Agron Llakaj: Me Mirush Kabashin kam pasur e me Zef Dedën nuk kam pasur miqësi…

“Vepra e një artisti e bën atë të pavdekshëm”. Kështu u shpreh së fundmi aktori i mirënjohur, Agron Llakaj, teksa po fliste për ndarjen nga jeta e dy artistëve të mëdhenj, Zef Deda dhe Mirush Kabashi.

Llakaj teksa ishte i ftuar në emisionin “Wake Up”, u shpreh se i duket se “estrada e humorit shqiptar më tepër është në qiell se sa në tokë”.

“Të jem i sinqertë unë nuk kam pasur miqësi me Zefin e madh, por me djalin e tij, me Julin kemi një lidhje tjetër. Zefi ishte Zefi. E ndjeja që duhet të vrapoja të gjendesha te ceremonia e lamtumirës së tij. Më duket se estrada e humorit shqiptar më tepër është në qiell se sa në tokë. Janë shumë artistë që janë larguar.

Kurse me Mirushin kam ndarë miqësi. Në ’93 kur unë isha në Memaliaj, Filip Çakuli, Koço Devole, Mirush Kabashi, erdhën në Memaliaj dhe më takuan. Ishte ai takim që vendosën ardhjen time në Tiranë. 

Kemi qenë në shumë aktivitete bashkë, kemi qenë edhe deri në Kosovë. Mirushi i madh u kthye në një mesazh përcjellës. Jo thjesht me aktrimin e personazhit që ia njeh publiku i gjerë, po kudo shkonte me ato recitimet e tij, për të treguar se ne duhet të jemi shqiptarë, të falim dashuri pavarësisht çfarë feje kemi. Edhe në ditët më të vështira të jetës së tij, kur kam komunikuar, jo ka shkuar në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë apo nëpër Shqipëri.

Ai mori natyrën e një mbinjeriu duke përcjellë mesazhe të tilla. Nuk e prisja të ikte kaq shpejt. Unë nuk u ndodha këtu, mbrëmë në darkë jam kthyer nga jashtë. Sinqerisht ndjeva një dhimbje të thellë e të madhe në momentin kur mora lajmin.

Përveç të tjerave se e kisha mik, por edhe vajzat tona janë shoqe me njëra-tjetrën. Por kështu është jeta. Vepra e një artisti e bën atë të pavdekshëm”, tha Llakaj. /topchanel

ObserverKult


Lexo edhe:

FJALËT PREKËSE TË AGIM DOÇIT: MIRUSH KABASHI KA EMOCIONUAR 83 SHTETE TË EVROPËS

Poeti i njohur, Agim Doçi ka folur për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Ai ka treguar për “Pas Mesnate”, se kanë qenë miq shumë të mirë bashkë dhe do të mbetet në memorien e tij si “Nderi i Kombit”.

Doçi theksoi se Kabashi ka qenë i pari pas komandantit të diktaturës që përmes rolit të Sokratit ka ngritur në këmbë të gjithë Pallatin e Kongreseve. Ai shtoi se Kabashi ka ngritur edhe sallat e 83 shteteve në të gjithë Evropën.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult