Agim Vinca: Në Frashër, tek perënditë!…

Agim vinca kur jam me ty

Nga: Agim Vinca

«Udhëtimi në Frashër është jo vetëm një leksion historie, i historisë shqiptare, që s’mund të merret me mend pa Vëllezërit Frashëri, por edhe një vizitë ‘oksigjenoterapie’, si thuhet në Albumin e qytetit të Përmetit, në hyrje të të cilit shkruan: ‘Përveç detit të gjitha i kemi!’».

 “Ke qenë në Frashër?”

Me një kolegun tim të Fakultetit, i cili dikur ka qenë pedagog imi, sa herë bisedonim për vizitat tona në Shqipëri, i mburreshim njëri-tjetrit për vendet që kishim vizituar. Dhe, natyrisht se nuk bëhej fjalë për Tiranën, Durrësin, Krujën, Vlorën, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Butrintin, Apolloninë, e as për Shkodrën, Lezhën, Korçën, Elbasanin, Pogradecin e qytete të tjera të njohura, por për disa qyteza a fshatra ku rrallë e tek kanë shkelur shqiptarët jashtë Shqipërisë shtetërore, në mos edhe ata që jetojnë brenda saj. Kështu, për shembull, kurdo që unë i thosha se kisha qenë, fjala vjen, në Konispol, në vendlindjen e Muhamet Kyçykut të “Ervehesë”, por edhe në fshatin Ninat të Çamërisë, pjesëzës së mbetur brenda territorit të Shqipërisë, që është vendlindja e Hoxhë Tahsinit dhe e Bilal Xhaferit ose në Voskopojën e Akademisë së famshme të shek. XVIII, a në fshatin e njohur turistik të Korçës, Dardhë, ai ma priste: “Ke qenë në Frashër?”.

Kaq thoshte kolegu im dhe ma “mbyllte” gojën! Krejt “arealin” tim me Konispolë, Ninat e Dardhë, pa përmendur edhe Dibrën, Tropojën, Bajram Currin e Peshkopinë, ma hidhte poshtë me një fjalë: “Frashër!”. Me të drejtë, sepse Frashëri është një dhe nuk ka të dytë! Në këtë fshat të thellë malor, dikur të populluar nga qindra e mijëra banorë, kurse tani gati të zbrazët, kanë lindur tre nga personalitetet më të mëdha të historisë shqiptare: Abdyl, Naim e Sami Frashëri.

 “Tre vëllezërit Frashëri/ sa për tre Tomorrë/ në tre kontinente/ shkelin për një Vlorë”, thotë poeti. Abdyli, Naimi dhe Samiu e morën për mbiemër emrin e fshatit ku lindën dhe e bartën atë në tërë hapësirën shqiptare (dhe jo vetëm), më se dy shekuj. Jetuan në shekullin e nëntëmbëdhjetë, por e mbijetuan edhe të njëzetin dhe do t’i mbijetojnë, falë jetës dhe veprës së tyre, edhe shekujt që vijnë.

 Kisha qenë shumë herë me mend në Frashër, por fizikisht shkela aty për herë të parë më 26 maj të këtij viti (datë e shënuar në kalendarin e jetës sime), të nesërmen e manifestimit letrar “Në gjurmët e Naimit”, që u mbajt një natë më parë në qytetin e Përmetit.

Vizita ime në Frashër ka një parahistori që më duhet (jam i detyruar) ta rrëfej. Nuk kisha qenë kurrë në Përmet dhe pa shkuar në Përmet s’ke si të shkosh as në Frashër. Ka, sigurisht, edhe njerëz që shkojnë në Përmet, por nuk marrin mundimin ta vizitojnë Frashërin, por kjo është çështje tjetër.

Dikush nuk mund të jetojë pa shkuar në Mekë, Jerusalem a Vatikan, pa e parë Londrën, Parisin, Romën e, mbase, edhe Kremlinin, por ja që ka edhe njerëz që nuk mund ta paramendojnë jetën pa e parë Krujën, Vlorën, Korçën, Shkodrën, Prizrenin e Prekazin dhe, natyrisht, edhe Frashërin.

 Mik në “qytetin e trëndafilave”

            Kisha dëgjuar se në “qytetin e trëndafilave”, si e quajnë Përmetin, mbahet për çdo vit, më 25 maj, në ditëlindjen e Naimit, një manifestim letrar me pjesëmarrje edhe të krijuesve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.

Dy-tre miqve të mi ua kisha shprehur dëshirën për të vizituar Përmetin dhe duket se fjala i kishte rënë në vesh organizatorit të këtij manifestimi, zotit Ligor Shyti, i cili më ftoi të isha pjesë e edicionit të tij shtatë, që u mbajt më 25 maj.

Mënyra si komunikoi me mua zoti Shyti, të cilin nuk e njihja, ishte jo vetëm e kulturuar, por edhe vëllazërore. Në komunikimin virtual që kam pasur me të, pasi mori pëlqimin tim parimor për të qenë pjesë e manifestimit, kërkoi nga unë që të isha edhe anëtar i jurisë për vlerësimin e poezive të arritura në konkurs, bashkë me dy të tjerë. Meqenëse vendosa të shkoja në Përmet, gjithnjë me idenë e heqjes së pengut të Frashërit, pranova t’i hyja edhe kësaj sfide. Jo se leximi dhe vlerësimi i punimeve të arritura në adresë të organizatorit paraqiste ndonjë vështirësi për mua, që tërë jetën jam marrë me leximin dhe vlerësimin e poezisë, duke e shkruar edhe vetë atë, por ngaqë e di se të qenit anëtar jurie në hapësirën shqiptare është një “shans” për t’u bërë objekt përgojimesh e sharjesh nga më të ndryshmet. Dhe, sa më i ulët që është niveli i konkurrimit, aq më i madh bëhet ky rrezik.

Ligori m’i nisi poezitë e nënshkruara me shifër (kod) e jo me emër. Ishin gjithsej 81 vjersha, kryesisht të dobëta (anonimiteti stimulon pseudovlerat), por nga ai brumë u desh të zgjidhja “më të mirat”.

Ata që më njohin, përfshirë edhe kundërshtarët e mi, e dinë se si punoj unë; se me çfarë përgjegjësie i qasem punës në këso rastesh. (Në shkurt të këtij viti kam qenë Kryetar i Jurisë së Çmimit Kombëtar “Azem Shkreli”, që jepet në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, në të cilin pos çmimit për vepër jetësore në vlerë prej 5000 eurosh, jepen edhe pesë çmime të tjera për vepër më të mirë letrare botuar brenda vitit: për poezi, prozë, ese, përkthim dhe letërsi për fëmijë, secili me vlerë prej 2500 eurosh. E kam udhëhequr jurinë pesanëtarëshe të formuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe me përjashtim të çmimit për kritikë letrare, për të gjitha çmimet e tjera kemi marrë vendime unanime, kurse reagimet e publikut, me ndonjë përjashtim të rrallë, qenë pozitive).

Në krahasim me jurinë për të cilën fola më lart dhe përgjegjësinë që mbart ajo, Juria e Përmetit duket lojë fëmijësh, por ja që e keqja të vjen nga s’e pret, sepse shqiptarët në përgjithësi, kurse “njerëzit e letrave” në veçanti, janë vërtet të paparashikueshëm.

Ia nisa Ligor Shytit poezitë e përzgjedhura për lexim (25 nga gjithsej 81), duke e shoqëruar zgjedhjen edhe me një arsyetim të shkurtër me shkrim, pastaj nga ato 25 propozova pesë që do të mund të vinin në konsiderim për çmim, pa e specifikuar se për cilin çmim, sepse doja ta respektoja edhe mendimin e kolegëve të mi dhe po bëhesha gati të nisesha edhe vetë për në Përmet. Por si dhe me kë?

Të udhëtosh nga Prishtina në Përmet nuk është punë e lehtë. Përkundrazi, por duhej përballuar edhe kjo pengesë.

Një mik imi shfaqi gatishmërinë që ta bënim bashkë këtë rrugë, por unë, për të mos ia dyfishuar shpenzimet organizatorit, vendosa ta bëja vetë rrugën Prishtinë-Përmet. Ditën kur do të mbahej manifestimi, më 25 maj, nga ora gjashtë e mëngjesit e deri rreth orës katër pasdite, kam qenë në rrugë, duke drejtuar makinën, i shoqëruar nga bashkëshortja ime. Nuk arritëm, madje, as të hanim drekë si duhet, pos duke mbajtur në njërën dorë timonin, kurse në tjetrën ushqimin.  

Kur arritëm në Përmet, të lodhur e të raskapitur, ende pa u vendosur mirë në hotel, duhej të bëheshim gati për veprimtarinë që na priste. Në orën pesë (17), sipas programit, do të vinim lule te busti i Naimit, në shëtitoren që mban emrin e skulptorit Odhise Paskali, që është edhe autor i bustit të Naim Frashërit, i cili në Përmet do të duhej të kishte një monument madhështor e jo një bust të thjeshtë.

Aty takova për herë të parë organizatorin e këtij manifestimi, Ligor Shytin. Erdhi pak para fillimit të ceremonisë me karrocën e invalidit. Është për t’u vlerësuar lart vullneti i këtij njeriu, i cili, edhe në gjendjen në të cilën është, si pasojë e një aksidenti, gjen forcë për t’u marrë me krijimtari letrare dhe aktivitet kulturor.

Mbrëmja u mbajt në një restorant në periferi të Përmetit, mjedis mjaft i bukur, sipas programit të paraparë nga organizatori. U lexuan të 25 poezitë e përzgjedhura, nga vetë autorët ose nga aktorët, me pak patos, secilën herë nga pesë, kurse pas secilës “pesëshe” ekzekutohej një pikë muzikore. Kah fundi i mbrëmjes m’u dha fjala edhe mua, jo si anëtar i jurisë, sepse arsyetimin e jurisë e paraqiti kryetari i saj, profesor Përparim Kabo, por si mysafir i mbrëmjes. Lodhjes së rrugës tani i qe shtuar edhe lodhja e mbrëmjes që zgjati rreth dy orë, në mos më shumë, por unë dola te mikrofoni, mbajta një fjalë të shkurtër dhe lexova dy poezi, që mendoja se i përshtateshin momentit, festës së Naimit. Nga e  para (Abetarja e parë), një vjershë e hershme, e cila i kushtohet njeriut që solli abetaren shqipe në vendlindjen time në vitin 1908, lexova vetëm tri strofa, kurse të dytën, poezinë “Qiriazët”, kushtuar atyre që u frymëzuan nga Naimi për punën e tyre në dobi të atdheut, vëllezërve dhe motrave Qiriazi, e thashë të plotë. (Bashkë me këtë shkrim, redaksisë së “Nacional”-it po ia nisi për botim edhe këto dy poezi).

Nuk u ndava i kënaqur me veten. Fjala ime, sikurse edhe vargjet, nuk e arritën efektin e duhur, një, ngaqë unë isha tmerrësisht i lodhur, gati si i dehur dhe, e dyta, ngaqë publiku, i ngopur me vjersha e fjalime, mezi priste darkën dhe, pas pijes e ngrënies, edhe këngët dhe vallet.

Kështu kaloi nata e parë dhe e vetme e festivalit të Përmetit, e cila nuk mund të vlerësohet mbase me notën më të lartë, por as të quhet e turpshme dhe e dështuar.

“Mora rrugën për në Frashër”

Ardhja në Përmet për mua nuk do të kishte kuptim pa shkelur në Frashër. Arrita ta përmbush këtë dëshirë falë Kryetares së Bashkisë, zonjës Alma Hoxha dhe bashkëpunëtorit të saj, Florian Dauti, që pati mirësinë të na dërgonte mua dhe time shoqe në Frashër me makinën e tij. E kisha pritur gjatë këtë ditë dhe, ja, më në fund, po bëhej realitet.

Rruga për në Frashër, e gjatë 32 km, është e paasfaltuar. Nuk mund të shkohet në Frashër me makinë të zakonshme. Për shkak të rrugës. Duhet xhip ose fuoristradë. Duhej nisur në rrugë pa rënë vapa (bënte nxehtë ato ditë). Për të gjitha u kujdes Flori, një djalë flori nga fshati Ogren, që ka kryer shkencat politike në Tiranë dhe ka punuar disa vjet në kryeqytet, duke qenë edhe aktivist i FRESH-it, por është kthyer në qytetin e tij, sepse në Përmet mungojnë kuadrot.

Rruga zgjat rreth katër orë në të dy drejtimet, përfshirë edhe vizitën në Shtëpinë-muze, por natyra e bukur dhe ajri i pastër bëjnë që t’i harrosh vështirësitë e rrugës. Udhëtimi në Frashër është jo vetëm një leksion historie, i historisë shqiptare, që s’mund të merret me mend pa vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, por edhe një vizitë “oksigjenoterapie”, si thuhet në Albumin e qytetit të Përmetit, në hyrje të të cilit shkruan: “Përveç detit të gjitha i kemi!”.

Derisa makina përkundet duke u ngjitur përpjetë peizazhit të gjelbër, më vijnë në mend vargje nga “Bagëti e Bujqësia” të mësuara që nga koha kur kam qenë nxënës dhe student: “Atje lint diell’ i qeshur, edhe hëna e gëzuar,/ Fat i bardh’ e mirësia në atë vënt janë mbuluar;/  Nat’ atje është tjatrë natë, edhe dita tjatrë ditë, / Në pyjet e gjelbëruar, atje rrinë perënditë!”. Perënditë e lashta pellazge e ilire, që i besonin De Rada e Naimi, Mjeda e Lasgushi!

Befas na del përpara një tufë e madhe dhish bardhoshe, që ngjiten pyllit përpjetë si copa resh… Kaluan shpejt, ashtu siç dinë vetëm dhitë, duke lënë pas vërritjet e tyre. Nuk e pamë “cjapin me zile”, por duhej të ishte aty, me siguri, krenar e madhështor. Flori, që është i kësaj ane dhe që e njeh pronarin, thotë se janë treqind copë, në mos më shumë. “O sa bukuri ka tufa, sa gaz bie bagëtia…”. Rrugës shihet edhe ndonjë kalë a mushkë (gomar nuk pashë), që kullosin bar me samar në shpinë, ngaqë të zotët duket përtojnë t’ua heqin samarin, kurse njerëz pak, shumë pak, veç punëtorët, që punojnë aty-këtu në rrugë dhe ndonjë kalimtar i rastit.

Shtëpia-muze e Vëllezërve Frashëri, një godinë dykatëshe prej guri, e rrethuar me gjelbërim, është ngritur në vitin 1974, në themelet e shtëpisë së dikurshme familjare. Krahas kthinave me dokumente e eksponate të tjera, ajo ka edhe “odën e miqve” shtruar me shilte e qylyma kuq e zi, ku unë dhe ime shoqe ulemi pranë oxhakut si të ishim Halit beu e Emine hanëmi, që pikërisht në këtë shtëpi sollën në jetë tetë fëmijë (gjashtë djem e dy vajza), tre nga të cilët e ngritën lart, si askush tjetër, nderin e Mëmëdheut. Bëmë edhe fotografi, natyrisht, në odë dhe jashtë saj, te bustet, ku vumë lule të freskëta.

Shtëpia-muze e Vëllezërve Frashëri nuk ka punëtor të përhershëm; nuk ka ciceron. Nuk e di a ka pasur më parë, por tani nuk ka, ndoshta ngaqë edhe vizitorët janë të rrallë. Çelësin e mban pronari i shtëpisë më të afërt, i cili gëzohet sa herë që vjen dikush në vizitë. Me Pandin (kështu quhet fshatari) dredhim nga një cigare duhan. Unë ia zgjas atij pakon time “Ëest” për këmbim dhe i them se cigaren e tij do ta pi në Prishtinë.

Në vitin 1900, siç mund të shihet edhe në një nga fotografitë e shtëpisë-muze, Frashëri kishte 12 lagje. Kur Frashëri ishte qytet (Samiu e quan “qyteti im i vogël malor”), Përmeti ishte fshat. Tani kanë mbetur vetëm katër-pesë shtëpi, në mos më pak, kurse shkolla është mbyllur. Ndërtesa është, por nuk punon, sepse nuk ka nxënës!

Nga 22 lagje, sa kishte 122 vjet më parë, vendlermi i Poetit tani nuk ka as njëzet e dy banorë!

Duke shkuar në Frashër, shoferi, Flori (një Flor e kemi në Tiranë dhe një tjetër e gjetëm në Përmet!), na fliste për bukuritë natyrore, për Bredhin e Hotovës, atë masiv pyjor, që është Park Kombëtar dhe për shumë pika të tjera të një bukurie të rrallë, ndërsa në kthim na flet për politikën shqiptare.

Kryeministri Rama ka ardhur në Frashër me helikopter dhe, pas vizitës në Shtëpinë-muze, është kthyer përsëri në Tiranë, pothuajse pa e prekur tokën me këmbë! (Poezia që mori çmimin e parë në festival titullohej “Udhët e mia qiellore”, një metaforë e shkëlqyeshme, por ajo ishte një lirikë dashurie e jo vjershë politike).

Përmetari Ligor Shyti bën përpjekje mbinjerëzore për ta mbajtur gjallë kujtimin e Naimit, por nuk gëzon mbështetjen e shtetit, që harxhon mjete për festa e spektakle nga më të ndryshmet në të katër anët e vendit.

Përmeti dhe panteoni i tij

Kam kujtuar se di mjaft për Përmetin, por ja që gjatë qëndrimit tim në këtë qytet, sado shkurt, mësova mjaft gjëra që nuk i kam ditur.

Nuk e kam ditur, fjala vjen, se ka një festë, që organizohet po në maj, “Festa e Vjosës”, lumit që kalon nëpër Përmet, që është lumi më i madh në Shqipëri, pas Drinit. (E pati marrë në mbrojtje nga rreziku i degradimit edhe vetë Leonardo DiCaprio). Një balon i madh, i kuq, bëhej gati të fluturonte nga sheshi i qytetit, nën vështrimet kureshtare të njerëzve, në mesin e të cilëve kishte edhe turistë të huaj, ndërsa ne bëheshim gati të merrnim rrugën e kthimit për në Prishtinë.

Nuk e kam ditur se në Përmet ka një fshat me emrin Kosovë (emri i tij figuron në Albumin e Përmetit, të përgatitur nga Bashkia, me fotografitë e mrekullueshme të fotografit Roland Tasho), për të cilin dihet shumë pak, për të mos thënë aspak në Kosovë, edhe pse ky emërtim, sikurse edhe vendbanimi që e mban atë, është i hershëm e jo i kohës sonë.

Nuk e kam ditur se në Muzeun Historik të Qytetit ka një listë prej 12 personalitetesh të shquara të rrethit, të cilët quhen “12 apostujt e Përmetit”. Në këtë grup prijnë, sigurisht, tre vëllezërit Frashëri: Naimi, Samiu dhe Abdyli, të pasuar nga personalitete të tjera të shquara që ka dhënë kjo trevë, si: Sejfulla Malëshova, Nonda Bulka, Tefta Tashko, Odhise Paskali, Mentor Xhemali, Laver Bariu etj., pa harruar as dëshmorët e luftës antifashiste.

Duke pirë kafenë lamtumirëse me nikoqirët, Ligorin dhe historianin e kronistin e zellshëm të Përmetit, Kastriot Bezatin, mësoj se nga kjo anë është edhe këngëtarja e madhe e shek. XIX dhe fillimit të të njëzetit, Hafize Leskoviku, e njohur në tërë Toskërinë, e cila jo vetëm këndonte me një zë të paparë, por edhe i binte violinës. Mësoj se Hafizeja me të vëllain, Selimin dhe të atin, Asllanin, që përbënin “Sazet e Leskovikut”, regjistruan pllakën e parë të gramafonit në vitin 1900, me merakun e këngëtares se pasi “ta shiste zërin” nuk do të mund të këndonte më! Hafizeja vazhdoi të këndonte gjatë tërë jetës (këngët e saj mund të dëgjohen edhe në YouTube), kurse Kastrioti tregon pikanteri të tilla, si: Hafizeja këndoi edhe në dasmën e Shahin Kolonjës (Ypit), kur ky u martua me të bijën e Naimit, Nevrezin dhe se pas vitit 1922 u largua në Stamboll, ku edhe e mbylli jetën, pa u martuar kurrë me askënd, pos me muzikën. (Sopranoja e famshme, Tefta Tashko, që ka një bust të vogël në Përmet, në një kënd të qetë, ishte, siç dihet, e shkolluar, kurse Hafizeja nuk kishte shkollë, por një talent të lindur, “burimor”).

Nga qyteti i Përmetit është edhe poeti Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta në shkurt të këtij viti. Pasi punoi rreth dhjetë vjet si mësues në fshatrat e Përmetit, e tërhoqi Dritëroi në Tiranë, si talent, për t’u bërë njëri nga poetët më të shquar të brezit të vet. Me Bardhin ishim miq. Qemë takuar shumë herë në vendlindjen time në Strugë (edhe në Veleshtë, ku unë i çova, jashtë “protokollit”, në gusht të ’91-shit), edhe në Tiranë, në Prishtinë, në Gjakovë, Tetovë e gjetkë, por jo edhe në Përmet. S’patëm fat. Në verë të vitit 1998 ishim bashkë në një festival poezie në Stamboll, tok me Dritëroin, Fatosin (Arapin), Aliun (Podrimjen) e ndonjë tjetër. Në një çast, kur vizituam Xhaminë e Kaltër, unë ia recitova vargjet e poezisë së tij kushtuar këtij objekti monumental, vepër e një arkitekti shqiptar: “Ah, Xhamia blu, Xhamia blu! / S’më duhet përkthyes këtu”, që tingëlluan magjishëm nën kubenë akustike, kurse ai u mahnit dhe më tha: ”Unë i kisha harruar, ti m’i kujtove… Je njohës i rrallë i poezisë shqipe!”. Edhe kur politikisht nuk pajtoheshim, e patëm ruajtur respektin për njëri-tjetrin.

Me Kastriotin bisedojmë edhe për Fehim bej Zavalanin (1859–1935), kryetarin e Klubit “Bashkimi” të Manastirit, që ndërmori, tok me Gjergj Qiriazin, në gusht të 1908-s, nismën për mbajtjen e Kongresit të Alfabetit, njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Fehmiu ka lindur në Zavalan të Dangëllisë, kurse i biri, historiani dhe publicisti disident Tajar Zavalani, në Manastir, ku qe shpërngulur familja në vitin 1896. Nuk e di a janë edhe këta të dy pjesë e “panteonit”, por nga bashkëbiseduesit mësoj se nuk mungojnë në të as dëshmorët e LNÇ-së: heroi i popullit Skënder Çaçi dhe një tjetër, që s’ia mbajta mend emrin.

Në vend të përfundimit

Në Përmet shkova dhe erdha me shpenzimet e mia, duke bërë gjithsej 1030 kilometra rrugë. Punën e anëtarit të jurisë e bëra falas, pa asnjë cent, jo pse nuk doja të shpërblehesha për punën e bërë, por ngaqë organizatori nuk kishte mundur të siguronte mjete. Dy herë m’u desh ta mbushja makinën me karburant dhe të flija në Durrës një natë, në kthim, për shkak të rrugës së gjatë. Të gjitha me shpenzimet e mia.

Përmetit unë i “harxhova” gjithsej 50 euro, asgjë më shumë, aq sa kushtonte fjetja për dy net në hotelin e vogël pranë Bashkisë, që mori përsipër ta bënte pagesën. Ç’fitova? Njohjen me njerëz të mirë, të dashur e bujarë, që rrallëkund gjenden si në Përmet dhe vizitën në Frashër, që s’e ndërroj me kurrgjë në jetë!

Ç’të them tjetër?

Ende nuk e kam takuar kolegun tim të Fakultetit, i cili, sa herë që “haheshim” për Shqipërinë, më thoshte: “Ke qenë në Frashër?!”. Do ta takoj ditën që do të dalë ky shkrim, do ta qeras me kafe a birrë dhe do t’i them: “Isha në Frashër!”. Tani mund të fle i qetë. Si ai që ka kryer detyrën e vet, siç do të thoshte poeti i shquar grek Janis Ricos.

ABETARJA E PARË

Fejzi Vincës

Dhe mblidheshin mbrëmjeve fshatarët
të mësonin shkronjat e alfabetit,
ndërsa jashtë lehnin qentë e fshatit
dhe përgjonin spiunët e mbretit.

Dhe mblidheshin mbrëmjeve fshatarët
nën dritën e zbehtë të kandilit:
të mësonin “Historinë e Skënderbeut”,
të dëgjonin “Fjalët e qiririt”…

Dhe mblidheshin mbrëmjeve fshatarët
nën dritën e zbehtë të hënës:
të mësonin gjuhën shqipe
të mësonin gjuhën e nënës.

QIRIAZËT

Pishtarëve të arsimit shqip:
vëllezërve dhe motrave Qiriazi

Te koka e Kombit Qiriazët qiri
Digjen dritësojnë tok për Shqipëri

Në altar të Atdheut si apostuj rrinë
Ungjill kanë shqipen, kishë – Shqipërinë

Te koka e Kombit Qiriazët qiri
Ia rrisin nurin nënës Shqipëri

Ia rrisin nurin, ia rrisin hirin
Jatak kanë Korçën, seli Manastirin

Te koka e Kombit Qiriazët qiri
Lindin vdesin lindin shqip për Shqipëri!

1994

ObserverKult

Lexo edhe:

AGIM VINCA: KAMBANË NË QAFË