reklamë

Agron Gërguri: Teatri si gardian që ruan frymën njerëzore

27 Mars, Dita Botërore e Teatrit

Nga: Agron Gërguri

Teatri është para një sfide vendimtare për të shpëtuar artin dhe brenda artit njeriun. Në betejën me frekuenca të padukshme të cilat po e digjitalizojnë pamëshirshëm ndjenjën, emocionin derisa të folmes po i marrin ngjyrën, Teatri ngulmon të mbetet i dukshëm dhe konkret, i gjallë dhe i menjëhershëm siç është që nga lindja.

Si i tillë i pandryshueshëm në të ndryshmen e tij mbetet gardian i frymës njerëzore, me aromën e djersës së aktorit që pikon në dërrasat që janë jetë gjithnjë në kërkim të vërtetës derisa shprehja bëhet pasqyrë ku të tjerët e shohin veten edhe pse nuk janë aty.

Pra, Aktori mbetet shprehësi themeltar i Teatrit me ndjenjën, emocionin, përjetimin, figurën, zërin derisa ehoja e intonimit të bëhet jehonë kumbuese dhe shembëllim për spektatorin.

Kjo marrëdhënie sa bazike –  tokësore aq kosmike – qiellore e cila jo se nuk e pranon shndërrimin e frekuencave në fotografi por se duke e pasur njeriun në qendër fillim e fund e ruan karakteristikën e tij  identifikuese zjarrin e emocionit, empatin,  ndjenjën si proces për të emetuar dashuri duke e ruajtur shprehjen e syve si domethënie të shpirtit.

Por, Teatri nuk është makinë që prozën e jetës ta kthej në poezi ai veçse e artëson me gjuhën tij si poezinë, po ashtu prozën, muzikën, skulpturën dhe shprehjen e trupit. Kur e vëren se natyra njerëzore po shpërbëhet Teatri bëhet varka e Noas për të shpëtuar ndjenjat, emocionet, dashurinë, skuqjen, turpin, frikën, pendimin, faljen dhe gjakun e kaltër të mbretërisë së arteve, vetëm e vetëm që ta mbaj  njeriun te vetvetja, duke e ruajtur kuptimin e jetës i cili qëndron më të lartë se vetë jeta, një dionisiadë mijavjeçare për të ndreq klimën shpirtërore të njeriut që mishëron qartësinë e paqartësisë, shkëlqimin e tragjedisë, hidhërimin e komedisë, gjallërimin e vdekjes duke matur saktësisht jetën me temperaturën e gjakut se veç ashtu mbetet ai që është dhe dhe që duhet të jetë Teatër që të vërteten e bënë prezente.
Urime Dita Botërore e Teatrit.

ObserverKult


Lexo edhe:

Federiko Garcia Lorka: Flisni për teatrin