Agroturizmi po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqës, veçanërisht për ata që rrënjët i kanë të lidhura me fshatin.
Në fshatin “Katund i Vjetër” të Rubikut, lulëzon në mes pemëve dhe përroit, një shembull i zhvillimit rural për të gjithë zonën, e cila njihet për burimet e ujit dhe gjelbërimin e kodrinave përreth.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, publikoi sot pamje nga agroturizmi “Dini” në Rubik, ndërsa thekson se “agroturizmi një realitet i ri, por domethënës në rivitalizimin e zonave rurale, alternativë dhe vlerë e shtuar e destinacioneve turistike, në ofrimin e kulinarisë tipike shqiptare, shijes dhe eksperiencës shqip”.
Administratori i bujtinës “Dini”, Ariel Marku, tha se “ne për vizitorët tanë përveç komoditetit dhe rehatisë që ofron pjesa e bujtinës ne ofrojmë edhe ushqime bio, të marra nga fshatrat e zonës”.
“Kam qenë gjithmonë me parimin se nuk mund të ecim dot përpara pa e ditur rrënjët tona”, – shprehet Marku.
“Bujtina Dini” model i agroturizmit, është një biznes familjar tashmë i konsoliduar, me produkte lokale dhe disa të punësuar. Mjaft e preferuar dhe nga turistët e huaj, kjo zonë ofron ajër të pastër, qetësi dhe gatim të mirë.
Bujtina është investuar me ndihmën 50% nga AZHBR, pas iniciativës së djalit të familjes Marku, për të aplikuar në masën e “Agroturizmit” dhe për të ngritur një shërbim cilësor në mes të natyrës.
Një ide origjinale për këtë fshat në zhvillim që po merr vëmendje çdo ditë e më shumë edhe nëpërmjet programit të “100 fshatrave”./atsh