Agolli: Rinia ime ka qenë rinia e një zogu shtegtar, njoha gëzime, trishtime, halle dhe ëndrra…

Rinia ime ka qenë rinia e një zogu shtegtar. Zogu shtegtar , siç thonë, gjithmonë ka miq. Një copëz e rinisë më shkoi në fshatin Menkulas të Devollit; pastaj në Gjirokastër, në konviktin e shkollës së mesme ; më vonë në Leningrad, sot Sankt–Petërburg, në universitet; më tutje në Tiranë.

Nga: Dritëro Agolli

Menkulasi, Gjirokastra, Leningradi dhe Tirana kanë qenë katër stacionet e mëdha të rinisë sime. Në këto katër stacione kam njohur gëzime, trishtime, halle dhe ëndrra; kam dashur shokë e miq, kam besuar dhe jam zhgënjyer; kam njohur kafene dhe pijetore, teqe dhe kisha, kasolle dhe pallate, kulla dhe shtëpi. I kam rënë kryq e tërthor gjithë vendit me këmbë, me kalë dhe në makina, në vapë, në shi, në dëborë. Goja më ka djegur nga speci dhe qepa, gryka më ka përvëluar nga rakia, sytë më janë shpuar nga tymi.

Kam njohur ashpërsinë e gurit dhe lustrën e mermerit. Kam takuar dhe njohur Milto Sotir Gurrën, Aleksandër Xhuvanin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Eqrem Çabejin, Aleks Budën, Skënder Luarasin, Mitrush Kutelin, Shevqet Musaranë, Odhise Paskalin, Jakov Xoxën, Petro Markon, Fatmir Gjatën, Endri Kekon, Nikolla Zoraqin, Selman Rizën , Abdurrahim Buzën, dhe të tjerë që nuk janë më. Kam parë fare afër dhe kam shtrënguar dorën me Hrushovin, Mao Ce Dunin, Lin Biaon, Cian Cinin, Çu En Lain.

Kam parë Shollohovin, Simonovin, Evtushenkon, Ehrenburgun, Nazim Hikmetin, Azis Nesinin, Jashar Qemalin dhe shumë të tjerë. Kam pasur profesor të folklorit V. I . Propp-in, një nga teoricienët më të mëdhenj të botës, i kritikuar për formalizëm në kohën e Stalinit, autorin e famshëm të librit “ Morfologjia e përrallës”.

E veçanta e rinisë sime është njohja me një varg individësh dhe personazhesh të historisë, shkrimtarë dhe politikanë, që nuk do t’i takojë njeriu t’i shohë as në ëndërr. Kjo është një e veçantë historiko-politike.

Kurse e veçanta jetësore dhe sentimentale është shtegtimi im. Nuk jam plakur atje ku kam lindur. As nuk jam formuar atje ku kam lindur. Në vendin ku linda, në fshat, unë mësova gjuhën e nënës me tërë ngjyrat. Por më e madhja është se eca nëpër barin me vesë, dëgjova këngën e këndesit dhe vajtimin e kukuvajkës; u nanurita me gurgullimën e përroit dhe shushurimën e lumit pranë shtëpisë.

Atje i mësova t’i këndoj këngët popullore në dasma. Unë i di përmendësh gati të gjitha këngët popullore të Jugut, po edhe një pjesë të Veriut. Edhe kjo është një e veçantë. Ka pastaj gjëza të tjera intime dhe sentimentale që tani për tani nuk tregohen.

Më vonë. Një filozof ka thënë:”Kush di t’i vuajë të gjitha, mund të guxojë të gjitha.” Si të shenjtë unë ruaj atë stacionin e rinisë së fshatit: Këngën e këndesit dhe gurgullimën e lumit. I shoh në ëndërr. Dhe ky është një tregues i shenjtërisë.

ObserverKult

Lexo edhe:

BILALL XHAFERI: RINIA IME…