin. Në Sheshin Tienanmen në Pekin komplet udhëheqja shtetërore, me shefin e partisë dhe të shtetit në mes. Të gjithë me tesha të zeza dhe me shikim në tokë. Shteti i madh aziatik, që udhëhiqet nga komunistët, nuk heq dorë nga simbolika e unitetit.
Në Shqipëri sot numri i të prekurve arrin në 333. Është rritur dukshëm numri i të sëmurëve në qytetin e Shkodrës (31). Kot fjalët e asaj gruas babaxhane në ditët e para të pandemisë: “S’ka ç’na bën ky karavirusi ne shkodranëve se jemi racë e fortë!”.
Në Kosovë 135 të konfirmuar dhe vetëm dy viktima, një në Prishtinë dhe një në Leposaviq.
Në Maqedoni 230 raste dhe 12 viktima. Edhe në Veleshtën time janë konstatuar tre të infektuar.
Të dhënat ndryshojnë nga çasti në çast, kështu që është vështirë t’i ndjekësh rregullisht dhe t’i pasqyrosh saktë.
Vetëm Koreja Veriore pretendon se nuk ka asnjë të sëmurë nga koronavirusi. Kombit të Kim Jong Unit s’ka ç’i bën as koronavirusi!
Në portalin ObserverKult lexoj një ese të shkëlqyeshëm të Mario Vargas Ljosës për Dekameronin e Bokaços; një analizë brilante e kësaj kryevepre të letërsisë italiane dhe botërore, që lindi në rrethanat e epidemisë së murtajës që kaploi Firencën në vitin 1348 (shek. XIV).
Pa përvojën e 1348-s Bokaço nuk do të kishte mundur të shkruante ditën e parë magjistrale me të cilën fillon Dekameroni, duke përshkruar panoramën e tmerrshme të një qyteti të mbushur me pirgje kufomash, sepse askush nuk ka kohë t’u bëjë një varrim njerëzor të gjithë atyre që shuhen si viktima të sëmundjes vdekjeprurëse.
Letërsia e madhe nuk u shmanget dramave të mëdha, që përcaktojnë fatin e popujve dhe të njerëzimit, qofshin ato luftëra e revolucione shoqërore apo edhe kataklizma natyrore.
Bokaço tregon, në ditën e parë të Dekameronit, se një nga efektet e murtajës ka qenë falimentimi moral i njerëzve, banorëve të Firencës, të cilët, gjatë ditëve të epidemisë së murtajës dhe të vdekjes, u lëshuan në imoralitet dhe kurvëri, duke shkelur normat, rregullat dhe sjelljet që deri atëherë kishin kufizuar deri diku marrëdhëniet seksuale – shkruan ndër të tjera Vargas Ljosa në sprovën: Dekameroni, një kryevepër që lindi për shkak të murtajës.
Mario Vargas Ljosa është shkrimtar që ka afinitet për temat e mëdha shoqërore, ku pasionet politike ndeshen me dobësitë njerëzore. Tema politike tek ai gërshetohet me erosin. Romani Festa e cjapit është një kryevepër, që trajton fatin e një populli në diktaturë. Është ndoshta romani më i madh politik në botë. (Askush s’mund ta dijë ç’është diktatura pa e lexuar këtë roman). Vajza e prapë është një histori dashurie, pasioni e xhelozie, që lexohet me një frymë, kurse Lëvdatë për njerkën një ekzaltim me trupin njerëzor dhe himn i dashurisë sensuale.
Ljosa është shkrimtar erudit, që krahas prozës, shkruan edhe ese e kritikë. Libri Letra një shkrimtari të ri është sintezë e përvojës krijuese të autorit dhe e kulturës së tij të gjerë letrare, me një fjalë gjedhe e kritikës që teoricienët francezë e quajnë “La critique des créateurs” (Kritikë e krijuesve), ku, sipas profesoreshës Élisabeth Ravoux Rallo, hyjnë Borhesi, Kalvino, Zhylien Graku e krijues të tjerë të mëdhenj.
Për ne shqiptarët rëndësi të veçantë ka fakti që ai u pozicionua drejt në vitin 1999: pro bombardimeve të NATO-s dhe kundër agresionit serb që synonte spastrimin etnik të Kosovës, pa i shkuar në mend se ç’luftë e pistë do të zhvillohej këtu dy dekada më vonë mes vetë shqiptarëve – luftë për pushtet në kohë vdekjeje!
Po ç’mendim ka ky shkrimtar për angazhimin e intelektualëve në politikë? I përfshirë edhe vetë në luftën politike të vendit të vet në vitet ’90, në garën për president të Perusë, të cilën e humbi, Ljosa shqiptoi fjalinë e mëposhtme: “Nga pjesëmarrja aktive në jetën politike kam pasur vetëm poshtërim, pështyrje dhe dëshpërim”.
I dëshpëruar iku nga Amerika Latine në Evropë, ku jeton edhe sot (në Spanjë, Madrid).
Noli e humbi luftën politike me Zogun, Trocki me Stalinin, Midhat Frashëri me Enver Hoxhën, Mario Vargas Ljosa me Alberto Fuxhimorin… Albin Kurti me “argatin e Serbisë”, Isa Mustafën.
Ministër në kohën e Rrahman Morinës; ministër në qeverinë në ekzil të Bukoshit; dy mandate kryetar i Prishtinës, pastaj kryeministër i Republikës; dy herë në krye të LDK-së. Ndoshta bëhet edhe president një ditë, edhe pse s’ecën dot pa shkop! Ky është Isa Mustafa, njeriu politik më me ndikim në Kosovë, pas Hashim Thaçit, të njohur në luftë me pseudonimin “Gjarpri”. Shkopi i të parit dhe këmbët e të dytit po e sjellin rrotull Kosovën!
Edhe pse në Itali në dy-tri ditët e fundit pati një rënie të lehtë të numrit të viktimave, ky numër prapë është i lartë: 766 në 24 orë.
Në SHBA numri i të prekurve me koronavirus ka arritur në rreth 260 mijë dhe mbi 6500 të vdekur, 1560 prej të cilëve janë vetëm në shtetin e Nju-Jorkut (në mesin e viktimave janë edhe 9 shqiptarë). SHBA-të kërkojnë ndihmë prej Rusisë. Maska në radhë të parë.
Në Londër ka pasur 684 viktima brenda një dite. Pritet që Mbretëresha t’i drejtohet kombit, gjë që ndodh rrallë në historinë e këtij vendi.
Prej shteteve të mëdha të Evropës vetëm Gjermania qëndron pak më mirë. Meritë e vetë gjermanëve apo edhe e zonjës Merkel?
Tani, ndryshe nga ç’thoshte Herakliti, jo vetëm të fjeturit, por edhe të zgjuarit janë veç!/ ObserverKult