Ah, sikur të mundja mos të të doja…

Poezi nga Alessandro Canzian

Sepse kjo është mungesa jote.
Gjërat e vogla të ditës,
shiu dhe telefonata se po vij
të të marr për pazar,
takat që shkelin në ujë,
të të them “Hej, bëhu gati se do shkojmë në Cortina, apo të pëlqen më shumë në Frisanco?
Po, është më afër,
gjithçka është më afër,
edhe pse kaq larg nga ti.

E bukur, si një pikturë e Monet,
si “La voz a ti debita”*
që sapo e lexova duke të kushtuar nja – dy vargje, disa presje, një pikë.
E bukur si një dimër
me shi dhe mungesë,
ulur atje larg dhe as që më sheh.
Ah, sikur të mundja mos të të doja!

Çdo natë bëj dashuri
me mungesën tënde.
I heq të brendshmet hijes sate,
fshij gjurmën që lë në shtrat
– tek e fundit nuk është shumë e thellë, sepse je e lehtë
si diçka që ka ikur prej kohësh –
dhe të pyes nëse do të flesh
apo të të bëj një çaj.
Ti më përgjigjesh
si nga brenda një zbrazëtie.
“Po i dashur!
Do ta pi me kënaqësi”.

Zgjohem në pesë të mëngjesit,
erëmimi i kurmit tënd
ende i freskët në duart e mia,
në shtatin tënd mbrëmja ime.
Në tetë hap dritaret,
bota ka një farë ndije flokësh
ende në gojë –
e ndiej edhe teksa urinoj
dhe jam unë dëshmia e pranisë sate -.
Në nëntë të bëj gati një kafe,
pa filxhan dhe pa ujë,
kërkoj celularin,
mendoj për një sonet
për të cilën s’ jam i zoti,
mendoj për ty
për të cilën nuk jam i zoti
dhe ora shkon njëmbëdhjetë
ende herët për të jetuar.

Një gjerdan në një sfond të zi
kjo është dashuria që të sjell.
Dashuri për gjëra të thjeshta,
të rëndomta.
Dashuri për hapat,
fundin grisur në makinë,
flokët e shpupurisur
kur ngrihesh nga shtrati.
Një dashuri bërë me perla,
e rreme si një mit që gjithqysh
e ka një fond të së vërtetës,
një legjendë.
Një buzëqeshje që shpërhapet
nga errësira.

E enjte 6 shkurt, ora 16:00.
Është koha që të bjerë shi sërish.
Mund të kërkosh arsyen
dhe do të thoja se shiu që rrëshqet në flokët e tu është tashmë arsye
e mjaftueshme që të bjerë shi,
që përmbytja e trupit tënd është stina që nuk do të doja ta këmbeja,
është degë dhe rrënjë Maniago*,
është shkurt.

Dashuria e humbur është një kujtim.
Por jo nga gjestet,
çastet si në Trieste kur të mbështolla të gjithën në përqafim.
Mbeten pjesët që ke humbur,
shpërvjelja e buzëve,
harkimi i butë në ije.
Mbetet anatomia e asaj
që është shkulur prej teje.

* “La voz a ti debita” poezi e Pedro Salinas.

* Qytet në Itali.

*Titulli i origjinalit: “E bukur si pikturë e Monet”

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult


alda merini

Lexo edhe:

ALDA MERINI: GRA, DËGJONI KËTË QË PO UA THEM…

Ndoshta mund të jetohet edhe nga dashuria, mund të jetohet me poezi, mund të jetohet për një mimozë të humbur ose për një vështrim që na la.

Një gjë po ju them, gra që jetoni me punën tuaj dhe heshtjen tuaj të përjetshme: ju që keni pirë lotët e kaq shumë ndarjeve, mos lejoni që forcat e gjalla të çmendurisë të hyjnë në dhembjen tuaj dhe t’i shndërroni në pako dhuratash për ata që nuk ju dëgjojnë.

Një degëz mimoze të gudulis hundën:
është teshtima e shëndetshme e Prillit dhe ty të hapet goja, gogësin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult