Fragment nga libri më i ri i Agim Vincës “Ditari i pandemisë”
DITA E POEZISË DHE ARTI I DHIMBJES UNIVERSALE
E shtunë, 21 mars 2020
Sipas kalendarit sot është dita e parë e pranverës…
Qenka shkruar që stinën më të bukur të motit këtë vit ta presim në karantinë…
Është një këngë popullore, që e dua shumë dhe që më pëlqen ta dëgjoj në çdo stinë.
“Erdh pranvera, çeli qershia/ Unë rri tuj mendu…”.
Kurrë s’e kam përjetuar më fort se sot këtë këngë, teksa e dëgjoja në radio, në një emision kontaktues me dëgjuesit, ku nuk mungonin as telefonatat nga bota e jashtme. Njerëzit tanë të diasporës sillnin përvojën me koronën në vendet ku jetojnë.
Prej sot ndalohet frekunetimi i parqeve. I Gërmisë në radhë të parë. Mezi prisnim të vinte pranvera për të dalë në natyrë, por jemi në luftë me virusin dhe duhet të rrimë mbyllë. Parullë e ditës janë fjalët: “Rri në shtëpi!”.
Kjo luftë e kërkon këtë ‘sakrificë’!
*
Gazeta “Dita” e ditës së sotme sjell një hartë të vendeve të prekura nga koronavirusi, ku prijnë Kina me 81300 dhe Irani me 18407 të infektuar. Gjithsej vende: 176. Të vdekur: 9840.
Në Shqipëri 170 të prekur (dy të shëruar dhe dy të vdekur), kurse në Kosovë 24 të prekur (dy të vdekur), por shpejt u bënë 27.
Fjala më e re e gjuhës angleze: covidiot: njeri që injoron masat kundër Covid-19.
Një këngëtare me buzë të fryra, shfryn: “Po na ndëshkon Allahu!”.
*
21 marsi është edhe Dita e Poezisë. Që nga viti 1999, me vendim të UNESCO-s, kjo ditë është shpallur si “Dita Botërore e Poezisë”.
Herë pas here lexoj në portalet tona poezi për pandeminë. Janë kryesisht të dobëta, të zakonshme, anemike…Mungon “arti i dhimbjes universale”…Ja dy vargje nga poeti sirian, Adonis, që jeton në Paris:
“Gëzimi ka flatra, jo trup; trishtimi ka trup, jo flatra”.
Autori i kësaj perle deri në moshën 14 vjeç ishte bari. Falë një takimi të rastësishëm me mbretin u bë poet. Ngjan si përrallë, nga ato përrallat arabe, ku elementi i mrekullishëm është shumë i fuqishëm, por është e vërtetë. Ai solli në vargje traditën e vendit të tij, që nga fenikasit e lashtë, nga e mori edhe pseudonimin Adonis, hyjni që adhurohej në Feniki si simbol i bukurisë dhe ringjalljes./ ObserverKult