
(Vështrim i përgjithshëm)
Nga Agim Vinca
I pyetur kohë më parë – në një intervistë – se ç’mendoj për kontributin që kanë dhënë krijuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për artin, letërsinë dhe kulturën kombëtare, pata dhënë këtë përgjigje: “Letërsia shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut është pjesë integrale e letërsisë shqipe. Për shkak të rrethanave historike në të cilat ka jetuar dhe vazhdon të jetojë kombi shqiptar, letërsia shqipe krijohet në kontekste të ndryshme socio-kulturore, por ka një traditë të përbashkët letrare dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë: në gjuhën shqipe. Pas Tiranës dhe Prishtinës, Shkupi është qendra e tretë e kulturës shqiptare të kohës sonë, prandaj tendencat për t’i anashkaluar vlerat letrare dhe artistike të krijuara në këtë pjesë të hapësirës shqiptare, ngado që të vijnë ato, janë kundërkulturore dhe kundërkombëtare”. (Nga intervista dhënë revistës Hejza më 30 nëntor 2024).
Shikuar në përgjithësi letërsia shqipe në Maqedoni ka po ato veçori që i ka e gjithë letërsia bashkëkohore shqipe e krijuar në ish-Jugosllavi. Kjo vlen natyrisht për periudhën 1945-1990 kur shkrimtarët shqiptarë jetonin dhe krijonin në të njëjtin shtet, me të njëjtin sistem politik dhe me të njëjtin qëndrim zyrtar ndaj artit dhe letërsisë.
Kur themi kështu kemi parasysh faktin se në Jugosllavi, pa kaluar shumë kohë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, u hoq dorë nga realizmi socialist, që kishte zotëruar jetën letrare të vendit në vitet e para të pasluftës, në mos edhe më parë.
Në Kongresin e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, të mbajtur në Lubjanë më 1952, ku referatin kryesor e mbajti shkrimtari i madh kroat, Mirosllav Kërlezha, u proklamua ndjekja e një rruge të mesme në art, letërsi e filozofi: “as me Lindjen as me Perëndimin”, respektivisht krijimi i një “arti vetjak socialist”, si thuhej në referatin e Kërlezhës.[1]
Doktrina e realizmit socialist u hodh poshtë, por fryma e saj do të vazhdojë deri vonë, sidomos në Kosovë e Maqedoni. Ndryshe nga ç’ndodhte në Shqipëri, tek ne nuk kërkohej që shkrimtarët të shkruanin sipas teorisë sovjetike, por insistohej te diçka tjetër, po aq e keqe, në mos më shumë. Në një takim me shkrimtarët e Kosmetit, si quhej atëherë Kosova, të mbajtur në vitin 1958 në Prishtinë, shkrimtari i njohur serb Dobrica Qosiq, i ardhur apostafat nga Beogradi, i porosiste shkrimtarët shqiptarë që të fillonin letërsinë e tyre të re “nga fillimi” dhe “në frymën e patriotizmit socialist jugosllav”. I vetmi që iu kundërvu këtij koncepti dhe autorit të tij ishte shkrimtari asokohe i ri, Adem Demaçi, i cili tha se shkrimtarët shqiptarë nuk kanë pse të fillojnë “nga e para”. “Ne duhet vetëm të vazhdojmë aty ku e kanë lënë shkrimtarët tanë të mëdhenj: Pjetër Budi, Frang Bardhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Lasgush Poradeci, Sterjo Spasse, Mitrush Kuteli e shumë të tjerë…”.[2]
Dihet ç’ndodhi me Adem Demaçin! Pa kaluar as disa muaj, autori i romanit emblematik Gjarpijt e gjakut dhe i tregimeve të mrekullueshme të librit Kur zoti harron,[3] u arrestua dhe u dënua me burg, vepra e tij u ndalua, kurse karriera e tij letrare, shumë premtuese, mori fund.
Në këto kushte u krijua letërsia shqipe në Kosovë deri në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë, deri diku edhe më vonë, me përjashtim të viteve shtatëdhjetë kur Kosova përjetoi një zhvillim të hovshëm arsimor, kulturor dhe shkencor.
Situata në Maqedoni ishte edhe më e rëndë, veçanërisht në vitet tetëdhjetë, kur pushteti maqedonas zhvilloi një fushatë të egër, të paparë, kundër gjuhës shqipe, shkollës, arsimit, kulturës, artit dhe letërsisë që krijohej në këtë hapësirë, një aparted i vërtetë, që zgjati deri në vitin 1990, por në forma të tjera, më të sofistikuara, edhe më pas.
Pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, kur Maqedonia pavarësohet si shtet, kurse Kosova kalon nëpër periudhën e okupimit serb, rrugët “ndahen” dhe marrin kahe pak a shumë të ndryshme. Universiteti i Prishtinës, që kishte qenë qendër e shkollimit të kuadrove shqiptare nga Maqedonia, mbyllet nga autoritetet serbe, kurse të rinjtë shqiptarë matanë Sharrit orientohen kah Tirana, që po hapej pas rënies së diktaturës; fillon komunikimi kulturor në relacionin Shkup-Tiranë (Tetovë-Tiranë), në formë kontaktesh private, por edhe institucionale; shqiptarët në IRJM, si quhej atëherë ky shtet, bëjnë përpjekje të formojnë institucionet e veta arsimore, shkencore dhe kulturore, përfshirë edhe asociacionet e shkrimtarëve dhe manifestimet letrare. Edhe komunikimi i Kosovës me Shqipërinë në vitet ’90, përfshirë edhe periudhën e luftës, kalonte kryesisht nëpër Maqedoni.
Ky është, pak a shumë, konteksti në të cilin u zhvillua letërsia shqipe në “Maqedoninë e Veriut”, si quhet ky shtet nga viti 2018. (Të them, në parantezë, se unë si njeri që jam marrë gjatë me çështjen shqiptare në Maqedoni, pata dalë me propozimin që ky vend, për shkak të pozitës gjeografike dhe të strukturës etnike, të quhej “Republika Qendrore e Ballkanit”. E dija që nuk kalonte, por e hodha si ide, me shpresë se do ta mbështeste faktori politik shqiptar dhe kolegët e mi intelektualë, por nuk ndodhi kështu).
Kur fillon letërsia shqipe në Maqedoni?
Kemi mësuar në shkollë se letërsia shqipe në Maqedoni, sikurse edhe kjo në Kosovë, fillon në vitin 1945, por ka ardhur koha të shtrohet pyetja: a mund të flitet për letërsi shqipe në territorin e Maqedonisë së sotme edhe para Luftës së Dytë Botërore?
Kësaj pyetjeje me sa di nuk i është dhënë ndonjë përgjigje.
Lëvizja e Rilindjes Kombëtare përfshiu gjithë hapësirën shqiptare, tërë “Mymleqetin”, siç do të thoshte Ndue Bytyçi (1847-1917), poeti i parë shqiptar i lindur në këtë trevë (në rrethinën e Shkupit).
Është i jashtëzakonshëm kontributi i familjes Qiriazi, vëllezërve Gjerasim e Gjergj dhe motrave Sevasti e Parashqevi, për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare; Gjerasimi la në dorëshkrim edhe një roman, Pengu i kaçakëve, që flet për zënien peng të tij nga një grup kaçakësh në vitin 1884,[4] por botoi, bashkë me të vëllanë, Gjergjin, edhe një përmbledhje me vjersha, këngë, dialogë dhe përralla më 1902 dhe 1907.
Një krijues tjetër që i takon kësaj lëvizjeje është Josif Bageri nga fshati Nistrovë i Rekës, i cili e zhvilloi veprimtarinë e tij në Sofje. Me shkrime publicistike janë marrë edhe Dervish Hima, dr. Ibrahim Temo, Jashar Erebara e të tjerë, por poeti i parë shqiptar nga kjo trevë që arriti të botonte një përmbledhje me poezi është Josif Bageri (Kopësht malësori, 1910). (I lindur në një fshat që sot thuaja se nuk ekziston, Bageri, sikurse edhe Qiriazët, është metaforë e fatit tragjik të komunitetit ortodoks shqiptar në Maqedoni). Afërsisht në të njëjtën kohë vepronin edhe disa klerikë myslimanë, një nga të cilët është Rexhep Voka nga Shipkovica e Tetovës, autor i disa shkrimeve didaktike dhe i një Abetareje (1910) me alfabet arab.[5]
Në sistemin monarkik jugosllav gjuha shqipe ishte e ndaluar; edhe përkatësia e njerëzve bëhej mbi bazë konfesionale e jo etnike; duhej pritur fillimi i viteve dyzet të shekullit të kaluar për t’u hapur shkollat shqipe dhe për të depërtuar libri shqip në viset shqiptare në Maqedoni, pjesa dërrmuese e të cilave iu bashkuan të a. q. “Shqipëri e Madhe”, nën sundimin italian. Në këtë kohë u krijuan kushtet për krijimin e një lëvizjeje kulturore dhe lindjen e ndonjë krijuesi letrar, çfarë ishte, fjala vjen, intelektuali strugan Murat Labënishti, i cili botoi një tufë poezish në shtypin e kohës në Tiranë,[6] krijime që nuk u mungonte vlera letrare, por të cilat vazhdojnë të mbeten të panjohura edhe sot për publikun e gjerë.[7]
Represioni politik i pushtetarëve të rinj maqedonë dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë, bëri që “filizat të mbyteshin mu në farë”. Një nga këto “filiza” ishte martiri Sadudin Gjura, trupin e të cilit do ta gjejnë të vdekur barinjtë e Sharrit shumë vjet më vonë, pas burgut shumëvjeçar, dhunës fizike e psikike dhe ostrakimit publik që pasoi pas daljes nga burgu. Në një nga numrat e parë të revistës letrare “Jeta e re” (nr.1-2, 1950) botohet një vjershë me titull Jeta e re e njerzimit po agon, në të cilën poeti, me patos revolucionar, këndon për luftën dhe lirinë, e cila për shqiptarët nuk qe liri, e aq më pak për të si person.[8]
Fillimet, pra, janë relativisht të hershme, por për një veprimtari të organizuar letrare (të organizuar e të mbikëqyrur njëkohësisht) në gjuhën shqipe në Maqedoninë e sotme, mund të flitet vetëm nga gjysma e dytë e shek. XX?
Po qe se nisemi nga libri i parë letrar shqip i botuar në Shkup, një përmbledhje modeste vjershash për fëmijë, Vjersha (1952), vepër e dy autorëve (Mehmedali Hoxha dhe Lutfi Rusi) do të mund të thoshim se letërsia shqipe që krijohet në Maqedoni shtrihet në një periudhë kohore më se shtatëdhjetëvjeçare dhe përfshin një numër të madh autorësh, disa prej të cilëve tashmë e kanë mbyllur krijimtarinë, por pjesa më e madhe vazhdon të jetë aktive.
Vetë koncepti “letërsi shqipe në Maqedoni” është pak fluid: ndarje strikte nuk ka (nuk ka pasur në të kaluarën dhe nuk ka as sot), sepse autorët kanë lëvizur nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas. Kështu, për shembull, Adem Gajtani, ka lindur në Podujevë, por tërë veprimtarinë e ka zhvilluar në Shkup. Në Shkup, pranë Redaksisë së “Flakës”, do të veprojnë një kohë (në vitet ’70), edhe Teki Dervishi e Jusuf Gërvalla, ndërsa Eqrem Basha dhe unë, fjala vjen, do ta vazhdojmë krijimtarinë në Prishtinë, pa i shkëputur lidhjet me vendlindjen.
