Agim Vinca: Poezia lirike dhe veçoritë e saj

Agim Vinca

(Ose: si të lexohet poezia?)

Nga Agim Vinca

“Isha duke punuar pothuaj tërë mëngjesin në përmirësimin e njërës prej poezive të mia, dhe hoqa një presje. Pasdite e ktheva prapë aty në vendin e vet”. – Oscar Wilde

Fjala lirikë vjen nga emri i një instrumenti të lashtë lira (greq. lyra), me të cilin në antikë shoqërohej deklamimi i poezisë. Lira është një instrument me tela, që u bë me kalimin e kohës simbol i poezisë.

Poezia lirike ose lirika është ai lloj poezie, që shpreh botën e brendshme të poetit. Poezia lirike është zakonisht e shkurtër, e kondensuar; të shumtën e herëve i përmbahet sistemit strofik dhe është e rimuar.

Poezia lirike është shprehje e ndjenjave subjektive të poetit, por uni që ligjëron në të nuk është e thënë të jetë vetë poeti, prandaj në teorinë moderne të poezisë ai quhet rëndom subjekt lirik. Kategoria e subjektivitetit është tipar themelor i poezisë lirike, me të cilin ajo dallohet nga llojet e tjera letrare (epika dhe dramatika).

“Çdo poezi e vërtetë – shkruan studiuesi i njohur francez i romantizmit, Pol Van Tigem – në një pikëpamje është personale; në të poeti lejon të shihen, madje edhe në mënyrë të pavullnetshme, idetë dhe ndjenjat e veta”.[1]

Një veçori tjetër e poezisë lirike është përjetimi. Vjersha lirike është rëndom përjetim i një ngjarjeje të gëzueshme ose të pikëlluar; i një situate jetësore; i një pamjeje të natyrës etj. Në poezinë lirike, nëpërmjet gjuhës poetike, e cila është rëndom gjuhë e figurshme, metaforike, shprehen ndjenjat më subtile njerëzore: ndjenja e dashurisë, e gëzimit, e hidhërimit, e pikëllimit, e trishtimit, e entuziazmit, e zemërimit, e urrejtjes, e zhgënjimit, e revoltës, e protestës etj.

Sonetet e Dantes dhe të Petrarkës shprehin ndjenjën e dashurisë e të adhurimit për Beatriçen dhe Laurën – dy gra që në saje të tyre u bënë të pavdekshme; Korbi i E. A. Posë shpreh ndjenjën e dhembjes për gruan e poetit, Leonorën, në prag të vdekjes, por edhe tmerrin e ndarjes, të personifikuar në figurën e korbit që klith:
“Kurrë më!”; Bukuria e Naimit është shprehje e dashurisë sublime,ideale, ndaj një qenieje gjysmë grua gjysmë hyjneshë, për të cilën subjekti lirik është i gatshëm të bëhet “baltë e pluhur”, kurse Vaje e Çajupit, siç del edhe nga vetë titulli, është vajtim për gruan e humbur, Evgjeninë dhe për djalin e mitur që duhet ta rrisë vetë poeti.

Vjershat Mall dhe Kur të jesh mërzitur shumë të Kadaresë dhe Agollit, dy perla të lirikës së sotme shqipe, shprehin po ashtu
ndjenjën e mallit për një grua me të cilën subjekti lirik jeton në të njëjtin qytet, por shihet rrallë me të (e para), kurse e dyta është një himn krijimit dhe dashurisë, që e bëjnë të pavdekshëm shpirtin njerëzor.

Shkurtësia është një nga tiparet themelore të poezisë lirike. Sipas poetit dhe eseistit amerikan E. A. Po, që konsiderohet
pararendës i modernizmit dhe mësues i Bodlerit, poezia lirike nuk duhet t’i kalojë të njëqind vargjet. Gjatësia e një vjershe duhet të jetë në përpjesëtim me vlerat e saj, përkatësisht me efektet që ajo synon të përçojë tek lexuesi.

Tipar tjetër i poezisë lirike është ndjeshmëria ose emocionaliteti i saj. E lidhur ngushtë me këtë është edhe nota subjektive e këtij lloji të poezisë.

Poezia lirike trajton një temë të caktuar (patriotike, sociale, erotike, solemne, refleksive, peizazhiste etj.), e cila shumë herë përbëhet prej disa motivesh. Ndonjëherë në poezinë lirike secili varg shpreh një motiv, që është njësia më e vogël kompozicionale e vjershës lirike.

Karakteri i figurshëm i shprehjes dhe ekspresiviteti i saj është veçori tjetër qenësore e poezisë lirike. Poezia është të
menduar me figura. Albatrosi i Bodlerit shpreh fatin e poetit në shoqëri (me theks te shoqëria moderne), qiriri i Naimit glorifikon sakrificën për të mirën e përgjithshme (Pa digjem për njerëzinë), kurse nositi i Lasgushit – flijimin për hir të vazhdimësisë së jetës.

Secila nga këto tri poezi të njohura (Albatrosi, Fjalët e qiririt dhe Vdekja e nositit) synon idealen, pra atë që është e kundërt me realen, me atë që karakterizohet nga banaliteti i jetës së përditshme.

Gjuha në poezinë lirike ka funksion kryesisht estetik.Funksioni i komunikimit është i dorës së dytë për të.

Në poezinë lirike çdo element, duke filluar nga tingulli, vihet në funksion të tërësisë dhe luan një rol në kuadër të saj. Madje
edhe interpunksioni. Meqenëse lirika në zanafillë lidhet me muzikën (lirën), muzikaliteti paraqet një përbërës të rëndësishëm të saj.

Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra
Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,
Se doli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me vrap.

(Fan S. Noli, Thomsoni dhe kuçedra)

Muzikaliteti në vargjet e mësipërme përftohet nëpërmjet përsëritjes së fjalëve (te, me, ura, se etj.) dhe tingujve (a, u, o, r
etj.), por edhe me anë të rimës, e cila në këtë rast është rimë e puthme me skemë: AA, BB, CC.

Metri, ritmi dhe rima janë kategoritë fundamentale të artit poetik. Poezia lirike shkruhet me varg të rregullt, kur poeti e
respekton gjatësinë e vargut dhe theksat ritmikë, por edhe poezi me varg të lirë heterometrik. Vargu i bardhë, që është varg i rregullt, por pa rimë, përdoret rëndom në epe dhe rapsodi, pra në poezinë epike.
Rima është një element relativisht i vonë i poezisë, që shfaqet në mesjetë – diku nga viti një mijë e këndej. Me varg të bardhë, pa rimë (heksametër jambik),[2] janë shkruar edhe tragjeditë e Shekspirit.

Ritmi dhe intonacioni, krahas metrit dhe rimës, janë dy elemente dhe dy vlera të përhershme të poezisë. Ritmi mund të jetë i shpejtë ose i ngadalshëm, varësisht nga përmbajtja dhe disponimi që shpreh poeti. Shembull: vjershat Ikja e Moisi Golemit dhe Shpjegim për librat Besianës së vogël të Kadaresë, që dallojnë shumë për nga ritmi i tyre (e para ka ritëm të shpejtë, dinamik, ku mbizotëron fjala onomatopeike trok, kurse e dytë ritëm të ngadalshëm, prozaik dhe stil bisedor; shkrimtari i shpjegon të bijës ç’është poezia dhe sidomos poezia hermetike, kundër së cilës ngrihet), si dhe vjershat: Anës lumenjve (Ku e lamë…) e Nolit dhe Parathanja e parathanjeve (Përditë përndojnë zotat…) e Migjenit, që dallojnë po ashtu dukshëm për nga vija e tyre ritmiko-intonative

Si përfundim, mund të themi shkurt se subjektiviteti, shkurtësia, ekspresiviteti i theksuar, ndjeshmëria e lartë, karakteri
figurativ dhe muzikaliteti janë karakteristikat themelore të poezisë lirike.

Poetesha e parë lirike në botë është Safoja, që jetonte në ishullin Lesbos në Greqi.

Literaturë:

  1. Dalan Shapllo, Poezia nëpër kohë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990 (kapitulli i parë, f. 3-103).
  2. Terry Aegleton, How to read a Poem?, London 2000.
  3. Agim Vinca, Kënga e hapur. Antologji e komentuar, Prishtinë 2005.

[1] Paul Van Tieghem, Le romantszme dans la littérature européenne, Paris 1969, f. 350. Cituar sipas: Ali Xhikut, Letërsia shqipe si polifoni, “Dituria”, Tiranë 2004, f. 42.

[2] Heksametër jambik: varg 12-rrokësh; një rrokje e gjatë, një e shkurtër. Me këtë metër është shkruar vepra e famshme e Shekspirit, tragjedia Hamleti, nga e cila po citojmë vargun kyç të saj: “To be or not to be, that is the question”: “Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja” (Noli).

ObserverKult


"Pa lamtumirë", nga Agim Vinca
Agim Vinca

Lexo edhe:

AGIM VINCA: KUJTOJ MËSUESIN…

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha ahere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult