Pas disa muajsh pune të lodhshme faza e parë e ndërhyrjeve në Kullën C në kalanë e Durrësit, dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, është drejt përfundimit.
CHwB Albania bën të ditur se “një strukturë metalike e përkohshme po ngrihet, duke e bërë kullën dhe zonën përreth të sigurtë. Kështu, mund të presë përfundimin e projektit të konservimit, që do e bëjë të lartësojë në të ardhmen, ashtu si ka qëndruar dhe në të shkuarën”.
Ky projekt mbështetet nga ambasada e Suedisë në Tiranë në partneritet me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.
Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.
Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh./atsh