Agim Vinca: …Dhe librat i kam kënduar të gjitha!

agim vinca

Fragment nga libri më i ri i Agim Vincës “Ditari i pandemisë”

… DHE LIBRAT I KAM KËNDUAR TË GJITHA!

E martë, 21 prill 2020

Ditë e zymtë. Me shi. Një shi i trishtë, që s’ka ndër mend të ndalet.

 As lajmet nuk janë më të mira.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së ka vdekur gruaja shtatzënë nga Gjakova e prekur nga virusi i  kobshëm. Një nënë me foshnjën e saj të palindur do të kallet në dheun e zi të lagësht… Dhe ishte vetëm dyzet vjeç!

Shumë punëtorë, sidomos në sektorin privat, kanë mbetur pa punë dhe pa pagë. Radio Evropa e lirë thotë se ky numër arrin deri në 50 mijë.

Rrugës s’sheh njeri. Veç tek-tuk ndonjë kalimtar me ombrellë që ngutet për diku. As pëllumbat nuk shihen kund. Sigurisht janë strehuar nën çati. Flenë ose bëjnë dashuri.

Sot, për çudi, edhe telefoni hesht. Asnjë telefonatë deri tani, në orën 14, përveç asaj të sime motre në mëngjes.

Flas me profesor Qosjen. Ishin duke ngrënë drekë kur thirra, prandaj nuk e zgjas. Por shfrytëzoj rastin t’ia bëj një pyetje që e kam menduar kaherë. “A po e vazhdon ditarin?” – e pyes. “Po”, thotë pa i bishtnuar pyetjes. “Veç nuk e di a do të mbërrij ta botoj”. Së shpejti do t’i mbushë 84 vjet, por ende është i fortë fizikisht dhe i kthjellët mendërisht. Si rrallëkush nga moshatarët e vet.

Nuk i tregoj se edhe unë po mbaj ditar këto ditë, madje rregullisht. Veç i them se po bëj disa shënime. Prej tij e kam dëgjuar thënien e famshme të Foknerit se “tregimi që tregohet nuk shkruhet”. Shkrimtarët marrin mësysh si fëmijët! 

Në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, varroset aktori dhe regjisori i mirënjohur Rikard Ljarja.

Aktorja e njohur, Roza Anagnosti dhe bashkëshorti i saj, regjisori Dhimitër Anagnosti, “thyejnë“ karantinën për t’i dhënë lamtumirën e fundit mikut dhe kolegut të tyre të dashur. “Bëmë një ‘shkelje’, por ai e meritonte. Iku në një kohë të trishtë…”, thotë Roza e përlotur.

Më mërzit një imejll i një njeriu të dashur, i cili, edhe pse historian, në situatën nëpër të cilën po kalon Kosova është pozicionuar gabimisht: është vënë në anën e gabuar të historisë. Mundohem ta kthej “kah Kibla”, por kot. Nuk heq dorë nga e tija. Unë një fjalë, ai njëqind! Nuk e kam ditur se është kaq kokëfortë.

Në mungesë të përqendrimit, shëtis nga një libër në tjetrin. Nga Rrëfim për dashurinë dhe errësirën, i Amos Ozit, te Novelat e Cvajgut (Amoku), te Bora e Pamukut (Biseda e vrasësit me viktimën) dhe Procesi i Kafkës (rilexoj për të satën herë parabolën Porta e ligjit, që e analizoja shpesh me studentët). Loja vazhdon me tanët: Kuteli, Koliqi, Kadareja, Petro Marko, sipas rendit që zënë në raft kompletet.

Në një ditë si kjo nuk mund të mos e kujtosh vargun emblematik të Malarmesë: “La vie est triste, helas! et j’ai lu tous les livres!”, që po aq bukur tingëllon në shqip, në përkthim të mjeshtrit  të fjalës, arbiter elegantiae,  Faik bej Konicës: “Jeta është e trishtë dhe librat i kam kënduar të gjitha”./ ObserverKult