Flasim përhanshëm me Agim Vincën
Nga: Xhemazije Rizvani
- Si duket dhoma e një shkrimtari ?
E rrëmujshme, sikurse edhe koka e tij, pak a shumë, por në atë rrëmujë ka shumë rregull dhe harmoni.
- Për ç’gjëra tashmë është vonë ?
Të flasësh përhanshëm pasi të jesh zgjuar nga gjumi!
- Ç’ka poetike Veleshta e këngëve ?
Këngët, vallet, dasmat, edhe vajtimet, që t’i kujtojnë tragjeditë antike. Sofrën, bujarinë. Shpirtin kryengritës, krenarinë, por edhe inatin…
- Pandemia ka qenë e frytshme për ju ?
Fatbardhësisht apo fatkeqësisht po. Po të mos kishte qenë korona që na erdhi mysafir në pranverë të këtij viti, nuk do të kishte lindur libri “Ditari i pandemisë”, për të cilin vazhdojnë të më arrijnë komplimente nga të katër anët.
- Kush është Agim Vinca ?
Herë-herë më duket se nuk e di as vetë mirë. Është një njeri mendjelirë, i drejtë, por pak i vështirë. Një idealist i pandreqshëm, që kërkon të vërë rend në këtë botë kaotike.
- Ku përkisni ju ? Kë keni atdhe ?
Thuhet se atdheu i shkrimtarit është gjuha në të cilën shkruan. Unë flas dhe shkruaj shqip. Kam lindur në Maqedoni, jetoj në Kosovë, atdhe kam Shqipërinë, “që nga Shkupi në Janinë”.
- Për çka është akoma herët?
Për t’i thënë jo rrënimit të vlerave. Për t’u rebeluar kundër marrëzisë.
- Cilët poet i keni të preferuar ?
Janë të shumtë poetët që i dua, që më pëlqejnë, që më merr malli t’i lexoj, rilexoj e mësoj përmendsh. Nga “të huajt” Bajroni, Hygoi, Hajne, Pushkini; nga tanët Mjeda, Noli, Lasgushi, Migjeni. Pa harruar as bashkëkohorët.
- Ç’ka të jashtëzakonshme Prishtina ? Po Struga ?
Struga ka bukuri natyrore, ka Liqenin dhe Drinin, por Prishtina, qyteti pa lumë, më ka bërë ky që jam. Këtu mësova të notoj në ujërat e dijes, të artit dhe shkencës.
- Pa cilat libra s’duhet të rrijë çdo shtëpi ?
Pa Biblën, Kur’anin, Iliadën, Komedinë hyjnore, Hamletin, Don Kishotin, Rubairat, Lulet e verës, Milosaon, Juvenilian, Albumin e Nolit, Vargjet e lira të Migjenit, Pelegrinin e Dritëroit, Kronikën e Kadaresë, Ditarët e prof. Qosjes etj. Më lejoni të shtoj edhe një libër që duhet ta ketë çdo familje shqiptare: Fjalorin e gjuhës shqipe.
- Cila është diktatura më e tmerrshme, nga ato dy a tri ?
Të gjitha diktaturat janë të tmerrshme, por më e tmerrshmja është ajo që bashkë me trupin përpiqet ta vrasë edhe shpirtin.
- Për çka pikëlloheni më shpesh ?
Për njerëzit e mi(rë), që nuk janë më dhe për “parajsën e humbur”: fëmijërinë.
- Nga cila derë ikni nga realiteti ?
Nëpërmjet fjalës, imagjinatës, punës krijuese. Edhe përmes ëndrrës dhe ëndërrimit (dikur).
- Ç’ju ngjall e nesërmja ?
Frikë. Por edhe shpresë. Shpresa vdes e fundit.
- Përse shkruani ?
“Pour tuer la mort”, do të thoshte Romen Rolani. “Për ta vrarë vdekjen”, aq sa është e mundur kjo gjë, nëse nuk është thjesht një iluzion.
- Cila është ajo rrugë që mezi prisni ta bëni ?
Kurdo që udhëtoj nëpër botë mezi pres të kthehem nga kam ardhur. Edhe kur kam shkuar në Romë, Paris a Nju-Jork, e kam pritur me padurim kthimin në Prishtinë.
- A i keni gjetur kuptimin jetës ? Cili është?
Në pragun e shtëpisë së një miku në Amerikë lexova fjalët: Live (Jeto), Love (Dashuro) dhe Laugh (Qesh). Ndoshta te këto tri fjalë qëndron kuptimi i jetës. Por unë jam ende në kërkim të këtij kuptimi, që s’merr fund derisa të marrim frymë.
- Cilët janë mësuesit tuaj ?
Para së gjithash nëna që më ka lindur. Daja, një njeri karizmatik, që ka ndikuar shumë në formimin tim politik. Më vonë, disa nga profesorët e mi në fakultet, si pedagogë dhe si krijues. Edhe në këtë moshë e konsideroj veten nxënës që mëson nga të tjerët.
- Nëse vdes libri, si do të jetojë njerëzimi ?
Nuk besoj se do të vdesë libri. Së paku jo sa të jetë në këtë botë brezi im. Për më vonë nuk e di. Mund të jetohet edhe pa libër, por nuk është mirë. Kjo do të ishte jetë në shkretëtirë.
- Ç’ka të frikshme rrotull nesh ?
Pushteti i korruptuar, shkelësit e lirisë, njerëzit me maska (para dhe pas pandemisë). Urrejtja, smira, egoizmi dhe injoranca në ne dhe rreth nesh.
- Shkrimtari dhe politika si duhet të qëndrojnë?
Në distancë, por edhe duke u përleshur i pari me të dytën, pa frikë dhe pa bërë llogarira./ ObserverKult