(ose emërtimi në formë bajonete)
Më 10 dhjetor të vitit 1957, gjenerali grek Napoleon Zerva, e ndjeu thellë fundin e jetës së tij, ndaj e zgjati shikimin drejt të afërmeve që i qëndronin pranë dhe u tha fare qetë:
“Tani po vdes i qetë, sepse bëra atë që desha. Pas vetes lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; britma fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura që futeshin në furrat e ndezura për të mos pjellë më shqiptarë… burra të varur e të shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq gjithë shpirtërat helenë!”.
Pastaj, sa çel e mbyll sytë, e pllakosi një heshtje e plumbtë duke mos i shqitur sytë nga njerëzit që e rrethonin mbanë. Ndonëse atyre u la përshtypjen se tanimë ishte krejt i qetë në shpirt, sakaq ai mori një pamje të dylltë në fytyrë. Në atë çast i ra ndër mend një fshat i Paramithisë që quhej Gardhitë, atje ku i kishte kryer mizoritë më të rënda duke menduar se përfundimisht kishte arritur ta zhbënte çdo gjurmë shqiptare. Këtë emërtim e përsëriti disa herë vetmevete dhe u llahtaris së tepërmi. Djall o punë, është emërtim shqip prej fjalës Gardh, klithi i tronditur deri në palcë. Deshi të ulërinte si asnjëherë tjetër, por kësaj radhe po e tradhtonte fuqia. Në këtë gjendje kaq dramatike qëndroi edhe për disa orë pa bëzajtur. Më vonë, pikërisht kur po i harxhonte edhe grahmat e fundit, emri Gardhitë i shëmbëlleu si një bajonetë që i ngulej në shpirt dhe që pastaj ngrihej lart e më lart si një flamur me shqiponjë të cilin nuk mund ta kapte e ta shqyente me dufin e moçëm të tij.