Agim Vinca: Shkrimtari në kafaz

Nga “DITARI I PANDEMISË”

E martë, 7 prill 2020

Në Prishtinë është ndaluar dalja në shesh. Parqet janë rrethuar me shirita të kuq.

Edhe sheshi Fontana te soliterët, aty ku të ngeshmit luajnë shah nën hijen e pishave. Dy luajnë, dymbëdhjetë shohin. Bëjnë spektatorin. Ndërsa rrokaqiejt ngrihen përpjetë si pikëçuditje!

Mediat njoftojnë se në lagjen Ulpiana janë identifikuar dy të infektuar me Covid-19. Hanibal ante portas! Korona te dera!

Pas fjalës koronavirus, fjalë tjetër shumë e shpeshtë e kësaj kohe është fjala karantinë. Nga vjen kjo fjalë? Nga italishtja: “quaranti”. Dyzet.

Në mesjetë, në shekullin XIV, kur ra murtaja e zezë, që mori gjysmën e popullsisë së Evropës («Njerëzit binin si miza», thotë eruditi ynë, Konica), në Avinjon të Francës u ngritën spitale fushore, ku njerëzit izoloheshin: “quaranta giorni”. Dyzet ditë. Avinjoni atëbotë (1309 -1423) ishte seli e papëve («cité des papes»), rol ky që më vonë e mori Vatikani.

Askush nga fqinjët nuk bëzan. Heshtje e plotë. Të gjithë janë mbyllur në kafazet e veta. Edhe buzëqeshja. (Ali Podrimja). Gjatë luftës ishim tok. Tani secili veç e veç, cok.

Nuk është vetëm epidemia që na ndau, jo, edhe liria. Po, po, liria! Tjetërsimi filloi nga paslufta, kur filloi uzurpimi i banesave dhe ndërrimi i dyerve e bravave. Një lloj barrikadimi në paqe. Dyert e vjetra, të bardha, u zëvendësuan me dyer të blinduara.

Në njëfarë dore ne kemi hyrë moti në karantinë, nëse nuk llogarisim shëtitjet në Gërmi, pikniqet në Durrës a Shëngjin, vilat në Brezovicë, veturat luksoze dhe pushimet verore.

I spostoi të gjitha përkohësisht korona, të gjitha, përveç vetmisë dhe egoizmit.

Njerëzit e artit dhe të kulturës, që intervistohen këto ditë në televizionet tona, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, përdorin pa pushim fjalën reflektim. Të reflektojmë! – thonë. Për jetën, lirinë, dashurinë, miqësinë dhe solidaritetin njerëzor. Kohë kemi boll.

Sa i duhemi njëri-tjetrit? Sa ia kemi nevojën? A do të nxjerrim mësim nga ky pësim? Kam frikë se jo. Përvoja jetësore më ka bërë skeptik. Jemi popull me kujtesë të dobët. Amnezikë. I harruam shpejt luftën, vuajtjet, eksodin, krimet.I harruam netët me bukë e pa bukë/ Burgjet, plumbat, helmet e tanket në rrugë”. Do ta harrojmë edhe këtë karavirusin (si e quajti shkodranja), i cili, ndryshe nga ato të tjerat, vjen nga Zoti e jo nga njerëzit. 

Planin e djeshëm për djegien e disa materialeve nga arkivi im personal, e vura në jetë sot. “Ekzekutimin” e bëra në një kënd pranë kontejnerit, përballë Kishës. Më erdhi keq tek shihja se si flaka jeshile përpinte portretin e poetit heretik Edgar Allan Po nga një gazetë e zverdhur vitesh. Më fal, o mik! Sorry!

Që të lirohem nga “mëkati” flas në telefon me miqtë e mi poetë Adem Gashin (Asturias) dhe Lulzim Tafën (Lulin). Do të veproja njësoj edhe me Sabitin, Sabit Idrizin, por fatkeqësisht është e pamundur! E ka humbur zërin, por jo shpirtin, as sytë dhe veshët. Do t’i shkruaj!

Cingëron telefoni fiks, i cili në këtë kohë digjitalizimi bie rrallë, shumë rrallë. Doktor Pandeli Çina nga Tirana! Kurrë s’harron. Në çdo situatë. Është nga të rrallët që ma uron rregullisht edhe festën e Bajramit, kurse unë atij Pashkët ndonjëherë, kur s’harroj. “Si je komandant?”- më thotë me shaka. “Komandanti është mbyllur në kafaz nga frika!”, ia kthej me të njëjtën masë. Dr. Pandeli Çina është mjek i zemrës, kardiolog, por edhe njeri i letrave. Ka përkthyer nga polonishtja, gjuhë të cilën e njeh mirë, poeten e madhe polake Shimborska.   

Zgjas dorën dhe marr nga rafti i vitrinës librin me poezi të mikut tonë të përbashkët, Xhevos (Xhevahir Spahiut), Rreziku (2002), i cili hapet me poezinë Zemra kushtuar “doktor Pandeli Çinës”.

“Flas me ty,/ ti me zemrën./ Ç’mistere vëngojnë aty brenda?/ Ajo i di të gjitha, doktor,/ mua s’m’i thotë,/ po ti jepi zemrës pak zemër;/ thuaji ashtu kot: e keqja është larg”. Dhe këtu po vë pikë. Dhe këtu po vë pikë. Për të mos e ndotur këtë ditë me virusin politik./ ObserverKult