E nderuara familje Mehmeti!
Të dashur bashkatdhetarë!
Zonja dhe zotërinj!
Kam bërë rrugë të gjatë për t’u bërë pjesë e këtij eventi: përurimit të librit të bashkatdhetarit tuaj dhe tonit, zotit Ali Sh. Mehmeti, Në kërkim të Idesë, të botuar në Prishtinë nga shtëpia botuese “Artini”, prandaj shpresoj se do të keni durim të më dëgjoni me vëmendje.
Pas atij në Prishtinë, në muajt e verës, ky është prezantimi i dytë që i bëhet këtij libri para publikut. Në pamundësi që të merrja pjesë në rastin e parë, pata dërguar një fjalë përshëndetëse, në të cilën, ndër të tjera pata thënë.
“Zoti Ali Mehmeti pati kërkuar nga unë nëpërmjet një imejlli që t’ia lexoja dorëshkrimin e librit të tij me kujtime. Kërkesës iu përgjigja pozitivisht, por me një dozë rezerve në fillim, për shkak të botimeve të shumta, jo rrallë vulgare, të kësaj natyre, që kanë vërshuar “tregun” tonë. Mirëpo, me të lexuar faqet e para, pashë se kisha të bëj me një njeri të formuar e serioz, që nuk i kishte hyrë kësaj pune kot a për modë, por për t’i thënë lexuesit diçka të rëndësishme për jetën e tij, të familjes së vet dhe të shoqërisë së cilës i takon në një periudhë të gjatë kohore: në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas (shekullit XX) dhe në fillim të këtij shekulli (shekullit XXI). Me fjalë të tjera, kisha para vetes një rrëfim dramatik për fatin e një familjeje shqiptare në kushtet e sundimit të huaj dhe të një regjimi shtypës.
E lexova dorëshkrimin në tërësi; rilexova pjesë të tij; bëra edhe shënime dhe i shkrova autorit një letër në të cilën radhisja vërejtjet dhe sugjerimet e mia, kryesisht në planin gjuhësor e stilistik, por, aty-këtu, edhe përmbajtësor.
Shkrova, në fund, edhe një tekst të shkurtër, i cili është vënë në kopertinën e mbrapme të librit.
Ç’thuhet në këtë tekst?
“Në kërkim të Idesë ëshë një freskim i memories sonë kolektive. Është jetëshkrimi i një mërgimtari, që jeta e detyron të largohet nga atdheu, duke kaluar nëpër një kalvar të tërë vuajtjesh e peripecish. Kemi të bëjmë, pra, me një rrëfim dramatik e mbresëlënës, që e vlen të lexohet dhe do lexuar pa humbur kohë.
Një libër me kujtime, dëshmi, të dhëna, fakte, përsiatje, ide, mendime…
Është historia e një njeriu, e një familjeje dhe e një shoqërie në momente vendimtare historike. Ali Mehmeti ka regjistruar gjithçka që ka të bëjë me jetën e vet, të familjes së tij dhe të rrethit ku ka jetuar dhe tek jeton. Autori është gjithnjë në kërkim të Idesë së Kombit, Atdheut, Lirisë, Identitetit, por e shohim edhe në çaste të zakonshme të jetës së përditshme, në situata të gjalla e konkrete, herë-herë edhe groteske”.
Një kohë bukur të gjatë zgjati komunikimi virtual në relacionin Gjenevë-Prishtinë dhe anasjelltas, derisa libri mori formën përfundimtare, për të parë së fundi edhe dritën e botimit.
Diskutuam për aspekte të veçanta të librit, për kapitujt dhe kompozicionin e tij, për titullin e nëntitullin dhe, madje, edhe për kopertinën dhe dukjen e tij grafike.
Meqenëse librin e Aliut e përshkon tërësisht, nga fillimi deri në fund, si një pe i kuq, ideja e kërkimit të rrënjëve në planin etnik dhe familjar, i propozova titullin Në kërkim të Idesë, ku fjala Ide shkruhet, natyrisht, me germë të madhe dhe ka një peshë të veçantë semantike.
Duke cituar letrën e rilindësit të shquar shqiptar, iluministit Naum Veqilharxhi, drejtuar nipit të tij grekoman, Jani Calit, autori ynë nënvizon fjalinë: “por si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera”.
Për ta bërë plotësisht të qartë idenë e “kapjes së Idesë”, duhet parë konteksti në të cilin përdoret fjalia e mësipërme: letra e Veqilharxhit nipit të tij, i cili kërkonte nga i ungji që të hiqte dorë nga ideja e gjuhës, alfabetit dhe shkollës shqipe:
“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d. m. th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar këto të gjitha gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës: Pra atë që këshillon gjëra të tilla, nuk e di në ç’kategori ta vendos… Ti të gjitha studimet e tua i bëre në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar… por si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera… të gjitha këtopatjetër duhet të ta kishin prekur fantazinë tënde, të kishin vënë në lëvizje kërshërinë tënde” – i shkruante, ndër të tjera, iluministi mendjendritur nipit të tij shpirtshitur në vitin e largët 1840.
Duke dashur ta konkretizojë më tej këtë mendim, autori përmend personalitete të historisë shqiptare, që u arsimuan në shkolla të huaja, ku ushqehej patriotizmi (i huaj), por ditën “ta kapin idenë”, duke u vënë me tërë qenien në shërbim të Çështjes Kombëtare. Është tejet domethënës shembulli i Nolit, i cili u shkollua në greqisht, por u bë kundërshtari më i madh i shovinizmit grek, kurse në një kontekst tjetër spikat figura e Adem Demaçit, i cili, duke e njohur mirë gjuhën, kulturën dhe historinë serbe, të mësuar në libra dhe në burg, arriti të bëhej kundërshtari më i madh i politikës serbomadhe.
Ja ç’do të thotë “ta kapësh Idenë”, dje dhe sot, sepse shqetësimi për fatin e kombit nuk merr fund, ashtu sikurse edhe lufta për ruajtjen e vlerave identitare në kohën e eksodit dhe të globalizmit si fenomen botëror.
I lindur vetë në një mjedis ku nuk dëgjohej fjala shqipe (në Leskovc të Serbisë) dhe i shkolluar në gjuhën serbokroate, Ali Mehmeti, bir i një familjeje të përndjekur e atdhetare (me origjinë nga Medvegja), ka ditur të mësojë edhe nga armiqtë tanë, të përfitojë, shëmbëllyeshëm mësuesve të tij mëdhenj, nga mënyra me të cilën fqinjët tanë luftojnë për interesat e tyre politike dhe kombëtare.
Mu për këtë, do të mund të thuhej se formula “Në kërkim të Idesë” shpreh në mënyrë elokuente mesazhin që autori dëshiron të përçojë te lexuesit dhe kjo është, siç theksova edhe më sipër, arsyeja që ia propozova autorit si titull të librit.
Represioni i përditshëm i regjimit serb të Millosheviqit në Kosovë dhe politika pacifiste, që luante lojën e “shtetit paralel”; kryengritja e armatosur e UÇK-së dhe Konferenca e Rambujesë; bombardimet e NATO-s dhe masakrat serbe mbi popullatën civile shqiptare; çlirimi i Kosovës dhe kthimi i autorit në vendin e punës nga qe dëbuar në vitin 1990, në Post-Telekom dhe ngjarje të tjera me rëndësi historike, por edhe aspekte të jetës familjare, si burgosja e vëllezërve dhe torturat e kërcënimet monstruoze që u bëheshin atyre nga organet e Sigurimit Shtetëror dhe, për pasojë, largimi i Aliut me një pjesë të familjes nga Kosova; rravgimet në vendkalime të ndryshme kufitare, në aeroporte e stacione, përmes peripecish të panumërta, qëndrimi një kohë në Shqipëri dhe kalimi në Zvicër, ku fillon jetën si mërgimtar, janë dhënë me shumë vërtetësi në këtë libër, ndërsa paraqitja e transplantimit të zemrës në spitalet e Zvicrës, faqet ku flitet për gjendjen para dhe pas operacionit, me atë detajin fantastik të erës së limonit në duart e nënës nga koha e një operacioni të mëparshëm (prej apendiksit) në Prishtinë, janë shkruar me aq mjeshtëri e autenticitet, sa do t’ia kishin lakmi edhe shkrimtarët e vërtetë.
Struktura e librit është e thjeshtë, por përmbajtja e tij e pasur dhe e gjerë, kurse strategjia që ka ndjekur autori në rrëfimin e tij funksionale.
Nuk është e rastit që ky libër hapet me fjalën shpërngulje, sepse shpërngulja (Leskovc, Preshevë, Prishtinë, Gjenevë) e ka ndjekur pothuajse vazhdimisht familjen nga Medvegja, sikurse edhe shumë familje të tjera shqiptare nga kjo trevë dhe më gjerë. Vendosja e familjes Mehmeti në Prishtinë, fëmijëria dhe shkollimi i autorit, konteksti shoqëror, vitet e rinisë, studimet në UP etj. zënë një pjesë të mirë të këtij libri. Me interes të veçantë janë kapitujt që flasin për qëndrimin në Shqipëri dhe përpjekjet për kalim në Perëndim, që janë përplot me situata, përjetime e telashe të papritura, herë-herë edhe groteske.
Do thënë se autori mban qëndrim të drejtë ndaj zhvillimeve politike dhe i vlerëson drejt ato, duke filluar nga ngjarjet e vitit 1981, te diferencimi politik; rënia e komunizmit dhe shpërbërja e Jugosllavisë; lëvizja e ashtuquajtur paqësore dhe kryengritja e armatosur; çlirimi i Kosovës dhe kthimi i autorit në vendin e punës nga i cili ishte dëbuar me dhunë, në PTK, pastaj shfaqja e sëmundjes dhe operacioni i zemrës… As pas kësaj mynxyre të madhe Ali Mehmeti nuk hoqi dorë nga lufta për liri e vendit të vet dhe angazhimi i vazhdueshëm për mbrothësinë e kombit në përgjithësi.
Në versionin përfundimtar të librit është shtuar edhe një kapitull: Jeta në mërgim, i cili del nga korniza e rrëfimit autobiografik dhe i ngjan një eseje a traktati socio-politik.
Duke mos qenë indiferent ndaj gjendjes aktuale në shoqërinë shqiptare, brenda dha jashtë, autori e ka parë të udhës të shprehë opinionin e tij për çështje jetike për të ardhmen tonë si komb, si çështja e shkollimit dhe e atdhedashurisë (së zbehur); e besimit dhe e fesë; e gjuhës dhe flamurit; e konsolidimit si shtet(e) e komb dhe e integrimit në Evropë, të gjitha këto të shikuara nga perspektiva e njeriut që fizikisht jeton në mërgim, por shpirtërisht në atdhe.
Ne që jetojmë në vendlindje, i zgjerojmë njohuritë tona për diasporën, kulturën, sjelljen dhe fatin e familjeve shqiptare në mërgim nga leximi i këtij libri.
Edhe këtu shfaqen “Janicalët” si sindromë dhe fatalitet nacional, temë që autori e shtjellon duke iu referuar Naimit, Pashko Vasës, Mjedës, Nolit, Migjenit, Kadaresë, duke cituar vargje e mendime të tyre dhe në mënyrë të veçantë një artikulli të autorit Enis Sulstarova, të cilin e citon gjerësisht.
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Më trego me kë rri, të të tregoj se kush je”, por në kohën tonë, gjithnjë e më shpesh, kjo shprehje modifikohet në: “Më trego kë citon, të të tregoj se kush je”.
Thuhet se kush di të pyesë (të shtrojë pyetje) di edhe të përgjigjet, kurse unë do të thosha se kush di të zgjedhë citatin e duhur di edhe të shkruajë bukur.
Libri Në kërkim të Idesë i çmistifikon, të themi kështu, pak a shumë, disa nga figurat e politikës shqiptare të periudhës postkomuniste, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë (Berisha, Rugova, Bukoshi etj.), duke i paraqitur në dritë të vërtetë e jo me aureolën që u mveshin atyre militantët partiakë dhe media e vënë në shërbim të tyre. Gjatë qëndrimit në Tiranë me familje në mesin e viteve ’90, një zotëri nga Tirana, burrë serioz, “axha Jusuf”, i drejtohet Aliut me këto fjalë: “Si e shpjegoni ju ‘kosovarët’, pse Serbia po ju ndjek juve, kurse po e lejon veprimtarinë e presidentit dhe stafit të tij?!”. Konsideroj se është më së miri që kësaj pyetjeje hëpërhë t’i përgjigjemi me shprehjen: “No comment”, derisa historia një ditë ta thotë fjalën e vet. (Sigurisht, fjala është për historinë e vërtetë, shkencë, që nuk i shpërfill faktet dhe nuk e shtrembëron të vërtetën).
Të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, i ndjekim zhvillimet në shoqërinë shqiptare, por të paktë janë njerëzit, intelektualët, që kanë dhuntinë të shohin qartë, të mbajnë mend dhe të gjykojnë drejt, si dhe guximin për ta thënë atë që mendojnë. Mund të duket si ekzagjerim, por autori i këtij libri, Ali Mehmeti, është një nga këta “mohikanë”.
Shikuar nga ky aspekt, ky libër ka një peshë të veçantë: ai dekonstrukton filozofinë politike “kosovocentriste” (term i Jusuf Buxhovit), që kulmon me paranojën e krijimit të “kombit kosovar” (N. Spahiu, H. Matoshi etj.), të kundërt me aspiratën historike për bashkim kombëtar, sikundër edhe përpjekjen groteske të Janicalëve aktualë për të na bindur se është në interesin e shqiptarëve që të jetojnë të ndarë në disa shtete. (Kur jemi këtu më lejoni t’ju tregoj një si anekdotë. Vite më parë isha në një manifestim kulturor në Delemont. Në tavolinë isha i ulur me tre ambasadorë: ambasadorin e Shqipërisë, Mehmet Elezi, të Kosovës, Naim Malaj dhe të Maqedonisë, që s’më kujtohet emri, edhe ai shqiptar. Dikush nga të pranishmit tha: “O, sa mirë!”. Ndërhyra gjysmë me shaka: “Do të ishte më mirë sikur të kishim veç një ambasador! Kina me mbi një miliard banorë ka vetëm një, shtete qindramilionëshe si Rusia dhe SHBA, po ashtu, kurse ne shqiptarët, që mezi bëhemi 5-6 milionë në Ballkan – tre! Sapienti sat! – thotë proverbi i lashtë latin. Për të mençurin mjafton).
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj!
Siç mund të shihet nga shënimet biografike, ky nuk është libri i parë i Ali Mehmetit, por i dyti. Para këtij, ing. Ali Mehmeti ka botuar një libër nga fusha e tij si inxhinier i elektros dhe ish-punëtor i PTK-së, librin Fjalor enciklopedik nga teknologjia e informacionit: me indeks shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, pra në katër gjuhë (botuar në vitin 2006 në Prishtinë).
Libri i dytë i Aliut, ky për të cilin e kemi fjalën, është libër i një natyre tjetër: libër autobiografik, por ku autori përveçse për jetën e tij dhe të familjes, flet edhe për zhvillimet nëpër të cilat kanë kaluar Kosova dhe shqiptarët veçanërisht në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli. Edhe pse libër dokumentar, pra jofiksional, ky libër ka edhe elemente letrare, çfarë janë humori dhe detajet interesante, situatat dhe personazhet e tipit Beni 1 dhe Beni 2 etj., që e bëjnë më të pranueshëm për lexuesit.
Kur e lexojmë librin e Ali Mehmetit na kujtohet mendimi i Nolit i shqiptuar në një ligjëratë të mbajtur para shkrimtarëve të rinj amerikanë në Boston në vitin 1961: “Shkruani autobiografinë tuaj, por pa fshehur gjë… Pra, shkruani çdo gjë, pranoni çdo gjë dhe të jeni të sigurt se do të shkruani një libër shumë interesant”.[1] Ali Mehmeti në librin e tij i është përmbajtur pothuajse pikë për pikë kësaj porosie të Nolit, ndoshta edhe pa ditur për të. Ai ka regjistruar gjithçka që ka të bëjë me jetën e tij, të familjes së vet dhe të rrethit shoqëror në të cilin ka jetuar e jeton, prandaj edhe ka bërë “një libër shumë interesant”.
Ju ftoj, prandaj, vëllezër dhe motra, ju që jetoni e veproni këtu, në zemër të Evropës, por që me shpirt e mend jeni atje, në atdhe: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e gjetkë, që ta lexoni këtë libër, sepse ky është një libër që do lexuar. Dhe kur them “lexuar”, mendoj lexim tamam e jo shkel e shko. Do të mësoni mjaft prej tij, do të emocionoheni jo pak me siguri, por edhe do t’ju shtyjë të mendoni pa dyshim, të mendoni thellë, për shumë probleme me të cilat përballen sot shqiptarët si komb dhe si shoqëri.
Duke qenë libër i një jete, ky është edhe libër i jetës i Ali Mehmetit, i cili, edhe përkundër sfidave shëndetësore e të tjera, nuk ka reshtur së kërkuari Idenë e Kombit, të Atdheut, të Lirisë, por edhe të Qytetërimit e Njerëzisë, ashtu siç nuk ka reshtur t’i shërbejë me përkushtim e devotshmëri kësaj kauze, pa të cilën nuk ka kuptim jeta njerëzore.
Autori i parathënies, miku i autorit, zoti Ragip Rugova, ka një fjali që më ka bërë shumë përshtypje. Duke e quajtur me të drejtë këtë libër “testament shpirtëror të njeriut që rrethanat shëndetësore e ‘dënojnë’ të mbetet përjetësisht mërgimtar”, ai shton: “zemra e huaj që ka në gjoks i rreh vetëm shqip!”.
Thashë se për brezin tonë, timin dhe të Aliut, ky libër është rifreskim i kujtesës, kurse për brezin e ri dhe veçanërisht të rinjtë e diasporës, një doracak për të parë si në pëllëmbë të dorës se nëpër ç’rrugë kanë kaluar gjyshërit dhe prindërit e tyre për t’i nxjerrë në dritë, pra një mundësi për ta njohur, nëpërmjet një rrëfimi autentik, historinë e vendit nga vijnë dhe të popullit të cilit i takojnë.
Më lejoni që autorit të librit, mikut tonë të shtrenjë, Ali Mehmeti, të cilit “zemra i rreh shqip” dhe mendja i punon me kapacitet të plotë, t’i uroj shëndet dhe jetë të gjatë e, pse jo, edhe shkrime të reja e ndonjë libër të ri. Nuk mund të mos i përshëndesim me këtë rast edhe familjarët e tij, bashkëshorten, fëmijët dhe të tjerët, por edhe shokët dhe miqtë që i kanë ndenjur pranë dhe e kanë frymëzuar për qëndresë dhe punë të palodhur në të mirë të kombit dhe atdheut.
Ju falemnderit që më dëgjuat me vëmendje dhe mirupafshim në takime të tjera të ngjashme!
(Fjalë në promovimin e librit Në kërkim të Idesë të Ali Sh. Mehmetit, mbajtur në Gjenevë më 19 nëntor 2021)
[1] Fan S. Noli, Këshilla letrarëve të rinj, Vepra 5, Tiranë 1988, f. 293.
ObserverKult