Prishtina ka qenë deri vonë Piemont i të gjithë krijuesve shqiptarë në ish-Jugosllavi, rol të cilin vazhdon ta luajë pak a shumë edhe sot.
Në letërsinë shqipe në Maqedoni kultivohen të gjitha gjinitë dhe format letrare: poezia, proza, drama dhe kritika letrare (plus letërsia për fëmijë), por poezia prin në raport me të tjerat.[9]
Dy librat e parë me poezi të autorëve shqiptarë në Maqedoni janë Zani i malit i Murat Isakut (1960) dhe Drita në zemër e Adem Gajtanit (1961). Isaku shkruante një poezi kryesisht sociale me tone dramatike, kurse Gajtani një poezi lirike, kryesisht intime, me thekse refleksive. Këtij brezi i takon edhe bashkëvendësi i Isakut, Abdylaziz Islami, shumë i frytshëm si poet, i lidhur ngushtë me temën e vendlindjes dhe të kaluarën e saj historike; ndër të parët që kultivoi edhe sonetin si formë poetike, madje edhe kurorën sonetike. Botimi i një libri me poezi në gjuhën shqipe në vitet gjashtëdhjetë në Maqedoni, pjesërisht edhe më vonë, ishte një ngjarje letrare. Në këtë kontekst vlen të përmenden, pos dy librave të Isakut e Gajtanit, si dhe librit Era dhe vargjet të Islamit (1964), edhe përmbledhjet Dallgë jugu (1967) e Nuhi Vincës, Zë bylbyli, lule maji (1969) e Nexhat Pustinës, Kah dita (1969) e Rahmi Tudës etj., poetë që po ashtu kanë lënë gjurmë në rrjedhat e poezisë shqipe në Maqedoni.[10]
Poetët e këtij brezi, do ta vazhdojnë krijimtarinë e tyre edhe më vonë, kur në skenë do të dalin, krahas tyre, edhe krijues të tjerë, me ambicie më të mëdha, jo gjithmonë në përputhje me mundësitë krijuese. E hapur ndaj rrymave moderne dhe ndikimeve nga jashtë, përfshirë edhe ato nga letërsia maqedonase me të cilën është në kontakt, letërsia shqipe në Maqedoni, poezia në radhë të parë, do të manifestojë ambicie më të mëdha në planin figurativ, por edhe frustrimet e veta për shkak të frikës nga censura.
Pjesa më vitale e saj, në tërë shtrirjen gjeografike, është e lidhur ngushtë me trevën nga vjen dhe fatin e banorëve të saj, historik dhe aktual. Mu për këtë lajtmotiv i kësaj poezie është tema e vendlindjes. I shkëputur padrejtësisht nga trungu i tij, populli shqiptar në Maqedoni nuk e ka konsideruar kurrë atdhe të vetin Maqedoninë. Shtet po, atdhe jo. I pranishëm dendur në vargjet e poetëve, nocioni vendlindje, siç është konstatuar me të drejtë, është ekuivalent me nocionin atdhe ose një eufemizëm i tij.[11]
Krijues si Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nehas Sopaj, Lulzim Haziri, Shazim Mehmeti, Puntorie Muça-Ziba, Shkëlzen Halimi, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu e të tjerë, të pranishëm ose jo në sallë, janë pjesë e kësaj letërsie dhe zhvillimeve të saj. Disa nga këta e mbajtën gjallë procesin letrar në gjuhën shqipe në Maqedoni edhe në kohë të vështira, qoftë edhe me kompromise të dhimbshme, deri në vitin 1990, kur ra sistemi komunist dhe monopoli i Lidhjes së Komunistëve mbi pushtetin dhe të vërtetën, që bëri të mundur daljen nga “getoja” e viteve ’80 dhe hapjen e perspektivave të reja në jetë dhe në art.
A mund të flitet për një valë të re krijuese në letërsinë shqipe në Maqedoni nga vitet nëntëdhjetë e këndej? Ndonëse prirjet janë të ndryshme, herë-herë edhe të kundërta, si në poezi, ashtu edhe në prozë, do të mund të thuhej se tendencë mbizotëruese e fundit të shekullit që lamë pas dhe e çerekut të parë të këtij në të cilin kemi hyrë, është tendenca e krijimit të një letërsie të hapur, proteike, gjithpërfshirëse, si në planin tematik, ashtu edhe në atë stilistik, krijimtari që në diskursin kritik quhet ars combinatoria ose, edhe më thjesht, “letërsi postmoderne”.
Pa mohuar kurrsesi vlerat e të tjerëve, një nga përfaqësuesit e kësaj tendence – ndër më të hershmit dhe më të artikuluarit – është poeti Salajdin Salihu (1970).
Kam qenë redaktor i librit të tij të parë, Vdes pas gjërave të imëta (1996) dhe mund të them se Salajdini është në njëfarë dore zbulim imi si poet. Në recensionin për këtë libër pata shkruar se fjala është për një krijues që sjell një sensibilitet të ri në poezinë shqipe në Maqedoni, ligjërimi i të cilit i ngjan të folurit të përditshëm, kolokuial, por nuk mbetet në nivel të tij, sepse me anë të ndërlidhjeve të reja asociative arrin ta ‘çrëndomtësojë’ gjuhën dhe të përftojë efekte estetike. (T’ju zbuloj edhe një detaj: ishte dorëshkrimi i parë që më binte në dorë i radhitur në kompjuter, ku vargjet paraqiteshin jo me vijë të drejtë, por në formë të centruar, formë të cilën do ta përdori edhe vetë më vonë në disa poezi të miat: Ode biçikletës sime, Palimpsest për gruan dhe librin etj.).
Kanë kaluar gati tridhjetë vjet nga ajo kohë. Tani Salajdini, krahas poezisë dhe publicistikës, shkruan edhe ese e studime letrare, por në esencë ka mbetur poet. Krijues që e ka asimiluar përvojën e vargut shqip, poezinë e shkruan edhe me varg të lirë të një sinteze të fuqishme figurative (herë-herë edhe në formë të prozës poetike), por edhe me vargje të rimuara e strofike, varësisht nga intenca e tekstit. Për ta dëshmuar këtë po veçoj një poezi që flet për rrënjët historike të shqiptarëve në këto troje, por edhe për zhdukjen e këtyre gjurmëve, duke e funksionalizuar në mënyrë mjeshtërore gjuhën arkaike shqipe.- NDË OHRI/ Ndë një vjetë të largët ndë Ohri/ Progon Skura heteriarku/ Puthte një Evdhoki// Dhe Andrej Gropa më pastaj/ puthte Anën a Kiranën/ Pranë kishës Shën Sofi// Dhe ra terri mbi historinë/ Mbi Progonin e Andrenë/ Mbi Kiranën e Evdhokinë// Ndë asnjë altar/ Ndë asnjë klishë/ As edhe një fjalë më nuk kumbon/ Nga e ambla gluhë arbënisht”.
Katër tercina në dukje të thjeshta, që sajojnë një tërësi kompakte, çelës i së cilës është vargu: “Dhe ra terri mbi historinë”.
Errësira e shekujve e zhbëri popullatën ortodokse shqiptare në Maqedoni dhe ua ndryshoi pothuajse në tërësi fizionominë qendrave të rëndësishme historike si Ohri e Manastiri, pjesërisht edhe Shkupi, dikur qendër e Vilajetit të Kosovës, për të mos shkuar edhe më larg në histori.
Ç’mund të thuhet për statusin e letërsisë shqipe në Maqedoni nga aspekti socio-kulturor?
Në sistemin e kaluar shkrimtari ishte i rrezikuar, por fjala e tij kishte peshë. Tani, në tranzicion, shkrimtarin s’e trazon kush politikisht, në kuptimin e përndjekjes, por as nuk e marrin seriozisht.
Shpërfillja e artit dhe e letërsisë nga pushteti dhe pushtetarët, në njërën anë dhe rënia e interesimit të publikut për letërsinë, në anën tjetër, e ka zbehur shumë autoritetin e shkrimtarit dhe rolin e letërsisë. Ky fenomen e karakterizon gjithë hapësirën shqiptare, por në Maqedoni, për shkak të traditës së mangët dhe mungesës së autoriteteve letrare, është më i theksuar se në Shqipëri dhe në Kosovë.
Më shkruante kohë më parë një mik shkrimtar, duke ma dërguar në formë elektronike librin e tij më të ri me tregime: “nga mosreagimet, as pozitive, as negative, për librat e mi, më është krijuar bindja se po shkruaj kot”. Ia lexova librin dhe i shkrova autorit, jo vetëm për mirësjellje.[12] Është një prozë inteligjente me frymëzim ekzistencial, që e përshkon ndjenja tragjike e jetës. Tregimet, kryesisht të shkurtra, në formë skicash a parabolash, piketojnë situata absurde, që modelohen nëpërmjet variacionesh gjuhësore e stilistike, metatezash pa fund, që t’i kujtojnë madrigalet e Dranes së Camajt, apo edhe veprën Ushtrime stilistike (Exercices de style, 1947) të shkrimtarit francez Rejmon Këno (Raymond Queneau), ku e njëjta histori, një ngjarje në autobus, rrëfehet 99 herë në mënyra të ndryshme. Kjo vepër nuk është përkthyer shqip, nuk besoj as në maqedonisht, por ka një përkthim të shkëlqyer në serbokroatisht, të bërë nga Danillo Kishi. Nuk besoj ta ketë lexuar autori i librit Burri i fanitjes, por atij nuk i mungon afiniteti për këtë lloj letërsie. Mjafton të lexohet tregimi Monologu i taketukes në kafenenë e vockël të qytezës N., ku, si te Kafka, sendi flet për njerëzit.
Ky ishte, pak a shumë, vlerësimi im, që tani po e bëj publik, por brenga e autorit nuk m’u hoq. Në të njëjtën situatë mosleximi e mosreagimi, si Shazimi, në mos më keq, janë me siguri edhe shumë kolegë e kolege të tij, por ngurrojnë ta thonë.
Mos vallë kemi të bëjmë me një letërsi të palexuar, pak të lexuar dhe akoma më pak të studiuar, çfarë është pothuajse e gjithë letërsia e sotme shqipe, hiq disa autorë të stëreksploatuar?
Rënia e interesimit për librin është shenjë e akulturimit të një shoqërie. Hyj në radhën e intelektualëve që kanë folur e shkruar shumë për padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve dhe vazhdojnë t’u bëhen, por ka ardhur koha të flitet edhe për problemet që kemi ne me vetveten. E këto janë të natyrës kryesisht qytetëruese. Brodski thoshte: ”Djegia e librave është krim, por ka edhe një krim më të rëndë – përbuzja e librave, mosleximi i tyre”.
Po e kaloj pjesën për prozën, ku flas për dy-tre autorë dhe për problemin e bilinguizmit e, rrjedhimisht, edhe të përkatësisë së aksh shkrimtari si një problem specifik i letërsisë shqipe në Maqedoni dhe po e mbylli fjalën time me një ton pak më optimist.
