
(Epitaf për të rënët në Tivar)
Toka poshtë. Qielli lart.
Deti në mes.
Dhe ne që vemë një kurorë lulesh
te kjo godinë e vjetër, e gurtë
me emrin Monopol!
Lule të kuqe, lule të bardha
të freskëta si gjaku, si shpresa.
Ende vret njerëz në botë Urrejtja
me tyta, thika, granata, helm e kokarda
Mijëra e miliarda…
Njeriu vret!
Jemi në Tivar Breg,
Ulqinakë, anamalas, kranjanë, shestanas
kosovarë, tiranas, shkupjanë, lumjanë
miq e shokë nga Drenica, Karadaku,
Dukagjini, Tropoja
Këtu tek u bë ploja.
Binin si kallinj trupat e gjallë,
klithnin, çmendeshin, rënkonin,
kërkonin një pikë ujë para se të vdisnin!
Xhelatët shtinin pa pushim
mbi banditët shiftarë
nga të gjitha anët, me të gjitha armët
dhe këndonin këngë për lirinë.
Madhëronin luftën, fitoren, Mareshalin
dhe deheshin me gjak e shlivovicë!
Në këtë danse macabre
Gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë!
E në Tivar Nalt nuk ra kambana për mort
Arqipeshkvi Guilielm Adam nuk shkroi raport,
as u lut kush për shpirtin e të vdekurve.
Veç qielli lart i pa të gjitha
qielli i hirtë dhe retë në horizont!
Trupat që binin si bari nën kosë
Gjakun që rridhte lumë
Plagët që kullonin gjak
Plisat e bardhë që notonin mbi det.
Vajmedet!
Veç qielli i hirtë dhe retë e kuqërremta.
Jemi në Tivar Breg.
Në këtë muranë pa shenjë, pa lapidar!
Ende vret njerëz në botë Urrejtja
Si këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë,
Si këtu e gjashtëqind vjet,
Si këtu e gjashtë mijë vjet!
Si në Trojë, Vaterlo e Hiroshimë,
në Prekaz, Sarajevë e Reçak!
Gjak! Gjak! Gjak njeriu has!
Këtu ranë për një ditë mijëra plisbardhë
Korrur nga breshëritë e mitralozit,
djegur nga flakët e barotit.
Toka poshtë. Qielli lart. Deti në mes.
Dhe ne që vemë një kurorë lulesh
lulesh të kuqe si gjaku, të bardha si harresa
në Tivar Poshtë.
E në Tivar Nalt prapë hesht Kambana e Sahatkulla
Askush nuk lutet për shpirtin e të rënëve.
Veç baca Banush, plaku qibar 93 vjeç nga Prishtina e vjetër,
tregon me dorë si orakull, sypërlotur,
një përrua, një shpellë, një guvë, një hon, një pellg
dhe detin përballë detin
tek flenë hijet e atyre që ranë këtu
në pikë të ditës
në agun e lirisë së popujve,
të lirisë së larë me gjak
te ky shesh kalvar, te kjo godinë Golgotë
me emrin profan Monopol i Duhanit,
Atëbotë e sot,
Atëbotë e sot,
O, Zot!
(Tivar, Monopoli i Duhanit, 31 mars 2013)
ObserverKult
Lexo edhe:






