Agron Gërguri: Teatri im, e vërteta e jetës

Nga: Agron Gërguri

Gjatë gjithë kohës nëpër të cilën kam jetuar jam munduar të gjej kuptimin e Teatrit si veprimtari, si art si kulturë, si një shprehje e veçantë e komunikimit midis njerëzve…dhe saherë që më është imponuar ndonjë përkufizim si definicion i Teatri, nuk e kam pranuar …duke ecur tutje në domethëniet e shumta të cilat i ka Teatri, dritarja e definimit çka është Teatri ka mbetur e hapur për të parë në horizontin e historisë njerëzore variante tjera, rrëfime e mundësi të atdheut tim të quajtur Teatër, vend ku më s’miri e shohim veten duke e dashur apo jo tjetrin si një synim i njerëzores të cilën e përmban Teatri si një provë e drejtpërdrejtë, e përhershme ku ia ndjejmë aromën hidhërimit dhe gëzimit, ku shikimi merr kuptimin e të vërtetës ku emocioni komunikon me emocionin aty për aty drejtpërdrejtë gjallërisht dhe me vërtetësi edhe përtej fjalës sepse teatri është muzikë është pikturë e skulpturë, është ngjyrë e zezë ku zbërthehen të gjitha ngjyrat tjera. Teatri është vdekja që flet si mesazh i të vërtetës absolute.

Teatri si pasqyrë ku e shohim veten, por nuk jemi aty

Teatri pra nuk është pasqyrues por është pasqyrë, nuk prognozon por vëmendson, nuk predikon por thotë, reagon, zbërthen, shqyrton natyra njerëzore duke ngre probleme për ta ushqyer njeriun apo njerzoren me nevojën e quajtur jetë.

Tash e 3000 vjet me këmbëngulësi përpiqet t’i mbledh ato që dolën nga kutia e Pandorës si një përpjekje për ta sistemuar apo risistemuar jetën njerëzore duke ngjallë debate, por jo debate anarkistash që përjargen për dofarë diversitetesh, për variante ndryshe si projeksion për tjetrin e jo për veten por debate midis atyre që janë profesionistë, shkrimtarë, mjek, punëtorë a profesorë si një medium që regjistron çka po thotë Teatri e jo çka po mundohemi ta detyrojmë të thotë në dëm të vërtetës. Pra teatri është ai që e mirëmban dhe e rikuptimëson shpresën, ai që e di kodin se si dëshira bëhet realitet e si realiteti bëhet i dëshiruar.

Teatri dhe sukseset  

Andaj them se arti teatror nuk mund të reduktohet në “suksese” të manifestimeve bulevardeske që përcillen me urime e përshëndetje të cilat nuk e ushqejnë teatrin dhe arsyen e ekzistencës së tij tash e mija vite por përpiqen ta shfrytëzojnë si trampolinë për triumfe të vetëmjaftueshmërisë. Ky vetëmashtrim masturbues teatrin e bënë shërbëtor e ai i tillë nuk është.

Duke e rëndomësuar atë në përditshmëri e kemi njëjtësuar me mundësitë e të patalentuarëve. Andaj nëse themi se teatri po “prishet” venerojmë se këtë e bëjnë ata që dijnë e përpiqen t’ju pëlqejnë atyre që nuk dijnë duke e eklipsuar kështu dritën e Teatrit i cili na e jep mundësinë që ta shohim të vërteten e tejdukshme. Të vërteten e cila rri përtej mundësive tona, si jetime, e pavlerë, e manipulueshme nga të jotalentuarit e jetês të cilët nuk e pranojnë emocionin si një nga përcaktuesit e veprimeve tona, bashkë me rrethanat e sikurin ku krijohen situatat si provë verifikimi.

Teatri është si varka e Noas ngase na mundëson të shpëtojmë nga kataklizma e gënjeshtrës e cila pëlcet brenda nesh duke na dhënë mundësi t’i kthejmë sytë kah vetja. Të flasim me sy e të shohim me shpirt. Vetëm atëhere do të kemi balansuar baraspeshën midis fjalës si veprim, e veprimit si fjalë pa i ngatërruar ato në thurje të së vërtetes e cila bërtet. Andaj unë i besoj “gënjeshtrës” së teatrit si mundësi për ta njohur të vërteten për të cilën Teatri më thotë se nuk ekziston si një dhe e vetme por e ndërtuar nga copëzat e jetës në marrëdhëniet midis njerzëve me natyra të ndryshme që do duhej ta gjejnë veten tek tjetri dhe duke i bërë vend tjetrit tek vetja. Ashtu do i mbajmë gjallë personazhet dhe atdheun e dashurisë njerëzore si kushti dhe qëllimi final i jetës si një proces ku e vërteta kalon nëpër laboratorin  e ndjenjave të cilat shndërrohen në fotografi ku dëshirojmë të jemi. Kjo fotografi është Teatri vendi ku shpirti projektohet në lot e buzëqeshje në forcën e ligështimit, në ves e virtyt, vend ku veten e shikojmë duke u shoqëruar me dilema e dyshime se cila është vërteta për hir të së cilës duhet ndryshojmë për t’i krijuar njerëzores një skafandër ku ajo ruhet dhe funksionin.

Teatri si vlerë e trashëgimisë botërore

Pra, Teatri është njeriu apo vendi ku ruhet qenia e tij si fotografi e fshehur dhe ku kujtesa trashëgimore ruhet nga harresa. Aty ku dashuria  dhe gruaja janë arti i të bërit të jetës ngase “vetëm bukuria e shpirtit e shpëton njeriun” atë njeriun apo njerëzoren të cilën e kërkon me ngulm teatri si trashëgimia më e vlefshme që antika i dha botës së artit apo njerëzimit në procesin e njohjes së vetvetes, deri më sot 27 mars 2025.
Andaj Dita Botërore e Teatrit është festë e njerëzimit.

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: “LENORË”, SHFAQJA QË FLET PËR DASHURINË DHE TMERRIN E LUFTËS