Edhe pse letërsia nuk ka gjini (në kuptimin e seksit), dua të them dy fjalë për “zonjëzat e vogla të letrave shqipe”, siç do të thoshte Kadareja, ku përveç Linditës (Ahmetit), që është një fenomen, hyjnë edhe Vjollca (Vjollcë Berisha), një Shimborskë e vogël e poezisë shqipe, që përveçse poete, është edhe botuese e studiuese, si dhe poetesha e talentuar nga Kërçova, Nurie Emrullai, të cilat (që të tria) me vlerat e tyre kanë tërhequr vëmendjen e opinionit letrar shqiptar edhe jashtë kufijve të trevës ku jetojnë (Lindita, mjerisht, nuk rron më), shenjë emancipimi estetik e shpirtëror i një mjedisi në thelb patriarkal e konservator. Edhe pse nuk janë beletriste të pastra, këtij qerthulli i takojnë, për mendimin tim, edhe Lindita tjetër (Kadriu) me kolumnet e saj interesante dhe Xhemazija (Rizvani) me intervistat jokonvencionale,[13] që rrezatojnë kulturë, duke u bërë kështu pjesë e këtij procesi emancipues, jetik për mjedisin shqiptar në Shkup e Tetovë dhe më gjerë.
Dhe krejt në fund. Organizator i këtij takimi është portali “ObserverKult”, që boton për çdo ditë shkrime të krijuesve nga e gjithë hapësira shqiptare, kurse ditën e parë të Festivalit ia ka kushtuar letërsisë shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e rëndësishme e letërsisë shqipe.
Të faleminderit Donikë, që na bëre bashkë, me gjithë vështirësitë! Faleminderit edhe krahut tënd të djathtë, Valonit!
Ju falemnderit për vëmendjen!
(Fjalë e mbajtur në Festivalin Poetik të Prishtinës, dita e parë e të cilit iu kushtua Letërsisë shqipe në Maqedoni, më 25 janar 2025 së Prishtinë)
[1] Mirosllav Kërlezha, Fjala në Kongresin e shkrimtarëve në Lubjanë, në librin Ese, Rilindja, Prishtinë 1979, f. 150.
[2] Adem Dema, Dashuria kuantike e Filanit, LSHK, Prishtinë 2012, f. 98.
[3] Tregimet e Demaçit të botuara në vitet ’50 në faqet e shtypit dhe të periodikut u botuan si libër me këtë titull pas daljes së autorit nga burgu në vitin 1990.
[4] Ky roman u shkrua në shqip, por dorëshkrimi humbi. U përkthye dhe botua në anglisht (më 1894 e 1901) dhe tash së voni edhe në shqip (1993), përkthyer nga anglishtja.
[5] I joshur nga xhonturqit me postin e myftiut të Manastirit, Voka u angazhua për alfabetin arab si alfabet të gjuhës shqipe.
[6] Nga të dhënat që posedojmë Murat Labënishti ka botuar gjithsej 8 (tetë) krijime poetike, shtatë prej të cilave janë poezi origjinale, kurse e teta një poezi e shqipëruar, si dhe dy shkrime në prozë dhe dy përkthime.
[7] Labënishti ishte edhe luftëtar: u rezistoi plot 13 ditë brigadave maqedonase me çetën e tij, nga 8-21 nëntor, në një luftë të pabarabartë; u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Ushtarak në një gjykim publik në Strugë; u arratis nga burgu i Idrizovës, kaloi në territorin e Shqipërisë, ku u vra në vitin 1946.
[8] Sadudin Gjura, Jeta e re e njerzimit po agon, “Jeta e re” nr.1-2, 1950, f. 95-96.
[9] Në pamundësi që t’i shtjelloj të gjitha, do të ndalem kryesisht te poezia.
[10] Librat e tyre janë botuar te “Rilindja” dhe te “Jeta e re” në kohën kur ekzistonte edicioni i saj.
[11] Vjollcë Berisha, Poezia shqipe e Maqedonisë së Veriut, Syth, Tetovë, 2024, f. 131.
[12] Fjala është për librin me tregime të Shazim Mehmetit Burri i fanitjes, botuar në vitin 2024 në Gostivar.
[13] Kemi parasysh librin Flasim përhanshëm, Syth, Tetovë 2020.
ObserverKult
Lexo edhe: