Agim Vinca: Portreti i Nolit në vargjet e një poeti

Agim Vinca

Bardhyl Londo: Kush je ti?

Nga Agim Vinca

            Figura poliedrike e Fan S. Nolit (poet, dramaturg, përkthyes, kritik letrar, historian, publicist, muzikolog, orator, burrë shteti, klerik etj.) ka tërhequr vazhdimisht jo vetëm vëmendjen e studiuesve të letërsisë dhe të disiplinave të tjera me të cilat është marrë ai, por edhe të poetëve dhe të krijuesve të tjerë. Me jetën dhe veprën e tij, Noli i madh, ka zgjuar kërshërinë e të parëve – shkencëtarëve të profileve të ndryshme dhe ka nxitur fantazinë e të dytëve – poetëve, piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve etj. Sikurse edhe krijuesve të tjerë të shquar të letërsisë dhe të kulturës sonë, apo edhe personaliteteve të tjera të traditës, Fan S. Nolit i janë kushtuar jo pak vjersha nga ana e poetëve bashkëkohorë shqiptarë. Në mesin e këtyre vjershave, me domethënien e saj të thellë dhe me bukurinë e rrallë artistike, veçohet vjersha e poetit të talentuar të brezit që doli në skenën letrare në vitet ’70, Bardhyl Londo me titull Kush je ti?.

            Edhe pse portretin e Nolit në poezi kanë provuar ta bëjnë edhe shumë poetë të tjerë bashkëkohorë shqiptarë, krijues të afirmuar e me përvojë si Esad Mekuli, Enver Gjerqeku, Nuhi Vinca, Musa Ramadani, Xhevahir Spahiu, Petrit Ruka e të tjerë, mund të thuhet se Bardhyl Londo ka arritur ta japë në mënyrë më të saktë, më të plotë, por edhe më elokuente se gjithkush tjetër para tij portretin e Nolit në poezi. Vjersha e tij kushtuar Nolit me titull Kush je ti?, haset në librin e katërt me poezi të këtij poeti: Si ta qetësoj detin (1988), në ciklin Monumente, pranë vjershave kushtuar Çajupit, Mjedës, Lasgushit, Migjenit, si dhe çiftit të madh të vëllezërve Frashëri, Naimit dhe Samiut. Kjo vjershë, që ka gjithsej 28 vargje, përbëhet nga katër strofa gjashtëvargëshe (sekstina) dhe një strofë katërvargëshe (katrenë), që sajohen nga vargje heterometrike 8-11 rrokëshe të rimuara dy nga dy sipas skemës AABBCC (sekstinat) dhe AABB (katrena). Kjo është struktura metrike e kësaj vjershe të ngjeshur me një përmbajtje e mendim të thellë poetik, që shquhet edhe për një shprehshmëri të madhe gjuhësore artistike.

Në strofën e parë jepet profili i Nolit si personalitet fetar e politik; në strofën e dytë vihet theksi te Noli përkthyes e studiues; në strofën e tretë del figura e Nolit si mërgimtar i përjetshëm, si njeri që «këmbët i ka në Boston e zemrën në Ballkan» (toposi i ndarjes së gjymtyrëve të trupit shfaqet shpesh në poezinë e sotme shqipe dhe kjo ka arsyet e veta historike) dhe që «njëri sy i qesh e tjetri i qan». Strofa e katërt është aluzion te Noli poet, por edhe muzikolog, historian e burrë shteti; te Noli njeri i dilemave të mëdha, që, sipas poetit, është veti e njerëzve të mëdhenj, përkatësisht e gjenive (kategoria e dilemës lidhet njëkohësisht edhe me figurën e Hamletit), kurse strofa e fundit, e pesta, që, për ndryshim nga strofat e mëparshme, ka vetëm katër vargje, është njëfarë sinteze e tërë vjershës, e cila, shikuar në përgjithësi, shquhet për një shkallë të lartë harmonie midis pjesëve dhe tërësisë. Që në fillim poeti e karakterizon Nolin me sintagmat poetike «sfidë e shekujve», «grusht i tiranëve», «tmerr i mbretërve». Në vizionin poetik të Londos ai (Noli) është «herë Bethoven» e «herë Khajam»; «Hamlet i ngrysur» e «Sanço hokatar», por edhe asket e mëkatar, lolo e mbret, perëndi a djall. Noli është, pra, një botë e tërë, një univers kompleks shekspirian, ku, si te Shekspiri, takohen e bashkëjetojnë komikja e tragjikja, groteskja dhe e madhërishmja, sarkastikja dhe sublimja, humori e poetikja. Ai ngrihet e zbret shekujve duke i sfiduar ato. Metafora fillestare «sfidë e shekujve» transformohet në fund në «sfidë e harrimit», kurse togfjalëshi «tmerr i mbretërve», që sugjeron shpirtin revolucionar të «peshkopit të kuq», përsëritet edhe një herë. Vjersha është konceptuar në formë të një enigme a kashelashi. Duke filluar që nga titulli e deri në mbarim ajo i ngjan një enigme, ku objekti i poetizuar, në këtë rast emri i poetit, zbulohet vetëm në fund. Në të shtrohen shumë pyetje e përgjigje, të cilat e mbajnë të tendosur vëmendjen e lexuesit përgjatë tërë tekstit, sepse befasia lihet për në fund. Vetëm në vargun e fundit të kësaj vjershe përmendet emri i personalitetit të cilit i kushtohet ajo, pra emri i Nolit, për ndryshim nga vjershat e tjera të këtij cikli, ku emri del qysh në titull. Poeti i drejtohet Nolit në vetën e dytë njëjës (me ti) dhe thuase kërkon nga ai që të flasë për veten, t’i përgjigjet pyetjes se kush është në të vërtetë ai. Pyetja: Kush je ti?, që është edhe titull i kësaj vjershe, përsëritet disa herë brenda saj, pothuajse në secilën strofë nga një herë. Duke vepruar kështu, poeti sikur dëshiron të tregojë se sa vështirë është t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Në secilën strofë autori i vjershës Kush je ti? provon t’i përgjigjet pyetjes se kush është Noli dhe, pas çdo strofe, i pakënaqur me përgjigjen, sërish e shtron atë, për t’u përgjigjur në fund me dy fjalë të vetme: «Noli shqiptar». Noli shqiptar. Një emër e mbiemër. Emri Noli dhe mbiemri shqiptar. Nuk e di në është kjo përgjigjja më e mirë apo, ndoshta, poeti ka mundur ta mbyllë disi ndryshe vjershën. Ndonëse njeri me kulturë e dije universale, erudit e poliglot, me një fjalë intelektual i formatit evropian e botëror, Noli qe dhe mbetet para së gjithash thellësisht shqiptar – me botëkuptimin e botëpërjetimin e tij, me etikën dhe psikologjinë, me gjuhën, stilin, frazeologjinë dhe humorin e vet; në çdo gjest e veprim të tij, në çdo vepër e krijim artistik. Mu për këtë poeti e ka parë të udhës që ta mbyllë vjershën me fjalët «Noli shqiptar», mbyllje kjo që tingëllon në mënyrë ngapak retorike e deklarative, por që përkon me vetë modelin nolian të ligjërimit poetik.

            Pos me idetë e saj të fuqishme, vjersha Kush je ti? tërheq vëmendjen e lexuesit edhe me strukturën e pasur figurative, si edhe me organizimin mjeshtëror ritmik e muzikor, qërkatësisht me instrumentimin e vargut që konsiston në përdorimin e fjalëve kumbuese, të rimës, të aliteracionit, të asonancës, të onomatopesë etj.

            Shikuar nga aspekti i sistemit figurativ, për vjershën Kush je ti? mund të thuhet ashtu siç është thënë për një vjershë të Petrarkës (Tingëllima XC e Librit të këngëve) se është «lojë e antitezave», një lojë vërtet e bukur antitezash. Kështu, derisa Petrarka i dashuruar në Laurën shkruan për të, në të vërtetë për veten: «Dhe ndruhem dhe shpresoj, dhe digjem dhe jam akull/ Dhe qiellit fluturoj dhe hiqem zvarrë» apo: «Shikoj pa sy e nuk kam gjuhë e thërras,/ Dëshiroj të vdes dhe ndihmë prapë kërkoj,/ Veten e urrej dhe dikë tjetër dua» ose: «Ushqehem me hidhërim dhe duke qarë qesh» etj., Londo i «dashuruar» në Nolin shkruan për të: «Lirinë  kërkon. Pushka s’ka çark./ Fluturimin do e krahët s’i hap…/ Nuk e di kur qesh, nuk e di kur qan…/ Zhurmën e pëlqen, heshtjes i flet…/ Njëri sy të qesh, tjetri të qan…/ Lumenjtë i pi e etja të djeg» etj. etj.

            Shëmbëllyeshëm Petrarkës, të cilësuar nga kritika si «i pari poet modern», pjesa dërrmuese e vargjeve të kësaj vjershe janë ndërtuar si sistem çiftesh bipolare antinomike. Nga ana tjetër ajo është konceptuar në formë pyetjesh e përgjigjesh që shtron poeti duke dashur ta vizatojë portretin kompleks të Nolit si poet, përkthyes, kritik letrar, muzikolog, burrë shteti, mërgimtar etj. Materialin për këto pyetje e përgjigje autori e vjel nga veprimtaria e gjerë dhe e frytshme e Nolit, duke qëmtuar prej saj atë që është më e bukur, më tipike dhe më mbresëlënëse.

            Si poet me talent e kulturë (dy parakushte për çdo poet të vërtetë) Bardhyl Londo është i vetëdijshëm se çdo vjershë e mirë për Nolin duhet të ketë në vete diçka noliane. Në këtë rast e tillë është në radhë të parë figura e krijuar mbi bazën e kundërvënies – a n t i t e z a (te Noli kemi shembujt më të shkëlqyeshëm të antitezës në poezinë shqipe: Anës lumenjve, Syrgjyn-vdekur, Moisiu në mal etj.), por edhe ritmi dinamik – tipik nolian, pastaj orkestrimi mjeshtëror melodik i vargut; seleksionimi dhe funksionalizimi semantik e eufonik i materialit gjuhësor dhe në përgjithësi modeli nolian i poezisë muskuloze, pa bark e tule (siç thoshte Kuteli), që e hasim te pak poetë dhe që arrihet në saje të talentit, përvojës, ndjeshmërisë dhe përqendrimit krijues.

            Ndonëse inkuadrohet në ciklin e vjershave kushtuar poetëve, në ciklin të cilin poeti e pagëzon Monumente, vjersha Kush je ti? nuk i përket kategorisë së kushtimeve tradicionale, e aq më pak llojit të vjershave stereotipe kushtuar poetëve të vdekur kombëtarë, që shkruhen rëndom në raste jubilesh, për ta madhëruar sadopak atmosferën që krijohet në këso rastesh. Ajo nuk ka lindur si rezultat motivesh të tilla festive a jubilare, herë-herë koniunkturale, por është një krijim artistik, të cilin poeti e ka mbajtur gjatë në vete dhe e ka studiuar në çdo pikëpamje.

            Për të gjitha këto mund të thuhet se vjersha Kush je ti? e Bardhyl Londos është padyshim vjersha më e mirë kushtuar Nolit dhe si e tillë ajo mbetet një  m o n u m e n t  i vërtetë poetik ngritur për nder të emrit dhe të veprës së pavdekshme të këtij gjeniu të letërsisë, të kulturës dhe historisë shqiptare.

Bardhyl Londo: KUSH JE TI?

Kush je ti? Sfidë e shekujve,
grusht i tiranëve, tmerr i mbretërve.
Lirinë kërkon. Pushka s’ka çark.
Fluturimin do e krahët s’i hap.
Me raso je veshur, zotin e tall.
Kush je ti? Perëndi a djall?

Herë Bethoven, herë Khajam.
Nuk e di kur qesh, nuk e di kur qan.
Ofeli e ëmbël, korb që të tremb,
të dhemb kaq shumë e s’di ç’të dhemb.
Hamlet i ngrysur, Sanço hokatar,
gjysmë asket, gjysmë mëkatar.

Herë urrejtje, herë dashuri.
Kush je ti? Zjarr apo hi?
Zhurmën e pëlqen, heshtjes i flet
gjysma lolo, gjysma mbret.
Këmbët në Boston, zemrën në Ballkan.
Njeri sy të qesh, tjetri të qan.

Duart të ngrijnë, zjarrin s’e ndez.
Lumenjtë i pi e etja të djeg.
Heshtje e shurdhër, gjëmim hata.
Kush je ti, kush je ti, pra?
Oh, po pas dilemës u fshehka gjeniu,
brenda një loti ndritka njeriu.

Kështu ngjitesh e zbret shekujve
sfidë e harrimit, tmerr i mbretërve,
zjarr që përvëlon, kallkan acar.
Kush je ti? Noli shqiptar!


Lexo edhe:

AGIM VINCA: DELIR DIMËROR