Ave, Evropë! Të falem! Lakmi t’i kam Panteonët, sheshet, muzetë, bulevardet, ku në çdo hap ka art dhe histori. Lavdi armëve dhe fitoreve të tua! Lavdi! Po përse, moj Zonjë e Madhe, me paleta e granduniformë, kërkon nga unë të heq dorë nga lufta ime, të mos këndoj këngë për lirinë, të mos u ngre lapidar dëshmorëve, të mos u thur vargje të rënëve? E përse djemtë m’i mbyll në burg e m’i degdis në Hagë – Ata që lirinë e kërkuan burgjeve Ata që lirinë e lanë me gjak?! Zonjë hijerëndë, me Muze Armësh e Sheshe Invalidësh, përse kërkon nga unë t’i fshij nga memorja shkronjat UÇK?! E përse djemtë m’i degdis në Hagë e m’i mbyll në Dubravë, në atë hapsanë larë me gjak e lot?! Përse, madhëri, nënë luftërash e shtetesh e lirish; Më thuaj përse, pash Shën Bartolometë dhe Bonapartët e tu të shumtë e funeralet e tua madhështore në natën e gjatë të historisë?!