Cikël poetik nga Trëndelina Terziu-Omuri: Mallkimi i vjeshtës

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga poetja Trëndelina Terziu-Omuri:

SI SHIU I SOTËM

Si shiu i sotëm jam e mërzitur
Vras mendjen nëse po bëj mirë apo keq.
E detyruar të bëj si një fëmijë
Mërzinë e shpirtit a mund ta heq.

Mes tymit të duhanit
Shpirtin më tepër e nxij
Oh, si nuk çmendem nga çmenduria!

Në këtë vend të humnershëm
Para pasqyrës lotët lëpij
Si të lëpija ujin e bekuar.

Kthej kryet pas drejt një humnere
Përpara një mal deri në qiell.
Mes pikash lumturie kërkoj të lumturohem
Në mesin e njerëzve të vranët të mos flijohem.

NË KUTI BIZHUTERISH

Në kuti bizhuterish
puthjet e shpeshta kam sistemuar.
Çdo natë në vetminë time të zbrazët
dekoroj shpirtin e përmallur
si të dekoroj një faqe muri të dalë boje.

Thonë se aksesorët
vërtet të zbukurojnë;
mua herë më japin shpresë
e tjetrën herë hapin ma ndalin.

Në çdo dremitje të vakët
sikur joshem drejt teje.
Në sy me varet rëndshëm
dekori i lodhur i kujtimeve.

Lehtas pastaj zhdukemi të dy
si t’mos marrim frymë përmbi dhé.
S’mbeti as frymë, as puthje,
as ledhatimet s’mbetën kund
edhe ëndrra me të pa sërish –
tash e tutje
thjesht një stoli në mendjen time.

Në kuti bizhuterish
puthjet vazhdoj t’i ruaj
si të ruaj fotografi të vjetra shumë,
anipse mallit të vrazhdë të mesnatës
etjen prap s’ia shuaj e s’ia shuaj…

MALLKIMI I VJESHTËS

Përballë dritares time
një stol i braktisur
i lagur krejt nga shiu
si ti në orët e gjata të pritjes.

Trotuaret të nervozuar
si unë kur shpesh vonohesha për tek ti.
Shiu butë më puthte trupin
tek vrapoja në grumbull pasthirrmash.

Me afsh rridhnin pikat e shiut
ledhatonin xhamin e dritares
si buza jote nga buza ime e dehur
kur përqafimi ngjante si një fëmijë i llastuar.

Stol i braktisur mallkonte vjeshtën
pse e bënte çdo vit të vetmuar;
gjethet me artin e mashtrimit
i vërtiteshin gjoja për ta ngushëlluar.

E ARDHMJA E ASGJËSË

Shpirti im sonte si lumë i akullt

Më vjen ta shqyej maskën tënde
plot me psherëtima dinake

Mbete peng i shumë gjërave
mbi trup tëndin mësova lumturinë e mëkatit
kur qielli hapi krahët
ti befas mbylle zemrën

Këtë natë ëndrrat ikën
Oh, të ftohtë akull e ndiej dhimbjen,
njësoj, në mos më tepër edhe humbjen
lumturia ngjyrën e korbit mori
e kuqja e dashurisë në blu të ngrirë

Harresa m’i vodhi kujtimet
mbeti e ardhmja e asgjësë

Në mendje vetëm ngjyra e syve të tu
që më shqitet dalngadalë prej mendje
dhe krejt dekori i jetës tënde pa dritë

Bash sonte
ku shpirti im është si lumë i akullt…

ObserverKult


Lexo edhe:

BUQETË ME POEZI TË JUSUF GËRVALLËS: KANGA QË DO T’I KËNDOJ ASAJ…