Agim Vinca: Delir dimëror

Agim Vinca

Poezi nga Agim Vinca

(Made in Prishtinë)

Qyteti fle në zjarr e ethe
Bie e ngrihet në kllapi.
Një hënë e zbehtë rend ndër gjethe
Një hënë si pika përmbi i.

Tri herë në ditë ding-dang kambana
Ia pret hoxha në minare:
Ruana Zot! Allah, Allah
Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di
Kush është shejtan a pejkamber
Hëna baret përmbi çati
Droja troket derë më derë.

Dremit qyteti e njerëzia
S’i heqin sytë nga ekrani.
Vjen shpëtimtari nga Velania,
Vjen dhe mesia nga Dragodani.

Tri herë në ditë ding-dang kambana
Allahu ekber! – lart në minare:
Ruana Zot e Jehova
Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di
Kush është mesi e pejkamber
Shtatë protektorë, dyqind parti
Trokasin fort derë më derë.

Hape! – thotë njëri. Hape! – dhe tjetri.
Jam Jezu Krishti, Juda, Shën Pjetri.
Jam Shën Mëria, Parajsa vetë.
Zoti, Mesia, Baba dovlet.

Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.
Hëna ndër gjethe si pika mbi i.[1]


[1] Varg i Mysesë nga Balada e hënës.

ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM VINCA: SHKRONJAT DHE MUZAT

(Fjalë në ceremoninë e marrjes së Çmimit “22 Nëntori”, mbajtur më 22
nëntor 2023, në Shkup)

Nga Agim Vinca


Të nderuar miq dhe kolegë,
Përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Zonja dhe zotërinj!

Për punën time krijuese kam marrë çmime me vleftë edhe më të madhe
materiale, por ky është për mua më i dashuri, për arsye se jepet për nder të
Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Kongresit të Manastirit, në ditën e
përfundimit të punimeve të tij, më 22 nëntor. Kjo është kryesorja, por ka edhe një
arsye tjetër, jo pa rëndësi, pse është çmimi i parë që marr në trevën nga vij,
domethënë në vendlindjen time, në kuptimin e gjerë të fjalës…

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU