Buqetë me poezi të Pano Taçit: Duart që m’i puthte nëna…

Pano Taçi është një nga penat më të veçanta krijuese në letërsinë shqipe, i njohur sidomos për flakën erotike brenda poezive të tij.

Kemi zgjedhur disa nga poezitë më të dashura të lexuesve për ta kujtuar figurën e tij:

Dua të di cili jam me kaq plagë në gji…

Kërkoj veten që s’e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
me kaq plagë në gji.

Kërkoj veten, bëj ta gjej
Thomëni, kush ma pa?
Dhe n’e gjej, me dhëmbë e brrej.
Brengat mua m’i la.

Kërkoj veten ku më humbi,
në ç’udhë pa krye?
Pa veten do më marrë lumi
Pa veten jam hije.

Ajo dhe unë

Të shkoj, s’guxoj se mund ta shoh,
ajo më pret, ç’të bëj nuk di.
Nuk di, nëse do mund ta njoh,
s’është më ajo, s’jam më ai.

Ne s’presim pashkët për ringjallje
bota na vrau që të dy.
Nuk di si mund të ketë çmallje,
kur s’është ajo s’jam ai.

T’i falem Zotit të harresës,
që shpuzat i mbulon me hi?
E ç’vlen ky loti i pendesës,
s’është më ajo, s’jam më ai.

T’i falem Zotit të mëshirës,
për gjithë sa shkoi të ndez qiri.
Po qe se dalim humbëtirës,
je ti ajo, jam unë ai?

Hija

Në derën e një plake të thinjur trokita,
ku shpirtin dikur pata nginjur
e buzët përnrita.

E pashë, më pa,
E njoha, ajo nuk më njohu.
Stapi ku mbështes pleqërinë më ra.

M’u bë se më tha:
– Afrohu…
Kur sy përdhe më pa,
– S’më njeh, i thashë, pa kujtohu?

A s’jam unë që shkëlqeja
si një yll në sytë e tu?
Të rrahurat e zemrës bëra t’ia ndieja,
asgjë, akull, m’u drodh shpresa
kur më tha: Kush je, ç’të solli këtu?
I thashë: – Ndjenja…
Përdore më mori harresa
të të bie në gju
e shpirtin për ç’ti mardh t’ua ngroh.
– Largohu, m’u përgjigj, s’të njoh.

Për ç’ka mendja me gënjehu,
zemra m’u bë copa-copa.
Kuptova, nuk jam Odiseu
e ajo nuk është Penelopa,
që më tha: ç’pret kthehu…
jeto harrimin
me trishtimin
e bukurisë së vrarë në sy.

Siç erdha nëpër tym,
ika nëpër humbëtim
nuk ish rinia,
aty qe pleqëria.

Sytë veç nuk grisen

Nuk pres më asnjë letër,
malli humbi, çdo tingull,
shpëtova nga brenga e vjetër.

Çdo germë një lot e shkroi,
siç shkroi fjalën “të dua!”
dhe unë dhe ajo shpëtoi,
çdo gjë u shua… u shua.

Por loti dhe sytë mbi ball,
s’ u grisën, më mbetën të gjallë!

Vargjet e mia

Vargjet e mia kalojnë nën dritaren e të shuarave,
ato ulin grepat, i zënë e thurin dantella.

Vargjet e mia kalojnë nën dritaren e zonjave,
ato zgjatin duart zënë metaforat i bëjnë inxhi gushe.

Vargjet e mia kalojnë nën konviktin e studenteve,
ato i zënë u këpusin rimat e i bëjnë numra telefoni për të dashurit.

Vargjet e mia kalojnë para sofave të portave,
plakat i zënë i kthejnë në filxhane kafeje.

Vargjet e mia me bluxhinës ulen trotuareve,
të zhgënjyera një cigare tymosin bashkarisht.

Unë i zoti që i krijova me brum shpirti,
tri dite pa ngrënë, tri ditë pa tymosur,
dal parqeve të gjej ndonjë bisht.

Vargjet e mia kalojnë para mejhanes,
dalin sarahoshet i zënë mbushin gotat.

Vargjet e mia kalojnë shkallëve të turizmit,
lypsit e vegjël u zgjatin dorën si monedhave.

Vargjet e mia kalojnë prane fushave djerra,
dalin fshatarët i zënë i bëjnë plugje.

Për ç’heq e vuaj

Po iki ku ikin të gjithë,
Pa pritur e pa kujtuar,
Me botën e përtejshme më lidh
Një mall që më djeg në kraharuar.

Po iki dhe pse shumë gjëra
Pa bërë nga pas do t’i lë,
Dëgjoj nga qielli shumë zëra,
Të nënës e dalloj mbi çdo zë.

Do iki siç ikën çdo shpirt
Siç më iku edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal t’ia shoh sytë,
Mes syve që i vinin rrotull hënës.

Zambakët rreth varrit ia mbolla,
Ku emrin me lot ia gdhenda,
Nga qimiri ta zgjoj, u lodha…
Të gjallë ma mban zemra brenda.

Do iki nuk kam më se ç’pres,
Për ç’heq e vuaj them të vdes.

Mallkim

Mallkoj veten që kot rroj,
mallkoj jetën që më mban,
mallkoj varrin ku do shkoj,
lotin që ma bën haram.

Mallkoj ditën që kam lindur,
mallkoj çastin që do vdes,
mallkoi shpresën për ç’jam grindur
se më doli e pabesë.

Ringjallja

Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet më ringjallin.

Për ç’jap shpirtin zemërmekur
n’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur
them se këngët më ringjallin.

Vdekja e qejfiut

Lëngon e heq tri ditë qejfliu
i ngrirë kokë e këmbë
me një sy hapur rri kobziu
dhe shpirtin nëpër dhëmbë
E shpirti s’del e syu s’mbyllet
e buza xheç i thotë
ja di gruaja trillet burrit
se ç’do për n’atë botë
Kështu më ke; sa vdekur-gjallë
e kam një mall çapraz
t’i prek njëherë të bardhat shalë
e shpirtin e jap me gaz
Dhe gruaja çka si mullenjë
ja la ta prek me gisht
Burrit mes shalësh ju ngrit një rrënjë
e shpirt dha burrërisht.

Duart që m’i puthte nëna

Po si na ndanë me dysh moj nënë?!
Dy gisht më e gjatë nga unë lopata.
Thellimi brisk. M’i lodhi balta,
duart e thara lyer hënë.

I fus në xhep të ngrohen pak,
Polici vjen m’i lidh me tel.
Teli më hyn në mish në gjak,
pastaj m’i varin në çengel.

Kur të m’i heqin telat nënë,
nga duart ngjyrosur mavi,
xhepat, duart nuk do m’i nxënë,
s’do di se ku t’i fus, s‘do di!

Atdhe

Atdhe, në u çmendsha ndonjëherë,
të shpif, të derdh farmak,
plumbi yt që do me bjerë,
tradhëtar është fare pak.

Në ta grryej si morr i ndyrë,
atë trup të dlirë zambak,
të më shtrydhësh pa mëshirë,
dhe mëshira është fort pak.

Në s’derdh mund e jam i plogët,
për agimin pranverak,
në mohoj plagët, a shokët,
më pështy dhe e ke hak,
dhe pështyma është pak!

ObserverKult

Kanë thënë për Pano Taçin:

Dritëro Agolli: Një pemë kopshti e veçantë

Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo? Duke vështruar nga të gjitha anët metaforën vuajtjes dhe të qëndresës, mund të zbulosh një element të çuditshëm të Pano Taçit, që është karakteristikë e poetëve të mëdhenj. Ky element është përqeshja e vuajtjes, humori mbi këtë vuajtje: Koka ime e kositur,/ Si aerodrom me tre viza,/ Mbi tri kodra bërë nga shkopi,/ Ulen si avionë tri miza…

Xhevahir Spahiu: Fjalë njeriu për njeriun, mbi e nën dhê

Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thelle, – ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar: fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve. Fjale drithëruese, pagëzim gazavaji . Fjalë njeriu për njeriun. Mbi e nën dhê.

Isuf Luzaj: Të paskëshe lindur i huaj!…

Pak herë në jetë më ka bezdisur loti, si për fëmijën tim, miq shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, duke lexuar librin poetik “Blerimi” të Pano Taçit. Të paskëshe lindur italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pelliçon dhe Giacomo Leopardin; austriak me Rilken; anglez me Miltonin; spanjoll me Calderonin; argjentinas me Borges; kilian me Neruden; francez me Hygo, La Martin, Musset; amerikan me Frostin. Jam i sigurt se figura jote do të udhëtonte kohët nëpër enciklopeditë euro-amerikane.

Luljeta Lleshanaku: Një libër i përthyer në të gjitha faqet!…

Mik dhe vazhdues i Lasgush Poradecit, përpiqet të ruajë timbrin e ëmbël, ritmin e qartë si pikat e shiut në çatitë e orëve të vona në shkurt. Megjithatë, poezia e tij s’është kurrë krejt e qetë, ajo është fërkim dy gjendjesh, dy rrymash, të cilat shkojnë në drejtime të kundërta të një barke të madhe, me dallgët që shkojnë në drejtim tjetër, dy resh me ngarkesa të kundërta, një rrufe e thatë që shpon qiellin si nepërka e etur në gusht.

Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku te gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit ku u përmbyll për aq kohë ai.

Vath Koreshi: Pas heshtjes së tij olimpike

Një libër i Pano Taçit është një bashkëbisedim i shkujdesur me të, një rrëfim me zemër në dorë për shtegtimet e shpirtit të tij. Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fiziko-shpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes olimpike, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

Sadik Bejko: Ai ishte një mrekulli, hokatar dhe tragjik njëherësh

Pano Taçi është një mrekulli si poezi dhe si fenomen. Ai, mbas sa e sa vitesh te burgut dhe te internimit, ruan vitalitetin e shijes së jetës, ruan të gjallë një vijimësi nga poezia e Lasgushit dhe e Ali Asllanit. Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes.

Nehat Sopaj: Klasiku i fundit

Vazhdues i drejtpërdrejt i poezisë së Lazgush Poradecit, Pano Taçi është mjeshtër i gjuhës shqipe. Në gjithë poezinë e tij, ai është klasiku i vetëm i gjallë.

Visar Zhiti

Pano Taçi e pranon me zemër të hapur humorin miqve, bën vetë humor, me një buzëqeshje njerëzore, të padhëmbë, sikur t’i ketë hequr asaj cinizmin, gjithë dritë të butë, por që në brendësi ka dhimbje dhe një dëshpërim të përmbajtur, vetëm të tijën.

Edmond Tupja: Shpirtbukur në Parajsë

Vdiq Pano Taçi, rrugaçi, i pabinduri, margjinali, outsider-i, vulëhumburi dhe vetvetegjeturi, i pafati e dhimbjelarti. Edhe sikur Parajsa të mos ekzistonte, do të ishte e nevojshme të shpikej vetëm për atë, poetin e mallkuar, e ndaluar, grushtshtrënguar, zemërmjaltë e shpirtbukur… 


pano taçi

Biografi

PANO TAÇI lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në brigadën 24S të UNÇl.

Pas Luftës vazhdoi shkollën, po më 1947 u arrestua dhe vuajti afro çerek shekulli burgime e internime nëpër burgje e kampe përqendrimi si kundërshtar i regjimit. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika, si dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.

Libra të Pano Taçit

Blerimi i thinjur (1994)

Dhe vdekja do paguar (1997)

Hukama e Venusit (1999)

Shpirt i zbardhur (2001)

Muzg (2000)

Qirinjtë (2000)

Flakë në terr (2001)

Lakuriq (2002)

Sa pak qiell (2003)

Kokoveja e Kokoshit (2003)

Poezi të zgjedhura (2003)

Ofshama e dell-arit (2004)

Pani plak (2005)

Prit e prit (2007)

Bijtë e erës (2009)

Muzgu vjen papritur (2013).

ObserverKult


Lexo edhe:

12 SUPRIZA TË PAKËNDSHME ME TË CILAT PËRBALLENI NË TIRANË